Më 23.01.2023, Viktor Stojanov, kryetar i Fondacionit “Maqedonia”, në Fejsbuk botoi se presidenti Pendarovski paska deklaruar se “njerëzit nga Bullgaria nuk duhej të lejoheshin të kalojnë kufirin që të shkojnë për të bërë homazh te varri i Goce Dellçevit”.

Më 24.01.2023, disa portale e transmetuan Fejsbuk statusin e Stojanovit për deklaratën e pretenduar të Pendarovskit, pa kontrolluar nëse ai vërtet ka bërë një deklaratë të tillë.

Mirëpo, portalet tjera, si “Republika”, theksuan se “në deklaratë Pendarovski nuk thotë se këtyre personave do t’u ndalohet hyrja, siç shkruan Stojanov”.

Në shkrimin: “Provokime të reja: Bullgari Stojanov nga fondacioni “Maqedonia” i “futi fjalë në gojë” presidentit Pendarovski”, “Slloboden Peçat” e transmeton FB statusin, por vë në dukje se “përkundër pretendimeve të Stojanovit, presidenti Pendarovski në asnjë pjesë të deklaratës pas seancës së Këshillit të Sigurimit, nuk tha se bullgarëve nuk do t’u lejohet të shkojnë në varrin e Dellçevit…”.

Nuk është hera e parë që Stojanov përhap dezinformata që nxisin tensione ndëretnike. Për shembull, në një deklaratë të publikuar në Radio Bllagoevgrad, ai pohoi se dy varreza ushtarake bullgare pranë Kavadarit janë shkatërruar në vitet 2018-2019. Kjo dezinformatë u përgënjeshtrua në emisionin “Këmbët e shkurtra” në vitin 2021.

Mediat duhet të kenë kujdes kur transmetojnë deklarata nga burime jo të besueshme. Detyrë e tyre është edhe të kontrollojnë besueshmërinë e deklaratave të cituara nga persona të tjerë. Përndryshe, ato mund të bëhen lehtësisht burime dezinformimi.