Shkruan: ARTA TAHIRI
Në gazetari gjithnjë e më shumë vlen rregulli – “lajmi i keq është lajm i mirë”! Media në kohën e sotme funksionon mbi parimin e ndjekjes së saj në botën e internetit dhe sa më sensacional është lajmi, aq më i klikuar bëhet. Si duket, gazetaria e re “sensacionaliste” është duke e zëvendësuar profesionalizmin, standardet profesionale dhe normat etike!
Shembull për këtë është fundi i vitit 2022, i cili përveç me ngjarje të shumta politike, u përcoll me shumë lajme negative, të këqija apo të kronikës së zezë. Ka pasur shumë informacione për vetëvrasje dhe vrasje, ndërsa në shumë raste është bërë i ditur identiteti i viktimave.
Identiteti i personave që nuk janë fytyra publike nuk është interes publik
Nëse një i përfshirë në vrasje apo vetëvrasje nuk është person publik, qoftë i jetës politike, biznesit, medias, artit, sportit e ndonjë fushe tjetër, cili është interesi publik që t’i bëhet i ditur identiteti i tij, qoftë nëse është person që sulmon, që bën dhunë, autor i veprës kriminale apo është viktimë? Interesi publik i ngjarjeve të këtilla nuk është i vogël, por publikimi i identitetit në shumë raste nuk përbën asnjë interes publik!
Gjithsesi se duhet pasur parasysh se shoqëritë e vendeve të Ballkanit, si kjo e jona, janë të prira që të lexojnë shumë lajme të “zeza” dhe “njeriu ballkanik”, dhe kanë dëshirë të bëjnë “sehir” apo soditje kureshtare, madje duke u interesuar edhe për emrat dhe mbiemrat e personave të përfshirë në ngjarje makabre. Mirëpo, media duhet të jetë ajo e cila duhet të jetë e vëmendshme sa i përket zbulimit të identitetit të viktimave.
Veprimet e mediave, duke nxjerrë në pah identitetin, madje duke kumtuar edhe të dhëna tjera mbi vendin, moshën, përkatësinë etnike, identitetin profesional e veçori tjera identitare individuale, janë të pamatura dhe të papërgjegjshme në aspektin profesional. Në pajtim me Kodin Etik të Gazetarëve, mediat janë të detyruara që ta ruajnë edhe privatësinë e individëve.
Redaktorët dhe gazetarët e mediave, para se të marrin vendime editoriale për të bërë kumtime të papërgjegjshme të këtij lloji në media, duhet të kenë parasysh se përmbajtjet e tyre i ndjekin fëmijët, motrat, vëllezërit, bashkëshortët, prindërit, të afërmit, miqtë dhe të gjithë që në njëfarë mënyre kanë qenë të lidhur me viktimat, të cilëve u shtohet dhimbja. Në Kodin Etik, jo rastësisht thuhet qartë dhe prerazi se “Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga senzacionalizmi.”
Por, pikërisht sensacionalizmi është ai që disa media madje i shtyn që të publikojnë edhe fotografi nga vrasjet, por edhe nga vetëvrasjet dhe të tregojnë detaje nga këto akte të rënda, edhe pse kjo është në kundërshtim me etikën gazetareske. Në Doracakun për interesin publik në gazetari thuhet: “Veçanërisht duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për raportim për metoda të veçanta të vetëvrasjeve. Edhe pse me detajet e këtilla, lajmi për vetëvrasjen bëhet më tërheqës për mediat, metoda e kryerjes mund të ndikojë që edhe persona tjerë, të kategorive të ndryshme sociale, ta kopjojnë dhe zbatojnë mënyrën e këtillë”.
Shembuj të gazetarisë joetike dhe joprofesionale në raportimin për vrasjet dhe vetëvrasjet
Ngjarja tronditëse që ndodhi në vendin Banjat e Tetovës, më 2 dhjetor të vitit 2022 kur sipas dyshimeve u vra një 17 vjeçar, nga një 16 vjeçare, e cila kishte qenë e dashura e tij, testoi për të satën herë gazetarinë profesionale dhe solli rezultatin që shumë media dështuan sa i përket respektimit të rregullave, standardeve dhe normave profesionale.
Mediat lidhur me këtë ngjarje raportuan në mënyrë sensacionale, duke mos marrë parasysh aspak ndjenjat e familjes së viktimës, por edhe familjes së autores së dyshuar të krimit, edhe pse nuk mund të barazohet niveli i respektimit të dhimbjes mes familjes së autores së krimit dhe viktimës.
Pjesa më e madhe e mediave vepruan sikur “kanë zbuluar Amerikën”, dhe nxituan për të njoftuar identitetin e personit të vdekur. Shumë media publikuan varrimin e viktimës, me emër e mbiemër, i cili jo vetëm që ishte person i mitur, por nuk ishte aspak figurë publike. Pjesa më e madhe e mediave, jo vetëm që nuk respektuan dhimbjen dhe zinë e familjes, por jepnin detaje lidhur me lidhjen e djalit (viktimës) dhe vajzës (autores), që ishin krejtësisht detaje të panevojshme për publikun.
Një pjesë e madhe e mediave, pas kësaj ngjarjeje, publikuan titujt bombastik “Publikohet fotografia e 17 vjeçares e cila dyshohet se vrau të dashurin e saj tek Banja e Tetovës“. Një pjesë kishin mbuluar fytyrën e saj, ndërsa një pjesë e kanë publikuar me identitetin e saj fizik, edhe pse kjo fotografi nuk është me interes publik.
Portali i gazetës “Slloboden peçat”, më 29 dhjetor të vitit 2022, publikoi fotografi të një personi i cili ishte hedhur nga ndërtesa në lagjen Karposh të Shkupit, të cilën më pas e hoqi. Kjo gazetë shkruante se “ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek fqinjët, por edhe reagime në rrjetet sociale, andaj redaksia e “Slloboden peçat” i tërheq fotografitë me përmbajtje shqetësuese dhe u kërkon falje lexuesve”. Siç shihet edhe nga shpjegimi i gazetës, reagimi i publikut, ka qenë ai i cili ka detyruar median të korrigjojë gabimin dhe të respektojë etikën. Pra, në këtë rast, publiku nga aspekti i edukimit mediatik tregohet më i përgjegjshëm dhe ngrihet mbi median dhe kjo është pozitive.
Veprim i ngjashëm i mediave u vërejt edhe më herët, më 20 mars të vitit 2021, kur shumë media, madje edhe ato me licencë kombëtare, transmetonin video nga tentimi për vetëvrasje i një vajze në Shkup, duke e lokalizuar vendbanimin e saj, edhe atë jo vetëm ndërtesën, por edhe katin ku jeton dhe moshën e saj. Posedojmë linqet e mediave, por për arsyet etike, të cilat i elaborojmë, nuk i publikojmë. Kjo vajzë shpëtoi jetën e saj, por nuk shpëtoi nga agresiviteti mediatik, i cili për klikime është në gjendje të “nxijë” jetën e njerëzve.
Sipas etikës profesionale gazetareske, nuk duhet të shfrytëzohen fotografi ose video – xhirime nga vendi i vetëvrasjes, veçanërisht kur prej tyre lexuesi ose shikuesi mund ta përcaktojë lokacionin dhe metodën e vetëvrasjes. Përveç kësaj, nuk duhet të shfrytëzohen fotografi nga viktima që ka bërë vetëvrasje, si dhe letra ose porosi të lëna.
Etika në gazetari kërkon që mediat të sillen me një kujdes të jashtëzakonshëm kur informojnë për vetëvrasjet ose për tentimet për vetëvrasje. Për këtë aprovohet praktika që thuajse të mos shkruhet apo raportohet për vetëvrasjet, e veçanërisht të njerëzve që nuk janë fytyra publike!
(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut