Si një pjesë e mediave e kthyen disa herë Gruevskin me “kal të bardhë” në Shkup?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Mediat në Maqedoninë e Veriut shpeshherë raportojnë në bazë të politikës editoriale, e cila është e lidhur me interesa të ndryshme: politike, biznesore, klanore dhe personale. Kështu ka ndodhur edhe lidhur me raportimin mbi kthimin e mundshëm në Shkup të ish kryeministrit Gruevski, i arratisur në Budapest.

Një pjesë e mediave, nisur nga dëshira dhe vullneti politik që manifestojnë në përmbajtjet e tyre informative, kanë raportuar se Gruevski do të kthehet, një pjesë kanë spekuluar për tu bërë interesante për publikun, ndërsa një pjesë për shkak të mosnjohjes së koncepteve juridike – penale.

Po të shohim, sa herë mediat e kanë kthyer Gruevskin në Maqedoninë e Veriut?

Pas arratisjes së ish – kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski nga Shkupi dhe marrjes së statusit të azilantit politik në Hungari në nëntor të vitit 2019, që iu mundësua nga pushteti jo fort demokratik i Viktor Orbanit, përkatësisht nga Zyra e Emigracionit dhe Azilit në Hungari, mediat e vendit të paktën tre herë kanë spekuluar mbi kthimin e mundshëm të tij në Shkup.

Gruevski është i dënuar me 12 vite burg për disa vepra penale, të kryera nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur ka qenë kryeministër. Ai në Budapest u arratis përmes Shqipërisë, ndërsa ky veprim i tij ndodhi pas akuzës për korrupsion për veprën “Blerja e Mercedesit prej 600 mije euro“, për të cilën u dënua me 2 vite burg.

Paraprakisht, deri sa ishte në pushtet, Gruevski bëri disa beteja politike me opozitën e ish liderit socialdemokrat, Zoran Zaev. Ish kryeministri që ka drejtuar VMRO DPMNE – në nga viti 2003, e që drejtoi Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 u dorëhoq nga pozita e kryeministrit në janar të vitit 2016, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si rezultat i presionit të opozitës së atëhershme, e drejtuar nga ish kryeministri Zoran Zaev, i cili publikoi bomba për pushtetin e atëhershëm.

Pas arratisjes në Hungari, më 1 qershor të vitit 2019 Gruevski dha dorëheqje edhe nga posti i deputetit, ndërsa në arsyetimin e saj theksonte se këtë veprim e bën me qëllim “që të mos lejojë që VMRO-DPMNE dhe deputetët e tij për shkak të tij dhe mandatit të tij, të kenë trysni politike dhe se nuk dëshiron që t’i japë mundësi LSDM-së t’u ikë problemeve që kaplojnë qytetarët dhe të fshihet pas politikave kriminale”.

“Kthimi” i parë: Ngatërrohet heqja e paraburgimit me lirimin nga burgu

Një pjesë e mediave, më 30 maj të vitit 2019, raportonin në mënyrë jooobjektive dhe të papërgjegjshme lidhur me një vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup, duke njoftuar madje kthimin e mundshëm të Gruevskit. Në fakt, një pjesë e mediave kanë raportuar se kjo instancë gjyqësore ka miratuar vendim për heqjen e dënimit me burg për ish – kryeministrin, i shqiptuar për rastin “TNT” përkatësisht për rrënimin e godinës ndërtimore “Kosmos”, pronë e ish deputetit Fiat Canovski, i cili ishte në krushqi me Velija Ramkovskin, pronarin e Televizionit A1, i mbyllur më 8 janar të vitit 2011 nga pushteti i Gruevskit.

Vendimin e paqenë për Gruevskin, disa media e kanë interpretuar si heqje e dënimit me burg, që njëherësh do t’i krijonte mundësinë teorike për kthimin e tij në Maqedoninë e Veriut. Pra, një pjesë e mediave në gjuhën shqipe, pa verifikuar faktet, heqjen e paraburgimit, duke qenë Gruevski jashtë vendit, e kanë barazuar me heqjen e dënimit me burg, që janë dy koncepte krejtësisht të ndryshme juridiko – penale.

Në fakt, disa media tjera kanë shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë. Për shembull, Portalb në raportin me titull “Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim të ri për Gruevskin, që të mos arratiset në të ardhmen“, shpjegonte se pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ish kryeministrit t’i shfuqizohet paraburgimi për rastin gjyqësor “TNT”, Prokuroria Speciale, përmes prokurorit Burim Rustemi, kishte kërkuar nga Këshilli i Gjykatës Penale që të akuzuarit t’i shqiptohet sërish masa e paraburgimit. “Pasi ai njëherë është arratisur, ekziston rrezik që ta bëjë të njëjtën edhe në të ardhmen”, kishte deklaruar prokurori Rustemi.

Edhe mediat në gjuhën maqedonase raportonin se Prokuroria Speciale kërkonte paraburgim të ri, pasi ekzistonte rrezik që Gruevski sërish të arratisej, edhe pse ai veç më gjendej në Budapest, që vetvetiu, pa ndonjë interpretim shtesë apo analizë, tregon paradoksin dhe joefikasitetin e sistemit gjyqësor.

Dezinformim i dytë mbi kthimin e Gruevskit

Pasi një pjesë e mediave, në vitin 2019  e “kthyen” Gruevskin në vend, duke dezinformuar në mënyrë drastike, në dhjetor të vitit 2020 për herë të dytë vendosën ta kthejnë ish – kryeministrin në Shkup, ndërkohë që ai bën jetën e tij në Budapest.

Siç ka evidentuar agregatori i lajmeve Fax.al, një pjesë e madhe e mediave raportonin me titullin “A po kthehet Gruevski në Maqedoni“? Mediat, duke iu referuar portalit të të gazetës së përditshme Lajm, e cila thirrej në burime të VMRO DPMNE-së, raportonin se “Pas dy viteve të plota si azilant në Hungari, Gruevski ka vendosur të kthehet në Shkup, pranë familjes së tij”. Sipas një pjese të mediave në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme nuk kishin ndonjë informacion për kthimin e Gruevskit, mirëpo nga këto dy ministri, paralajmëronin se në rast të kthimit eventual, ai do të arrestohej që në kufi.

Më tej, mediat shkruanin se “Si duket në kufi do të organizohet pritje për Gruevskin, nga ‘shoqatat patriotike vendore’, kështu që arrestimi eventual mund të jetë problematik, e ndoshta mund të përcillet edhe me incidente”. Mediat spekulonin se “Gruevski gjoja ka marrë garanci se amnistia e ish presidentit Ivanov do të pranohet nga gjykatat vendore dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë mundësi të arrestohet nga policia dhe të dërgohet në burg”.

Para vendimit të Gjykatës në Strasburg, riaktualizohen spekulimet për kthimin e Gruevskit

“E treta, e vërteta” mbase mbetet vetëm thënie, e cila nuk vlen kur është në pyetje Gruevski, meqë një pjesë e mediave, pak ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës së Strasburgut në shkurt të vitit 2023 mbi njohjen apo shfuqizimin e vendimit të ish presidentit Ivanov, dezinformonin se ish kryeministri do të kthehet.

Portali Veçer.mk raportonte me titullin “16 shkurti është dita D për abolimin e Ivanovit. A do të kthehet Gruevski?“. Portali shkruante se “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut” në Strasburg, në 16 shkurt paralajmëroi vendim për rastin e abolimit të ish presidentit Ivanov, por i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut. Lënda në Strasburg ishte evidentuar me titullin “Taleski dhe të tjerë kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Këtë nismë e kishin ngritur shtatë qytetarë nga vendi.

Portali “360 shkallë”, në analizën me titull “Edhe ikja e Gruevskit do të jetë ‘e kotë’ nëse bien lëndët e Prokurorisë Speciale për shkak të abolicionit të Ivanovit“. Ky portal shkruante se “Ish kryeministri Nikolla Gruevski do të mund të kthehet në vend, sepse thuajse të gjitha lëndët, që i hapi ish Prokuroria Publike Speciale do të bien në ujë nëse Gjykata e Strasburgut vendos në favor të disa ish zyrtarëve të mëhershëm, të cilët kanë ngritur ankesë për procedurat që zhvillohen kundër tyre, kryesisht në Gjykatën Penale në Shkup, duke u thirrur në abolimin që e shpalli ish presidenti Gjorgje Ivanov”.

Ndërkohë, portali i javores Fokus, publikoi një intervistë me kryetarin e partisë Koncepti Maqedonas, Petar Bogojevski, sipas të cilit Gruevski do të kthehet në vendkalimin kufitar Tabanoc, njësoj si Dragan Daravellski, i cili para 20 viteve u dënua me burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare si drejtor i Doganës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas Bogojevskit, “Gruevski është dëshpërues. Njeriu, i cili për të ikur nga vendi, bëri kompromis për ndryshimin e emrit. E fitoi atë amnisti. Tani si dëshpërues, që dëshiron të kthehet, padyshim, se është i gatshëm që të sigurojë 6 plus 2 deputetë për ndryshimet kushtetuese. Ai atë mund ta bëjë”. Pra, sipas Bogojevskit, ish – kryeministri do të lejohet të kthehet për të siguruar numrin e votave të deputetëve që mungojnë për tu arritur 2/3 e votave përkatësisht 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese, me të cilat komuniteti bullgar do të bëhej pjesë e Preambulës së Kushtetutës së vendit.

Ndërkohë, edhe një pjesë e portaleve në gjuhën shqipe, kanë ngritur dilemat se ish – kryeministri mund të kthehet. Portali Tetovasot, më 15 shkurt, një ditë para vendimit të Strasburgut raportoi me titullin “Gruevski do të kthehet?! A do të lirohen funksionarët e VMRO-së të akuzuar nga Specialja? Nesër vendos Gjykata e Strasburgut“.

Portali Voxnews në raportin me titull “A do të shpallen të pafajshëm Gruevski dhe të akuzuarit tjerë nga PSP-ja?!” ngriti dilemën se vallë do të vlejë apo jo vendimi i Ivanovit. Por, kjo media, nuk shpjegon se bëhet fjalë vetëm për dilemë dhe se media nuk jep konotacion se cili vendim do të miratohet.

Televizioni Klan Maqedoni, në raportin me titull ” Abolimet e Ivanovit, avokati Ardian Demiri: Gjykata e Strasburgut mund t’i lirojë të dënuarit nga rastet e PSP-së“, ofron vetëm pikëpamjen e avokatit nga Struga, duke mos ofruar pikëpamje alternative. Sipas avokatit, Gjykata e Strasburgut do t’i miratojë kërkesat e të akuzuarve dhe të njëjtët do të fitojnë lirinë. Me këtë, sipas tij, siç ka transmetuat Tv Klan Maqedoni, shteti dhe qytetarët do të paguajnë dëmshpërblim për ta.

Strasburgu me vendim përgënjeshtron pjesën më të madhe të mediave

Një pjesë e mediave, disa prej të cilave edhe kishin raportuar dhe interpretuar se do të kthehet Gruevski pas vendimit të Strasburgut, theksuan se si rezultat i vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, janë të papranueshme kërkesat e të dënuarve dhe të akuzuarve nga rastet e hapura nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), të cilat ish-presidenti Gjorge Ivanov i fali.

Edhe mediat në gjuhën maqedonase, siç evidentoi agregatori i lajmeve time.mk raportuan në mënyrë objektive dhe korrekte mbi vendimin e Gjykatës së Strasburgut, duke dhënë detaje se së pari duhet të shteren të gjitha mjetet juridike vendore, që do të thotë se çdo lëndë apo rast duhet të kalojë në Gjykatën e Apelit e më pas në atë Supreme.

Mediat si shqiptare, po ashtu edhe ato maqedonase, e transmetuan reagimin e Qeverisë dhe presidentit, të cilët e konsideruan vendimin e Gjykatës së Strasburgut si të drejtë dhe në funksion të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë.

Përfundime dhe rekomandime

Mediat me të drejtë i kanë kushtuar vëmendje të konsiderueshme arratisjes së ish – kryeministrit Gruevski dhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut për 56 persona të akuzuar për vepra të rënda penale. Por, kjo hapësirë shpesh ka qenë e përcjellë me dezinformim si pasojë e mosnjohjes së koncepteve juridike – penale, siç ishte rasti me lirimin nga paraburgimi, i cili interpretohej si shfuqizim i vendimit për burgim. Kjo në fakt e reflekton në plan të gjerë dimensionin e mosnjohjes së specializuar të fushës juridike nga një pjesë e mediave dhe gazetarëve.

Po ashtu, një pjesë e mediave kanë vepruar në kundërshtim me standardet profesionale dhe normat etike, pasi nuk kanë njoftuar publikun kur kanë spekuluar ose supozuar, siç ndodhi në tri raste rreth kthimit të Gruevskit nga Budapesti i Hungarisë në Shkup. Në Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut shkruan qartë “Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim përkatësisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet”.

Raportimi mbi vendimin e Strasburgut dhe kthimin e mundshëm të Gruevskit shpesh ka qenë i njëanshëm, pasi nuk është respektuar rregulla e artë që për një çështje, media duhet të konsultojë dhe prezantojë, së paku dy burime, të cilat janë të pavarura mes vete dhe në këtë mënyrë publiku është informuar në mënyrë jo të plotë dhe joobjektive përkatësisht joprofesionale.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut