Bankat e zbrazura të studimeve të gazetarisë

Nëse dikur regjistroheshin 30 të rinj që studionin gazetari, sot ky numër nuk kalon gishtat e dorës. Interesimi për të studiuar gazetarinë, por edhe komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun është ulur në masë të madhe. Kjo, si pasojë e statusit që kanë gazetarët në media dhe shoqëri, por edhe për shkak të mosafirmimit të duhur të programeve studimore mbi fushën e medias nga vetë universitetet.

Shkruan: ARTA TAHIRI

Në universitetet publike dhe private dikur kërkohej një vend më tepër për të studiuar gazetarinë, komunikimin ose marrëdhëniet me publikun. Numri i studentëve në programet studimore që kanë të bëjnë me fushën e medias tejkalonte 20, madje mbërrinte deri në 30 e më tepër.

Kjo për faktin, se dikur, gazetaria ishte profesion i famshëm, i respektuar nga publiku, me dinjitet dhe integritet, ndonëse jo me paga të mira mujore, që silleshin rreth mesatares që ekzistonte në vend!

Mbase kjo është temë e veçantë, së cilës duhet rrekur, por këtu vetëm do themi se ky profesion është ndër të rrallët, tek të cilët pasioni vjen në shprehje para pagës. Pa pasion, ky profesion shndërrohet në punë, ndërsa gazetaria nuk është vetëm punë. Është edhe mision, më shumë i bie të jetë mision.

Dikur ishte krenari të deklarosh se je gazetar, sot kur themi se jemi gazetar, një pjesë e njerëzve sikur na shikojnë befasishëm, meqë ky profesion, falë disave që në gazetari kanë hyrë krejt “aksidentalisht”, vetëm me qëllimin për të bërë lekë (para), është degraduar tej mase.

Ndikimi i madh ndaj publikut i portaleve që prodhojnë shumë dezinformata dhe lajme rozë, të cilat ulin besueshmërinë ndaj mediave, mosamortizimi dhe mosgjetja e formulës institucionale për të evituar ndikimin e madh të politikës (partive) ndaj politikës editoriale të mediave, qoftë shtetërore (publike nuk kemi fatkeqësisht) ose private, sidomos gjatë periudhës 2010 – 2017 – përkatësisht pas mbylljes së TV A1, pagat e ulëta dhe kushtet e punës në sektorin mediatik, kanë ndikuar që tek të rinjtë të ulet interesimi për të studiuar gazetari.

Në Universitetin e Shkupit, në të cilin programi studimor i gazetarisë funksionon me dekada, mezi regjistrohen 5 studentë. Po aq, ndoshta edhe më pak në regjistrohen në Universitetin e Tetovës, atë të Evropës Juglindore dhe “Nënë Tereza”, ndërsa në Universitetin e Shtipit, katedra e gazetarisë tashmë është mbyllur.

Ky duhet të jetë një alarm i madh për mediat, për drejtuesit e tyre, sepse me këtë ritëm të prodhimit të kuadrove, mediat, fare mirë, shumë shpejt, mund të mbeten pa njerëz profesionistë, sepse gjithmonë mund të merren njerëz, që nuk kanë lidhje me këtë profesion dhe të cilën mund edhe të punojnë në gazetari, por gazetarë kurrë nuk bëhen dot.

Edhe sot, ka mungesë të gazetarëve cilësorë, që do të thotë se nëse një gazetar i ri tregon cilësi dhe aftësi profesionale, shumë shpejt gjen vend pune me pagë solide!

Andaj, që të ketë rrugëzgjidhje, nevojitet bashkëpunim më i madh mes dy palëve, të cilat janë komplementare me njëra tjetrën, mediave dhe universiteteve. Ja disa ide dhe propozime:

  • Nevojitet promovim më i madh i studimeve të gazetarisë në media, sidomos në emisionet e të rinjve, por edhe në përmbajtje tjera.
  • Universitetet të angazhojnë gazetarë dhe redaktorë me përvojë të dëshmuar, të cilët studentëve do tu shpjegojnë praktikën e gazetarisë.
  • Universitetet publike, në emër të interesit publik, të ofrojnë studime falas për gazetari, ndërsa për të shkëlqyeshmit të ofrojnë bursa njëvjeçare.
  • Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë të ofrojë 50 për qind të mbulimit të studimeve në fushën e komunikimit, ndërsa për të shkëlqyeshmit të mbulojë shkollimin 100 për qind.
  • Universitetet të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me mediat, me anë të së cilave gazetat, radiot, televizionet ose portalet do të marrin detyrim punësimin e studentëve më të mirë në fushën e gazetarisë, komunikimit ose marrëdhënieve me publikun.
  • Mediat të ofrojnë mundësi që studentët e vitit të fundit të bëjnë praktikën tremujore.
  • Të zhvillohet debat i gjerë publik mbi studimet në fushën e gazetarisë, programet studimore, shkathtësitë praktike që i fitojnë studentët e tema të ngjashme.

T’i afirmojmë studimet mbi gazetarinë është domosdoshmëri e kohës, sepse mediat pa gazetarë do shndërrohet në mjete të komunikimit manipulues me publikun masiv!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut