Poligraf: Ministri i Punëve të Brendshme, Spasovski shënjestër e sulmit dezinformues nga një profil i rrejshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ishte shënjestër e një sulmi dezinformues përmes shpërndarjes së një postimi të rrejshëm nga një llogari false me emrin e tij.

Më 03.02.2023, Milenko Nedellkovski publikoi një postim në Facebook, me skrinshot nga profili i rremë me fotografinë e ministrit dhe emrin “Oliver Spasovski”, shoqëruar me koment të pahijshëm me gjuhë të urrejtjes. Në skrinshot pretendohet se qeveria do të diskutojë ndryshimet në Kodin Penal në lidhje me gjuhën e urrejtjes “ndaj qytetarëve që ndjehen si Verio-maqedonas dhe që veç më kanë pranuar identitetin e ri kombëtar, të ndryshëm nga ai maqedonas”.

Mirëpo, nuk është e vërtetë se qeveria paska përgatitur debat të tillë për Kodin Penal. Edhe pretendimi se ka qytetarë që deklarohen si “Verio-maqedonas” është manipulim, sepse në regjistrimin e popullsisë në vitin 2021 nuk ka pasur fare kategori “Verio-maqedonas”.

Edhe Vërtetmatësi, në artikullin “Tuit nga profili i rremë i paraqitur sikurse vjen nga ministri Oliver Spasovski”, vëren: “Nga komentet nën postimin, shihet qartë se disa nga përdoruesit e rrjetit social Facebook kanë besuar se bëhet fjalë për një prononcim zyrtar të ministrit dhe drejtojnë sharje, fyerje dhe akuza për tradhti.”

Kjo dezinformatë, e shoqëruar me gjuhë të urrejtjes, u përhap në rrjetet sociale. Në këtë rast, viktimë ishte ministri Spasovski, emri dhe imazhi i të cilit u keqpërdorën për përhapje të gënjeshtrave. Mirëpo, viktima ishin edhe më shumë qytetarë në rrjetet sociale që u besuan përhapësve të dezinformatave, të cilët kërkonin të nxisin përçarje dhe jotolerancë.