Saraçini: Nëse organet gjyqësore nuk i zbatojnë, ndryshimet ligjore për mbrojtje të gazetarëve prej sulmeve do të kenë efekt të dobët  

Me ndryshimet e Kodit Penal të miratuara në Kuvend, sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Petrit Saraçini, nga Instituti për Media dhe Analitikë IMA për Televizionin Alsat thotë se ishte koha që më në fund të bëheshin këto ndryshime, të cilat për vite janë zvarritur nëpër procedura parlamentare.

Sipas tij, në vend mbizotëron një kulturë e pandëshkueshmërisë. Vallë do të ndryshojë kjo në të ardhmen, do të varet se sa të gatshme do të jenë institucionet që të zbatojnë këto ndryshime të Kodin Penal.

“Shpresojmë se kjo do të bëjë një ndryshim edhe tek klasat politike, të cilat janë kryesisht ato të cilat nxisin apo të cilat madje edhe organizojnë sulme ndaj gazetarëve. Ne kemi disa raste kohën e fundit edhe nga përfaqësues të opozitës, por edhe nga ato të pushtetit që kanë bërë fyerje ndaj gazetarëve, kërcënime e kështu me radhë”, theksoi Saraçini.

Ai ceku se gazetarët nuk duhet të trajtohen sikur janë mbi ligjin. Mirëpo, nuk mund të presim demokraci të mirëfilltë nëse zëri i opinionit ngulfatet apo nëse liria e mediave shtypet.

“Në fund të ditës, shumë prej efektit të këtyre ndryshimeve ligjore do të varet prej asaj se si do të sillen ndaj ndryshimeve ligjore dhe si do të sillen ndaj ligjit organet gjyqësore, apo prokuroria dhe gjyqi. Nëse ata nuk e zbatojnë ligjin, nëse përsëri kemi një zbatim selektiv të ligjit, atëherë edhe këto ndryshime ligjore do të kenë një efekt të dobët”, vlerësoi Saraçini në deklaratën për TV Alsat.