Takimi i Tiranës në media: Midis normalitetit dhe paternalizmit

Shkruan: SEFER TAHIRI

Nuk është asgjë e re mënyra e raportimit të mediave dhe narrativët e përdorur mbi takimin e liderëve të partive politike shqiptare me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në një pjesë të mediave maqedonase, pati tentim, ndonëse jo fort të suksesshëm, që ky takim të prezantohet në funksion të mbarëvajtjes së proceseve politike eurointegruese, e jo aq të komentohet si takim me synime shqiptaromëdha, siç ka ndodhur shpesh në kaluarën.

Ka ndodhur shpesh që çështjet e ndjeshme me konotacione etnike të mediatizohen më shumë se sa potenciali objektiv informativ në kuptimin e aktualitetit dhe tërheqjes për publikun, por edhe të përdoren për defokusim të vëmendjes së opinionit publik nga ndonjë çështje e caktuar thelbësore publike.

Në rastin konkret, takimet e Tiranës përdoren më shumë për qërim hesapesh mes partive politike maqedonase, LSDM dhe VMRO- DPMNE lidhur me raportin e tyre ndaj partive politike të shqiptarëve.

Sfondi historik i takimit të Tiranës

Para takimit në Tiranë në 14 janar të vitit 2023, në të cilin morën pjesë të gjithë liderët e partive shqiptare me përjashtim të liderit të Lëvizjes BESA Bilall Kasami, një i ngjashëm është mbajtur më para 6 vitesh, më 7 janar të vitit 2017, para formimit të Qeverisë së Maqedonisë në krye me Zoran Zaevin.

Takimi atëherë pati ngjallur reagime të shumta, sidomos në opinionin publik maqedonas, ndërsa partia e atëhershme në pushtet, VMRO DPMNE, në krye me ish kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili sot jeton në Budapest të Hungarisë në azil politik, së bashku me disa organizata joqeveritare etno-nacionaliste, tentonte ta interpretojë si takim që synon federalizimin e vendit, përkatësisht dezintegrimin e brendshëm shtetëror të Maqedonisë së Veriut. Në shumë qytete, kundër ‘Platformës së Tiranës’ u organizuan protesta me moton “Për Maqedoni të përbashkët”.

Kjo, pasi në Tiranë u firmos Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, në hyrje të së cilës thuhej “Partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike”.

Mediat maqedonase citonin Gruevskin, i cili ishte kundërshtues i madh i këtij dokumenti në tentim për të pamundësuar formimin e qeverisë nga ish kryeministri Zaev. “Ky dokument shpie drejt federalizimit të vendit, kjo platformë nuk është prej sot, ajo është prej më herët, por tani gjetën njeri, i cili dëshiron ti fsheh krimet dhe do të pranojë çfarëdo platforme, që të vijë në pushtet. Ndërrimi i emrit dhe shteti binacional e federalizimi janë ato që janë vërtetuar në platformë dhe kjo është ajo që dëshiron ta bëjë LSDM-ja”, citohej Gruevski.

Ndërsa në mediat shqiptare, Deklarata politike shqiptare shihej si dokument që ngërthen në vete programet që ndër vite kanë hartuar dhe promovuar partitë shqiptare, që nga PPD-ja deri më sot dhe si dokument që nuk ka asnjë synim për shkatërrimin e shtetit, siç pretendonte e djathta maqedonase. Nuk mohohej në asnjë moment se kjo deklaratë është arritur me ndihmën e Tiranës, por edhe Prishtinës.

Qasjet në raportim mbi takimin e Tiranës

Në mediat në gjuhën maqedonase, pavarësisht faktit që këtë takim e komentonin si paternalizëm nga Tirana, nëse analizohen titujt sipas agregatorit time.mk, raportimi ishte me tone objektive dhe korrekte, ndërsa fokusi vendosej tek deklaratat “protokollare”, sipas të cilave “Takimi ishte për fillim të mbarë të vitit dhe se ka qenë në frymën evropiane dhe se është biseduar për të ardhmen evropiane të dy vendeve”.

mediat në gjuhën shqipe ka dominuar narrativi se takimi ishte në funksion të integrimit të dy vendeve në BE. Mediat shqipe përcillnin deklaratat e Ahmetit se takimi ka pasur për qëllim që të parandalohet migrimi i qytetarëve nga dy vendet dhe se “Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni”, por nuk ka munguar edhe transmetimi i deklaratave të liderit të ASH-së, Arben Taravari, të liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe atij të Alternativës, Afrim Gashi.

Hapësirë e konsiderueshme i është dhënë edhe qëndrimit të liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili refuzoi takimin, me arsyetimin se nuk mund të ulet në një tavolinë me Ali Ahmetin.

Interpretimi mediatik mbi takimin joformal politik të Tiranës

Televizioni ALSAT në datën 14 janar 2023 bëri vështrim mbi jetësimin e dokumentit të hartuar në janar të vitit 2017, i cili u kopjua nga shumë media, siç ndodh shpesh, pa cekur ALSAT-in si burim. Sipas këtij televizioni, dokumenti rezulton i parealizuar në shumë pika.

“Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, e nënshkruar në Tiranë në dhjetor të vitit 2016 vazhdon të mbetet e parealizuar. Madje, këtë deklaratë s’mund ta gjesh as edhe në uebfaqet e partive shqiptare të cilat u zotuan se do ta zbatonin atë. Nga pikat që përmban Deklarata, mund të thuhet se vetëm paragrafi i dytë i pikës së parë është realizuar përgjysmë, në të cilin kërkohet që gjuha shqipe në Kushtetutë të jetë zyrtare. Por Kushtetuta ende i referohet gjuhës shqipe si 20 %”., thuhet në kronikën e ALSAT-it.

Portali Zhurnal publikoi analizën e Institutit për Politika Publike “Arbën Xhaferri”, që funksionon në kuadër të Aleancës për Shqiptarët, sipas së cilës gjashtë vite nga nënshkrimi i saj, janë zbatuar vetëm 4 nga 18 zotimet e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, apo vetëm 22% prej tyre:

  • Krijimi i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve;
  • Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, rekomandimet e Pribesë, rekomandimet urgjente të Komisionit Evropian si dhe rekomandimet nga Dialogu i lartë me BE-në.
  • Krijimi i institucioneve qendrore për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, që erdhi si pasojë e miratimit të Ligjit për gjuhët.
  • Zgjidhja e çështjes së emrit përmes Marrëveshjes së Prespës.

Portali në gjuhën maqedonase Skopje1, duke e trajtuar takimin në Tiranë, citonte një status në Fejsbuk të ekspertit dhe ish ministrit të Financave, Xhevdet Hajredini, i cili u shpreh se “Nuk ka nevojë në takimin me Ramën temë kyçe të jetë ndryshimi i kushtetutës, sepse nuk ka asnjë shqiptar i cili është kundër eurointegrimit. Kundër eurointegrimit janë shqiptarët të cilët 20 vjet e shfrytëzojnë pushtetin që ta vjedhin pasurinë e popullit. Deri kur me takime të tilla me Ramën, do shitet patriotizëm i rremë, njësoj si me Ligjin për gjuhët, i cili, sipas Komisionit të Venecias, është i pazbatueshëm dhe kundër kushtetutës”.

TV ALFA, në kronikën mbi këtë temë theksonte se “Sipas disa njohësve, takimi në Tiranë  është për fotografim dhe për ngritjen e rejtingut të Ramës dhe Ahmetit, të cilët prezantohen si liderë të shqiptarëve në rajon”. Ky televizion citon pronarin e portalit Lajm, Fejzi Hajdari, i cili ka thënë se takimi paraqet tentim për shpëtimin e Ali Ahmetit. Më pas gazetari i Alfës shton se kjo gjë ka ndodhur para gjashtë viteve me Platformën e Tiranës, e cila ishte kusht për hyrjen e integristëve në qeveri dhe tani është thuajse e përmbushur.

Në median Slloboden peçat, gazetari me përvojë shumëvjeçare, Lubisha Nikollovski publikoi komentin e tij me titull “Partitë e shqiptarëve në Maqedoni me mendje në Tiranë, me shpirt në Prishtinë“. Në koment thuhet “Tridhjetë vite pas shkatërrimit të Jugosllavisë, shqiptarët e Maqedonisë assesi të çlirohen nga nevoja për paternalizëm, ndërsa jo çdoherë janë të sigurt se cili është atdheu i tyre i vërtetë, Shqipëria ose Kosova dhe sipas cilit paternalizëm të sillen. Këtë dilemë edhe më shumë e nxisin partitë politike, të cilat edhe pse janë mjaftueshëm mirë të etabluara në jetën politike në Maqedoni, kolektivisht vrapojnë pas këshillave në takime në Tiranë, ndërsa, secilës veç e veç, kërthiza politikisht i gjendet në Prishtinë”.

Përfundime

Në mediat e vendit maqedonase, shpeshherë takimeve të partive shqiptare me liderët politikë dhe shtetërorë të Prishtinës dhe Tiranës, në dimensionin komentues u jepen konotacione etno-nacionaliste, duke i vënë në kontekst të krijimit të politikës gjithëshqiptare në Ballkan, e cila sipas tonit gazetaresk dekada me radhë është në dëm të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ka ndodhur edhe duke komentuar takimin e Ramës me liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilin e bojkotoi Kasami. Ka dominuar qasja se takimi është në frymën paternaliste që ka Tirana mbi politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe se shteti shqiptar është tutori mbi spektrin që përfaqëson këtë politikë.

Por, në nivelin e raportimit, si në mediat maqedonase, po ashtu edhe ato në gjuhën shqipe, ka mbizotëruar qasja objektive dhe korrekte, ndërsa në disa media shqipe nuk kanë munguar tonet kritike mbi rezultatet e takimit, i vlerësuar si ngjarje vetëm se për të bërë PR (marrëdhënie me publikun), si nga Rama, ashtu edhe nga liderët e partive shqiptare në RMV.

Natyrisht se jehona e takimit të Tiranës në janar të vitit 2023, as për së afërmi nuk është si ajo e takimit të vitit 2017, kur vendosej mbi formimin e qeverisë së re të vendit, ndërsa takimi komentohej nën prizmin e skenarëve që gjoja kishin për qëllim shkatërrimin e Maqedonisë së Veriut si shtet, edhe pse më vonë, nga viti 2017 deri më vitin 2023, u dëshmua se faktori politik shqiptar në vend i ka kontribuar shumë konstruktivisht stabilitetit politik të vendit.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut