Poligraf: Kush dezinformon me fotomontazh për tank të kapur “Leopard” në Bahmut të Ukrainës?

Një fotografi e vjetër u përdor për fotomontazh dhe ilustrim të pretendimit se një tank gjerman “Leopard” është kapur në Bahmut të Ukrainës.

Më 02.03.2023, portali “Faktor” publikoi tekstin me titull: “E KAPËM LEOPARDIN E PARË GJERMAN NË BAHMUT”: Rusët pohojnë – drejtohej nga mercenarë nga Polonia”. Artikulli është i ilustruar me fotografi të një tanku “Leopard” në të cilin valëvitet flamuri rus, e në cep shkruan “Artemovsk 01.03.2023, 08:40”.

Në tekstin e “Faktor” thuhet: “Në rrjetin social Twitter është shfaqur një fotografi që pretendohet të jetë e një tanku Leopard të ngujuar në baltë me një flamur rus në kube, por autenticiteti i kësaj fotografie nuk është konfirmuar dhe nuk dihet nëse është një fotomontazh”.

Mirëpo, autenticiteti i fotografisë mund të kontrollohet lehtësisht në shërbimin e Google për imazhe. E njëjta foto pa flamurin rus është publikuar shumë kohë më parë. Për shembull, ajo është postuar në disa faqe të humorit të luftës në Facebook dhe në Internet, ndërsa nën botimin e fotos së njëjtë në një faqe holandeze, ka komente nga viti 2007.

Më 02.03.2023, në emisionin “E vërtetë apo gënjeshtër” në televizionin France 24 analizohet e fotografia e njëjtë dhe një foto tjetër me pretendimet për tank të kapur “Leopard” në postime virale në rrjetet sociale. Edhe “France 24” konkludon se fotot janë publikuar shumë përpara vitit 2023, gjegjësisht se nuk janë bërë në Bahmut, por në lokacione të tjera.

Rrjedhimisht, është i pavërtetë informacioni se një tank “Leopard” është kapur në Bahmut (më parë i quajtur Artemovsk) më 01.03.2023, siç shkruan në foton e botuar nga “Faktor”. Detyrë e gazetarëve është të kontrollojnë fotografitë para se t’i publikojnë. Ndryshe, duke publikuar fotomontazhe të pavërteta, rrezikojnë të bëhen shpërndarës të propagandës ushtarake dhe dezinformatave.