Poligraf: Kush përhapi dezinformata për vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg?

Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg pas ankesave të disa personave, të cilëve u ishte anuluar abolicioni i dhënë nga presidenti i mëparshëm Gjorge Ivanov, u shfrytëzua edhe për përhapje të dezinformatave.

Një ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës, më 15.02.2023, portali “Ohrid Sky” publikoi titullin sensacionalist “Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut vendosi në favor të 54 personave, mes të cilëve edhe Nikolla Gruevski”. Në artikull pretendohet: “Sipas informacioneve që i ka Ohridskaj, të gjithë të akuzuarit që tashmë janë dënuar në Republikën e Maqedonisë, përfshirë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski”, sipas Gjykatës së Strasburgut, “do të jenë qytetarë të lirë”.

Megjithatë, që të nesërmen u konfirmua se pretendimet e Ohridskaj ishin dezinformata. Gjykata në Strasburg më 16.02.2023 njoftoi se aplikacionet në rastin Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut janë të papranueshme, sepse aplikantët “nuk kanë shterur mjetet juridike vendase”.

Prandaj, është i pavërtetë edhe pohimi i Ohridskaj, se pas vendimit të Gjykatës në Strasburg, “të gjithë personat e dënuar duhet të marrin edhe kompensim në të holla nga RMV”.

Në këtë rast, është shkelur Kodi i Gazetarëve për shkak të publikimit të informacioneve sensacionaliste dhe krejtësisht të pavërteta për vendimin e gjykatës.

Ky është edhe një shembull se qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të mos bien nën ndikimin e artikujve sensacionalist dhe të pasaktë, të cilët paragjykojnë vendimet e gjykatave.