Shkruan: PETRIT SARAÇINI
Politikanët, sidomos ata që janë në pushtet, nuk duhet të etiketojnë mediat dhe gazetarët dhe të japin vlerësime për punën e tyre! Përkundrazi, mu puna e politikanëve, veçanërisht e atyre që paguhen me paratë publike, është ajo që i nënshtrohet gjykimit dhe vëzhgimit të medias dhe opinionit!
Sigurisht, ka media që raportojnë profesionalisht, ka edhe nga ato që raportojnë në mënyrë joprofesionale dhe tendencioze për punën e politikanëve. Por gjykimin për punën e medias nuk e sjellin politikanët, por, mbi të gjitha, publiku!
Përveç kësaj, për shkeljen e ligjeve apo rregullave profesionale nga mediat, ekzistojnë mekanizma ligjorë dhe vetërregullues, të cilat mund të përdoren nga çdo qytetar, qoftë edhe politikan, nëse beson se një media apo gazetar i ka shkelur të drejtat e tij.
Por, edhe në raste të tilla, politikanët që janë në pushtet duhet të dinë se duhet të jenë shumë më të rezervuar në përdorimin e këtyre mekanizmave, të jenë më të durueshëm dhe më të hapur ndaj kritikave nga media.
Ajo që duhet të kuptojnë politikanët, veçanërisht ata në pushtet, është se puna e tyre, mes tjerash, është të dëgjojnë kritikat e medias dhe publikut, qofshin ato edhe të tepruara dhe tendencioze, të nxjerrin mësime dhe të bëjnë çfarëdo që është në fuqinë e tyre për të punuar më mirë dhe për të justifikuar pritjet e qytetarëve që ua kanë dhënë besimin e tyre në zgjedhje.
Kështu është kjo në një demokraci të vërtetë.
Mirëpo, pushteti, edhe në një demokraci, di t’i dehë politikanët. Kujtojmë kohëra tjera, disa vite më parë, kur humbëm demokracinë dhe u bëmë shtet i robëruar dhe regjim hibrid, kur pushteti i dehur kontrollonte pothuajse të gjitha mediat dhe etiketonte, nxinte, sulmonte dhe bile burgoste ata që e kritikonin.
E dimë gjithashtu se si përfundoi ky tregim – me disfatën e pushtetit autoritar dhe fitoren e demokracisë. Sepse, kështu përfundon çdo pushtet, i cili i harron këto postulate dhe hyn në betejë me median dhe publikun.
Tash e disa vite, pas rënies së regjimit të Gruevskit, vendi po shënon përparim në të gjitha indekset relevante botërore për matjen e lirisë së mediave. Do të ishte një dëm i madh për të gjithë ne, nëse këto arritje cenohen nga veprimet e pamatura të politikanëve. I gjithë opinioni, veçanërisht nga qeveria, pret vazhdim të përparimit, e jo kthim prapa në këtë fushë!