Poligraf: Dezinformatë është pretendimi se Perëndimi filloi agresionin kundër Rusisë

Zbulojmë edhe një dezinformatë të Ambasadës Ruse, e cila më 27.01.2023 botoi një deklaratë të presidentes së Këshillit të Federatës, Valentina Matvienko.

Ja çfarë thotë Matvienko në deklaratën sipas Ambasadës Ruse:  “…Vendi do të përballet me agresionin e nisur kundër tij nga Perëndimi, sepse drejtësia morale historike është në anën tonë”.

Mirëpo,  pretendimi i Matvienkos se Perëndimi ka nisur agresionin kundër Rusisë është dezinformatë. As Ukraina, e as Perëndimi nuk kryen agresion kundër Rusisë. Përkundrazi, Rusia kreu agresion dhe pushtim të territoreve të Ukrainës. Ky agresion në vitin 2022 u dënua edhe me Rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u mbështet nga 141 vende.

Kjo është edhe një dëshmi se Rusia nuk vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, invazioni mbi Ukrainën shkel të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe nuk mund të justifikohet si një akt vetëmbrojtjeje apo si një ndërhyrje humanitare.

Prandaj, pretendimi se Rusia po përballet me agresion nga Perëndimi paraqet edhe një dezinformatë propagandistike të agresorit, i cili aktron viktimën.