Shkruan: ARTA TAHIRI
Gazetaria e standardeve profesionale dhe normave etike që gjatë dekadave vlente për mediat tradicionale, si duket, po shënon orët e fundit të historisë së saj. Nëse dikur rregulli kryesor i gazetarisë ishte që reporteri të marrë pjesë në ngjarjet e ditës dhe nga to të raportojë me fakte, sot, në “modë” është një lloj i ri i gazetarisë, të cilën e quajmë “fejsbukiane” apo “twiteriane”.
Rrjetet sociale në botën e sotme postmoderne shpeshherë përdoren nga mediat si burime informimi. Statuset e shpërndara nga politikanë dhe persona publik, por madje edhe nga qytetarë, u shërbejnë gazetarëve, kryesisht të portaleve, për të bërë lajme. Por, ajo që vihet re është edhe dukuria e kopjimit të përmbajtjeve nga rrjetet sociale dhe ripublikimi i tyre në media, pa u bërë kontekstualizimi i tyre.
Ka raste kur gazetarët i kanë të pashmangshme rrjetet sociale si burime lajmesh, por disa portale e kanë bërë praktikë të përditshme “gazetarinë e rrjeteve”. Cilat janë rekomandimet mbi përdorimin e rrjeteve sociale si burime informimi?
Rrjetet sociale, platforma për prodhimin e lajmeve
Pa mohuar faktin që rrjetet sociale mund të shërbejnë si platforma për të vrojtuar reagimet e publikut, por edhe si gjeneratorë të ideve për storje gazetareske, po flasim për një lloj gazetarie të re, e cila në mënyrë intensive bazohet tek statuset (postimet) e personave publik dhe organizatave apo institucioneve të ndryshme.
Njerëz të mediave nga zyrat apo shtëpitë e tyre prodhojnë lajme të shpeshta të bazuara në rrjete sociale. Por, kjo në shumë raste nuk ka ndonjë efekt të madh publik, pasi të njëjtat lexohen dhe ndiqen nga qytetarët në mënyrë burimore, ndërsa riprodhimi në media është në stilin “veçmë e parë”! Ndodh shpesh që të publikohen edhe reagime të personave, mendimet e të cilëve vendosen në “kornizë” me konotacione politike.
Mirëpo, nuk janë të pakta rastet kur personat publik reagojnë nëse shohin postimin e tyre të publikuar në media, duke kërkuar nga ta, që të respektojnë parimin e marrjes së pëlqimit për publikim. Një shembull i tillë i freskët është ai i gazetarit të TV Telma, Bobi Hristov, i cili këtyre ditëve në Fejsbuk reagoi ndaj portalit Infomax që kishte publikuar mendimin e tij pa pëlqim. “Meqë nuk gjeta kontakt, lutet Infomax që ta tërheq të ashtuquajturin lajm, në të cilin transmeton statusin im. Në këtë profil privat, është theksuar qartë, se asgjë që shkruhet nuk guxon të ripublikohet. P.S Për shkak të këtij keqpërdorimi, dy statuset e mia janë të mbyllur”, publikoi Hristov.
Edhe pse në një analizë thuhet ” Fejsbuku nuk është hapësirë për vetëshërbim gazetaresk“, ka raste kur mediat nuk mund t’u shmangen publikimeve në rrjetet sociale, pasi politikanët e përdorin Fejsbukun apo Twiterin për të kumtuar risi apo qëndrime politike.
Të kujtojmë, në vitin nëntor të vitit 2018, ish-kryeministri Gruevski, azilin e fituar politik në Hungari, e bëri të ditur pikërisht përmes Fejsbukut dhe më pas ky kumt u shpërnda në media, ndërsa vendndodhja e tij u konfirmua nga Ministria e Brendshme.
Një shembull tjetër është ai me deputetin Kastriot Rexhepi, i cili në nëntor të vitit 2021 nuk erdhi në seancën parlamentare, në të cilën do t’i votohej mosbesim qeverisë. Pasi disa orë të tëra nuk kishte asnjë informacion mbi ndodhjen dhe shëndetin e tij, gjë për të cilën disa politikanë dhe media përhapën dezinformata se ka qenë i marrë peng, Rexhepi pikërisht në Fejsbuk kumtoi se është “shëndosh e mirë” dhe nuk është rrëmbyer.
Në maj të vitit 2022, një fotografi e publikuar në Fejsbuk, në të cilën shihej një person që i ngjante Ziadin Selës, i cili ishte në takim me Ali Ahmetin, bërë jehonë të jashtëzakonshme në media. Ky fakt e detyroi Ziadin Selën, ish kreun e Aleancës për Shqiptarët të shpjegojë se në foto nuk është ai, pasi nga viti 2017 nuk ishte ulur me Ahmetin.
Që gazetarët ndjekin me vite politikanët në rrjetet sociale, edhe atë me vëmendje të madhe, tregon lajmi i publikuar në portalin “Koha jone” në vitin mars të vitit 2017 me titullin “Kryeministri ka mbi 20 orë që nuk përdor facebook – un e tij“. Në lajm thuhej “Edi Rama duhet të jetë vërtetë në pozita të vështira, pasi si asnjëherë tjetër nuk ka përdorur sot Facebook në profilin e tij publik. Siç tregon dhe kjo foto nga profili i Edi Ramës në Facebook janë me shumë se 20 orë që nuk ka futur asgjë për publikun”.
Edhe komentet në rrjete bëhen lajme
Jo vetëm statuset në Fejsbuk, por tashmë edhe komentet e personave të ndryshëm publik ose gjysmëpublik përdoren për të prodhuar përmbajtje informative.
Kështu, një koment i Azbi Nuredinit, ish-kandidat për kryetar komune ndaj një postimi në Fejsbuk, është bërë lajm. Në këtë koment në një postim të një personi tjetër në rrjetin social, Nuredini shpjegon si cili ka qenë rrugëtimi politik i Blerim Bexhetit, kryetarit të komunës së Sarajit nga viti 2006 kur u bë deputet, duke vazhduar në vitin 2011 në pozitën e ministrit të Drejtësisë, dhe në vitin 2017 sërish për tu rikthyer në pozitën e kreut komunal.
Institucionet në të gjitha nivelet e kuptojnë fuqinë e rrjeteve sociale
Që informimi dhe komunikimi, por edhe marrëdhëniet me publikun (PR) kanë marrë dimensione tjera në botën digjitale falë edhe rrjeteve sociale, dëshmon përgënjeshtrimi i kryetarit të komunës së Dojranit, Ango Angov në mars të këtij viti, ndaj një shkrimi të publikuar në grupin e Fejsbukut “Shpëtimi për Gjevgjelinë“!
Përgënjeshtrimi, të cilin Angov e botoi në Fejsbuk, kishte të bënte me gjoja dhënien e mendimit pozitiv nga komuna për ndarjen e koncesionit për hulumtime gjeologjike të detajuara për ar dhe bakër në lokalitetin Bashibos – Bajrambos.
Pra, ndikimi i Fejsbukut është evidentuar edhe nga institucionet komunale, të cilat nuk hezitojnë të reagojnë ndaj informacioneve që shpërndahen në këtë rrjet.
Rekomandime mbi përdorimin e rrjeteve sociale si burime
Kur dhe si mund të përdoren rrjetet sociale dhe postimet në to si burim relevant për informacione dhe lajme? Për këtë çështje ka rekomandime të shumta nga organizata të ndryshme profesionale mediatike.
“Transmetimi i një statusi nga rrjetet sociale nuk përbën lajm. Nëse ndodh që statusi i një individi në rrjetet sociale ka elemente për tu bërë lajm, atëherë gazetari duhet ta plotësojë përmbajtjen e lajmit me informacione shtesë dhe t’i bëjë të qartë lexuesit arsyen e lajmit.”, shkruan Krithink.
Ndërsa në analizën me titull “Statusi në Facebook dhe lajmi, nuk janë njësoj” thuhet: “Që një tekst të jetë lajm, duhet t’i plotësojë standardet minimale të gazetarisë profesionale, ta informojë dhe ta edukojë publikun, e jo në garën për klikime të plasojë statuse në FB si informata relevante”.
Sipas analizës ” A duhet të jenë rrjetet sociale burime informatash?”, verifikimi i fakteve është qenësor për rolin e gazetarisë në një demokraci të shëndoshë. Gazetarët para se të përdorin rrjetet sociale si burime informatash duhet të shtrojnë disa pyetje:
- A kam vërtetuar origjinën, duke përfshirë vendin, datën dhe kohën e fotografive dhe përmbajtjeve të cilat i shfrytëzoj nga rrjetet sociale?
- A kam vërtetuar nëse ky material është përmbajtje burimore?
- A kam kontrolluar profilet e llogarive në rrjetet sociale të cilat i shfrytëzoj për të shmangur përdorimin e të dhënave të rreme?
- A e njoh pronarin e llogarisë dhe a ka qenë ai burim i besueshëm në të kaluarën?
- A i kam parashtruar pyetje të drejtpërdrejta ofruesit të përmbajtjes për të vërtetuar zanafillën e informatave?
- A kam marrë pëlqim nga autori/ja për të përdorur materialin – qoftë fotografi, video apo audio?
Në analizën e lartpërmendur citohet Aidan White, gazetar me famë botërore që për shumë vite ishte sekretar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, i cili ka thënë: “Gazetaria është e mirë aq sa janë të mira burimet e informatave”!
(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut