Poligraf: Kush dezinformon për numrin e deputetëve maqedonas dhe shqiptarë në Kuvend?

Kreu i partisë “Integra”, Lupço Ristovski, në paraqitjet në media ka bërë pohime të pasakta se në Kuvend ka 100 deputetë maqedonas dhe 20 deputetë shqiptarë. Ja çfarë tha ai më 28.02.2023 në emisionin “Vetëm e vërteta”. “Njëqind deputetë janë maqedonas, njëzet janë të bashkësisë etnike shqiptare, plus minus, le të themi, gabim statistikor…”, deklaroi Ristovski

Këto pretendime të pasakta Ristovski i ka bërë edhe më 01.02.2023 si i ftuar në emisionin “Muhabete të rënda” në “Infomax”. “Ja, të supozohet, njëqind maqedonas në parlament nuk mund, thjesht, të gjejnë mënyrë për të dalë në krye me njëzet shqiptarë në parlamentin maqedonas”, tha Ristovski në këtë emision.

Mirëpo, të dhënat publike nga Kuvendi i hedhin poshtë këto pretendime. Për shembull, në rezultatet e votimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, me procedurë të shkurtuar, i cili u votua me “shumicë të dyfishtë ose të ashtuquajtur shumicë e Badenterit” më 15.11.2022, shihet se janë regjistruar 41 “deputetë që u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë”. Prej tyre, 31 janë deklaruar si shqiptarë, gjë që mund të konstatohet nga biografitë e tyre.

Nëse në Kuvend ka 120 deputetë, ndërsa më 15.11.2022 për votim me shumicë të dyfishtë janë regjistruar 41 “deputetë të komuniteteve joshumicë”, atëherë pohimi se “njëqind deputetë janë maqedonas” nuk ka asnjë mbështetje faktike.

Pretendimet e tilla të pavërteta të Ristovskit nuk i përkasin domenit të “gabimit statistikor”, andaj i vlerësojmë si dezinformata që mund të ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend.