Shkruan: ARTA TAHIRI
Dy ngjarje që lidhen me profesionalizmin dhe etikën në media kanë nxjerrë në pah një ndër çështjet problematike, me të cilën përballet hapësira mediatike në Maqedoninë e Veriut: reklamimin e (pa)përgjegjshëm të kompanive në mediat onlajn.
Rasti i parë është ai me moderatorin e podkastit në Youtube, Stefan Llazarov, i cili “zgërdhihej” në intervistën me ish kryeredaktorin e TV Sitell, Dragan Pavlloviq – Llatas të transmetuar më 15 shkurt 2023, ku “propagandisti” i pushtetit të Gruevskit, po ashtu duke qeshur, tregonte se në moshën 15-vjeçare, në veturën e një miku që ka pasur “vesin” të rrahë gratë, së bashku me disa miq, paskan abuzuar seksualisht një vajzë.
Rasti i dytë është ai i pronarit të portalit Dokaz M, Marjan Stamenkovski, ndaj të cilit Prokuroria Publike e Shkupit më 17 shkurt 2023 ka ngritur aktakuzë për disa vepra penale: 1. Shpërndarje e materialit racist dhe ksenofob nëpërmjet sistemit kompjuterik, 2. Shantazh, 3. “Pirateri e veprës audio – vizuale” dhe 4. Vepra penale: keqpërdorim i të dhënave personale.
Përveç dimensioneve etike dhe profesionale që lidhen me standardet e gazetarisë në kushte të zhvillimit të madh të teknologjisë dhe internetit, por edhe debatit se vallë ky kanal në Youtube dhe faqja e Stamenkovskit janë apo s’janë media (që përhapin lajme shpesh edhe “të rreme” dhe nuk respektojnë standardet), këto raste shpërfaqën një fenomen shumë dëshpërues, që flet për nivelin e përgjegjësisë shoqërore në vend.
Shumë kompani me renome e me përfitime të mëdha që shquhen edhe për aktivitete humanitare dhe kanë marrë madje edhe mirënjohje për përgjegjësi shoqërore, reklamonin te kanali i Llazarovit në Youtube dhe te portali “Dokaz M”, por siç mund të vërtetohet, edhe në disa portale tjera të papërgjegjshme dhe pa adresë. Natyrisht, pasi skandalet dolën në dritë, kompanitë, një nga një, pak si me turp, e pak si me faj, i tërhoqën reklamat e tyre.
Gjithsesi, jetojmë në një kohë, kur më të rëndësishme se etika dhe besueshmëria janë pëlqimet dhe klikimet. Mirëpo, kompanitë, së bashku me partitë politike, institucionet e shtetit, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se përveç ndikimit, shumë i rëndësishëm është edhe besimi. Nëse angazhohen dhe kanë vullnet politik dhe shoqëror, siç deklarohen, për standarde më të larta në gazetari dhe për mbështetjen dhe mbindërtimin e konceptit të vetërregullimit, duhet t’u mundësojnë më shumë përkrahje mediave që mbështesin profesionalizmin dhe etikën.
Në procese zgjedhore, evidentimi i mediave në Regjistrin e mediave profesionale onlajn (që i ndan ato që janë profesionale nga joprofesionalet), i përgatitur dhe i koordinuar nga Këshilli i Etikës në Media në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, duhet të jetë kusht për marketingun mediatik të partive politike në internet gjatë fushatave zgjedhore.
Ky kusht, në veçanti, duhet të merret parasysh nga kompanitë e biznesit, qoftë të fushës së energjetikës, telefonisë celulare, sistemit bankar, fushës së ndërtimtarisë, shëndetësisë private, arsimit sipëror etj, apo qoftë të industrisë ushqimore.
Në këtë drejtim, odat ekonomike dhe agjencitë e marketingut duhet t’ua bëjnë me dije kompanive, se nëse duan të jenë të përgjegjshme shoqërore dhe të kontribuojnë për sistemin e vlerave në shoqëri, duhet të reklamojnë në portalet që respektojnë së paku parimet bazike profesionale dhe etike:
- Të bëjnë të ditur impresumin – emrat e redaktorit, të angazhuarve në redaksi, themeluesve dhe pronarëve, si dhe të dhënat e kontaktit;
- Të jenë dakord / të nënshkruajnë se do të mbështesin vetërregullimin, gjegjësisht se do të respektojnë Kodin e Gazetarëve, Deklaratën për Informim Etik dhe Statutin e Këshillit të Etikës në Media;
- Në faqen e tyre të internetit të vendosin baner me të cilin obligohen se do t’i respektojnë parimet e Kodit të Gezetarëve (dhe vetërregullimit);
- Тekstet e publikuara të jenë të nënshkruara nga autori;
- Të jenë portale që publikojnë rregullisht përmbajtje informative me interes publik;
- Të cekin listën e çmimeve për reklamim;
- T’i publikojnë vendimet e KEMM-it dhe të përfshihen në procesin e ndërmjetësimit;
- Gjatë huazimit të përmbajtjeve nga mediat tjera, ta përmendin burimin mediatik.
Duke mbështetur mediat profesionale dhe etike, kompanitë dhe partitë politike do të manifestojnë përgjegjësi shoqërore dhe angazhim për mbrojtjen dhe promovimin e interesit publik, dhe, në këtë mënyrë do të kontribuojnë për zhvillimin e shoqërisë normale!
(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut