SHGM, SPGPM dhe KEMM: Për narrativin publik që stimulon urrejtje dhe agresion duhet të ketë përgjegjësi

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM) e dënuan fjalimin që nxit dhunë dhe stimulon diskriminim gjinor, që u shfaq në intervistën e Stefan Llazarov me Dragan Pavlloviq Llatasin në kanal të platformës sociale “YouTube”.

“Theksojmë se liria e fjalës nënkupton përgjegjësi dhe ndërgjegjësim të lartë për parimet dhe liritë demokratike, të drejtat dhe detyrimet në një shoqëri të hapur. Kur liria e fjalës shndërrohet në apo nxit akte kriminale ose çfarëdo lloj shkeljeje të të drejtave civile dhe të njeriut, atëherë ajo nuk është liri por agresion dhe kështu duhet trajtuar”, thuhet në kumtesën e organizatave mediatike.

Në kumtesë theksohet se organizatat profesionale të gazetarisë nuk do ta pranojnë kurrë këtë mënyrë komunikimi në hapësirën publike. Pavarësisht se personat në këtë rast nuk kanë qenë dhe nuk janë anëtarë të këtyre organizatave, ato ndjejnë nevojën të paralajmërojnë se ky komunikim mund të lërë pasoja të rënda tek publiku, sidomos tek publike me moshë të re. Gjuha e urrejtjes, si dhe ajo që nxit dhunën dhe krijon paragjykime, nuk është dhe nuk duhet të jetë normale në komunikimin publik, vlerësojnë organizatat mediatike.

Sipas tyre, në situata të tilla, është e nevojshme që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të demonstruar se mosndëshkimi në rast të keqpërdorimit të rëndë të fjalës publike në hapësirën e internetit nuk tolerohet. Prandaj SHGM, Sindikata e gazetarëve dhe KEMM e përshëndesin reagimin e shpejtë dhe transparent të MPB-së dhe Prokurorisë dhe presim që sa më shpejt të ketë një procedurë gjyqësore, e cila do të demonstrojë se ky lloj keqpërdorimi i nënshtrohet sanksioneve.

“Përveç kësaj, theksojmë se përgjegjësinë se kush dhe çfarë përmbajtje krijon për publikun e kanë edhe kompanitë që promovojnë produktet e tyre në platforma të tilla, nëpërmjet reklamave me pagesë. Reklamuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë një përgjegjësi shoqërore dhe se mbështetja me vetëdije e një përmbajtjeje të tillë i bën ata bashkëpunëtorë në promovimin e vlerave të shtrembëruara dhe në shkeljen e të drejtave njerëzore. Prandaj është e nevojshme që ata të distancohen publikisht nga ky lloj narrativi publik, të rishqyrtojnë bashkëpunimin e tyre dhe në të ardhmen të kenë kujdes se ku vendosin reklamat#, thuhet në kumtesë.