Poligraf: Kush dezinformonte se tërmeti në Turqi dhe Siri është shkaktuar nga një armë tektonike?

Pas tërmetit katastrofik në Turqi dhe Siri, në portale dhe rrjete sociale u përhapën teori të shumta konspirative dhe dezinformata.

Për shembull, më 07.02.2023, DUBAI-PORTAL.COM.MK publikoi artikullin “Armë tektonike kundër Turqisë: A mund të jetë artificial tërmeti?”, i cili u shpërnda në rrjetet sociale dhe përmban hipoteza dhe konspiracione të shumta për përdorimin e të ashtuquajturave armë tektonike.

Artikulli është përkthim i një teksti të publikuar nga portali rus Reporter, i cili është përgënjeshtruar nga EUvsDisinfo si një teori konspiracioni dhe dezinformatë.

EUvsDisinfo bën me dije se nuk ka prova për pretendimin se tërmeti në Turqi është komplot i Perëndimit për të ndëshkuar Turqinë, e as dëshmi për ekzistencën e armëve sizmike. Por, ka shumë prova se Rusia po përdor teori të konspiracionit në luftën informative me sulme dezinformuese.

Për shembull, teori të konspiracionit për përdorimin e mundshëm të armëve tektonike në Turqi përhapte edhe botimi i njohur propagandistik i Kremlinit “Argumente dhe Fakte”.

Artikuj për armë tektonike u shpërndanë në rrjetet sociale edhe nga portali serb prorus Vaseljenska, i cili pretendon se “gazetarja iraniane Hajala Muazin është e sigurt se kundër Turqisë janë përdorur armë tektonike”. Megjithatë, nuk ka gazetare Hajala Muazin, por gazetar Hajal Muazin, i cili në një kanal rus në Telegram ka përhapur dezinformata për armët tektonike.

Edhe Vërtetmatësi, në artikullin “Tërmetet në Turqi dhe Siri nuk janë shkaktuar nga ‘armët për tërmete'”, ekspozon dezinformatat në rrjetet sociale për “armët për tërmete” si pjesë e “një serie pretendimesh të pavërteta që synojnë të bëjnë insinuata të pabaza se faktori njerëzor dhe Perëndimi politik, “kanë shkaktuar tërmetin”.

Më herët, Vërtetmatësi e ekspozoi edhe dezinformatën se përgjegjës për tërmetet është sistemi HAARP

Ekspertët e Këshillit Atlantik, që në 06.02.2023, paralajmëruan se po rritet numri i postimeve në rrjetet sociale që përhapin teori konspiracioni për natyrën e mundshme artificiale të kësaj katastrofe. Sipas tyre, bëhet fjale për një përpjekje keqdashëse për të ndikuar në opinionin publik për tragjedinë, me qëllim për të dobësuar Turqinë pas rritjes së tensioneve me aleatët e saj perëndimorë.

Të gjitha këto argumente tregojnë se propagandistët rusë dhe të tjerë kanë keqpërdorur tragjedinë në Turqi dhe Siri për të drejtuar një fushatë dezinformimi kundër Perëndimit dhe Turqisë si pjesë e NATO-s. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos u nënshtrohen teorive të tilla konspirative që u shiten si informacione në rrjetet sociale dhe në portale.