Pa solidaritet konsistent, presionet ndaj mediave nga politika nuk do të ndalen

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Politikanët në pushtet meritojnë kritika të ashpra kur sulmojnë, cilësojnë, fyejnë apo kërcënojnë gazetarët dhe mediat. Por politikanët e opozitës meritojnë kritikë të njëjtë, kur bëjnë të njëjtën gjë!

Shembulli i tillë i fundit janë kualifikimet e liderit të opozitës VMRO-DPMNE Mickoski për gazetarë dhe media të caktuara. Fatkeqësisht, shohim se një pjesë e opinionit dhe organizatave profesionale mediatike heshtin ndaj këtyre sulmeve.

Edhe ky shembull tregon se mungon solidariteti profesional dhe konsistenca në kritikimin e presioneve ndaj mediave që vijnë nga politika.

Disa janë të zëshëm kur këto presione vijnë nga partitë në pushtet dhe heshtin për presionet e opozitës. Të tjerët bëjnë të kundërtën. Të tretit ngrihen në mbrojtje të atyre që nuk mund të quhen as gazetarë dhe kanë vite që shkatërrojnë reputacionin e gazetarisë në përgjithësi, e heshtin kur sulmohen gazetarë thjesht vetëm sepse nuk u pëlqejnë. Të katërtit, heshtin për gjithçka dhe janë mirë me të gjithë…

Me këtë qasje, nuk mund të pritet se do të ndalen presionet politike. Pa konsistencë, solidaritet dhe rezistencë ndaj presioneve pavarësisht se nga kush vijnë, hapësira për media të lira, cilësore dhe profesionale do të zvogëlohet, e do të rritet hapësira për propagandë dhe papërgjegjshmëri të politikës.

Dëmin më të madh nga kjo, natyrisht, e pësojnë qytetarët. Disa sondazhe relevante nga viti i kaluar tregojnë se ata po humbasin besimin si te politikanët, ashtu edhe te mediat. Ndoshta kjo nuk i shqetëson disa politikanë dhe media, por duhet të shqetësojë dhe t’i bëjë të reflektojnë qytetarët. Sepse, në fund të fundit, ata e paguajnë “hesapin”.