Poligraf: Simonjan dhe Kunovska dezinformojnë për luftën në Ukrainë

Më 13.03.2023, më tepër media transmetuan pohimin e kryeredaktores së televizionit shtetëror rus “RT” Margarita Simonjan: “Ne nuk po luftojmë kundër Ukrainës, kemi mposhtur Ukrainën në dy-tre ditët e para. Pastaj filloi lufta me NATO-n”.

Edhe Jagnulla Kunovska, në kolumnën “Kush po e kthen Informbyronë?” të publikuar në portalin “Plusinfo” më 13.03.2023, bëri pretendime të ngjashme për luftën në Ukrainë: “Rusia u sulmua nga NATO” dhe “Rusia nuk është në luftë me Ukrainën”.

Së pari, janë të pavërteta pohimet se Rusia nuk po lufton kundër Ukrainës ose se nuk është në luftë me të. Rusia kreu agresion mbi Ukrainën, prandaj edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së “dënoi ashpërsisht agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Së dyti, është e pavërtetë se Rusia mposhti Ukrainën në dy ose tre ditët e para të luftës. Lufta po vazhdon ende. Nga betejat për qytetet më të mëdha, Rusia humbi betejat për Kievin, Harkivin dhe Hersonin, ndërsa e fitoi betejën për Mariupolin.

Edhe agjencia shtetërore ruse RIA Novosti, në infografikun e saj, raporton rregullisht për aktivitetet ushtarake të “ushtrisë ukrainase” në frontin në Ukrainë. Edhe kreu i grupit mercenar Wagner, Evgenij Prigozhin, së fundi deklaroi se “dhjetëra mijëra luftëtarë të armatës ukrainase po ofrojnë rezistencë jashtëzakonisht të ashpër” në Bahmut.

Së treti, nuk janë të vërteta as pohimet se Rusia filloi luftë me NATO-n, e as se “Rusia u sulmua nga NATO”. Më 24.02.2022 nuk pati sulm ushtarak nga NATO, por Rusia sulmoi Ukrainën, e cila nuk është anëtare e NATO-s. NATO nuk reagoi si palë e sulmuar, por dënoi invazionin rus, i bëri thirrje Rusisë të ndalojë veprimet ushtarake dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina.

Ja se si NATO hedh poshtë mitin rus se është në luftë me Rusinë në Ukrainë: “NATO nuk është në luftë me Rusinë”, “e mbështet Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje” dhe “merr masa rreptësishtë mbrojtëse për të rritur praninë e trupave të NATO-s në pjesët lindore të Aleancës”, thuhet në uebfaqen e NATO-s për marrëdhëniet NATO-Rusi.

Prandaj, pohimet se Rusia nuk po lufton kundër Ukrainës, se Ukraina është mposhtur dhe se Rusia është në luftë me NATO-n – mund të vlerësohen si dezinformata.