Poligraf: Kush publikoi informacione të pabazuara për gjatësinë e rrugëve të reja të ndërtuara?

Më 22.01.2023, kryeministri Dimitar Kovaçevski publikoi një postim në Tuiter ku shkruan: “Ndërtuam 1300 km rrugë të reja në 5 vitet e fundit”. Edhe videoja në këtë tuit përmban pretendimin “1300 KM rrugë të reja të ndërtuara në 5 vitet e fundit”.

Mirëpo, ky pretendim nuk e kalon kontrollin e fakteve. Pretendohet se janë ndërtuar 1300 km. rrugë të reja, por disa prej tyre nuk janë të reja, por të rikonstruktuara apo të rehabilituara. Gjithashtu, pretendohet se rrugët tashmë janë ndërtuar, por disa prej tyre nuk janë ndërtuar përfundimisht dhe nuk janë lëshuar në përdorim, siç bënë me dije disa media.

Për shembull, Radio Evropa e Lirë, më 27.01.2023, botoi tekstin me titull: “Nga 1300 kilometra, Kovaçevski mund të lavdërohet me 13 kilometra rrugë të reja”, ku thuhet: “Gjatë qeverisjes së kryeministrit Kovaçevski, e re është vetëm rruga ekspres Krupisht-Koçan, ndërsa në kilometrat tjerë të rrugëve është kryer rikonstruktim.”

Mirëpo, disa media e transmetuan gabimisht analizën e Radios Evropa e Lirë duke shkruar: “Vetëm rruga ekspres Krupisht-Koçan e gjatë 13,7 kilometra është e re në 5 vitet e fundit të qeverisjes së LSDM-së, në vend të 1300 kilometrave me të cilat u lavdërua së fundi Qeveria në videon e saj, thuhet në analizën e Radios Evropa e Lirë”.

Por një gjë e tillë nuk thuhet në analizën e Radios Evropa e Lirë. Aty pohohet se “në kohën e kryeministrit Kovaçevski, e re është vetëm rruga ekspres Krupisht-Koçan”, e jo “në 5 vitet e fundit të qeverisjes së LSDM-së”, siç transmetuan gabimisht mediat.

Edhe kryeministri, por edhe mediat që transmetuan gabimisht analizën e Radios Evropa e Lirë, botuan informacione të pabaza për gjatësinë e rrugëve të reja të ndërtuara. Por publiku ka të drejtë të dijë se sa rrugë të reja janë ndërtuar dhe vënë në përdorim, sa janë rikonstruktuar dhe sa janë në ndërtim e sipër. Ndaj, është detyrë e institucioneve dhe e mediave që të publikojnë informacione të sakta dhe të verifikuara dhe ta realizojnë këtë të drejtë të qytetarëve.