Mariçiq: Pyetja e vërtetë është a dëshirojmë ta kapim trenin më të shpejtë për antarësim në BE

Instituti për Media dhe Analitikë IMA Shkup, për platformën #Depolarizirajse që është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, bisedoi me zëvendëskryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq.

Në fokus të intervistës janë aktivitetet që i zbatojnë institucionet në kuadër të negociatave të filluara për antarësim në Bashkimin Evropian. Në pjesën e parë të bisedës, Mariçiq iu përgjigj pyetjeve në lidhje me dezinformatat rreth fillimit të negociatave dhe skriningut. Në pjesën e dytë të bisedës, Mariçiq u përgjigjet pyetjeve rreth udhërrëfyesve mbi sundimin e ligjit, mbi institucionet demokratike, mbi reformat në administratën publike, për bashkëpunimit ndërsektorial dhe për hapat e ardhshëm pas përfundimit të skriningut.

Mariçiq:  E dimë që kemi probleme aktuale në temën e funksionimit të institucioneve demokratike

IMA: Që në fillim të vitit 2020, opinioni publik e dinte që bisedimet mbi vlerat fundamentale do duhej të ishin hapur të parat, dhe që atëhere u përmend, i përmendët edhe ju udhërrëfyesit—Udhërrëfyesi për kapitullin mbi sundimin i ligjit dhe Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformës në administratën publike. Paradokohe u paralajmëruan tre udhërrëfyes. Deri ku jemi me udhërrëfyesin e parë mbi sundimin e ligjit, dhe çfarë qëllime dhe masa përmban ai?

Mariçiq: Udhërrëfyesi mbi sundimin e ligjit, në fakt, është udhërrëfyes që i mbulon kapitujt 23 dhe 24. Këta janë kapitujt për gjyqsorin dhe të drejtat themelore, por edhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Pra, të gjitha ato të drejta që lidhen me Shengenin, por edhe pavarësia e gjyqsorit, efikasiteti i gjyqsorit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, të drejtat e pakicëve, të drejtat e të gjitha llojeve të komuniteteve të pakicave—jo vetëm etnike, por edhe të gjitha llojet e tjera të komuniteteve do të trajtohen veçmas, do të kenë vëmendje të veçantë, dhe në kuadër të udhërrëfyesit të sundimit të ligjit do të duhet ta përpilojmë planin veprues për grupet e pakicave—kështu quhet në terminologjinë e Bashkimit Europian. Para pak kohësh, praktikisht pak ditë më parë, kemi marrë tabelën, ose të them, mostrën se si duhet të duket udhërrëfyesi. Dhe, në këtë fazë që vijon, do të thotë në periudhën e ardhshme, fillimisht përmes përfaqësuesve të institucioneve, por edhe ekspertëve të njohur të fushave, nga të gjitha këto fusha që përmenda, do të duhet të vijmë te lista e detyrave – si i shohim ne detyrat tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pasi të krijojmë një version të caktuar, të themi, të atij udhërrëfyesi, do ta presim raportin e Bashkimit Evropian, raportin e skriningut për klasterin e parë. Ai raport i skriningut të klasterit të parë do të përmbajë gjithashtu vërejtjet ose detyrat e këtij udhërrëfyesi. Do të duhet të shohim se a e kemi kryer punën dhe të krahasojmë, nëse diçka duhet të shtohet apo të hiqet, dhe, kur ta përfundojmë atë proces, ato dokumente do të jenë gati për miratim zyrtar nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian. Kur ato të miratohen, si në këtë, ashtu edhe në dy udhërrëfyesit tjerë, ne praktikisht i përmbushim kushtet për hapjen e klasterit të parë.

 

IMA: Çfarë synimesh dhe masash do të përmbajë udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike dhe nëse mund të na thoni më konkretisht cilat institucione i përfshin?

Mariçiq: Shikoni, është interesante sepse kjo temë, njëjtë si administrata publike, për herë të parë janë pjesë e skriningut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deri më tani janë përmendur në pjesën e kritereve politike, të cilat janë trajtuar si parakusht për fillimin e negociatave dhe kur fillonin negociatat, аtо konsideroheshin si të përmbushura. Por nga përvoja me vendet e tjera – Bullgaria, Rumania, Kroacia, të cilat u anëtarësuan në vitet e fundit – ata kuptuan se është e nevojshme të ndiqen këto çështje gjatë gjithë negociatave.

Çfarë përfshihet në funksionimin e institucioneve demokratike? Këto janë të gjitha ato karakteristika themelore demokratike të shtetit, të cilat janë gjithmonë në pjesët hyrëse të raporteve të BE-së. Këtu është Kuvendi dhe se si funksionon Kuvendi. Ne e dimë se kemi probleme aktuale në këtë temë. Të gjitha ato bllokime, amendamente pa fund, zvarritje pa fund, ligje që mbeten еdhe pas dy vitesh në Kuvend. Këto çështje do të diskutohen. Dialogu Jean Monnet në parlament – si të krijohet një mjedis që nuk do të polarizohet deri në atë pikë sa parlamenti të mos funksionojë për këtë shkak. Edhe çështja e zgjedhjeve, Kodi Zgjedhor, janë pjesë e funksionimit të institucioneve demokratike. Pra, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhje të lira, por edhe modelin zgjedhor nëse mendojmë se duhet hapur ajo temë. Natyrisht, këtu do të hyjnë edhe – Avokati i Popullit, dhe të gjitha ato institucione që mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe ndihmojnë në funksionalitetin, antidiskriminimin dhe funksionalizimin e demokracisë.

Mariçiq: Reforma në administratën publike do të jetë një nga temat më të vështira apo më rraskapitëse për sistemin tonë

IMA: Jemi të interesuar veçanërisht për udhërrëfyesin mbi reformën e administratës publike. Në platformën tonë #Depolarizirajse qytetarët publikojnë rrëfime në të cilat shpalosin shembuj të sjelljes joprofesionale nga ana e institucioneve, si dhe pengesa të ndryshme administrative dhe procedura absurde burokratike. Për shembull, pacientët me sëmundje të rralla tregojnë për lëshime të shumta te tenderimet dhe lëshime të tjera administrative që pengojnë realizimin e të drejtës së tyre për trajtim shëndetësor në kohë dhe efektiv. Si të arrijmë në një administratë profesionale dhe cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për të pasur një administratë që me të vërtetë do të jetë në shërbim të qytetarëve?

Mariçiq: Kjo temë, për mendimin tim, do të jetë një nga temat më të vështira ose më rraskapitëse për sistemin tonë, por në përgjithësi edhe për shoqërinë civile, për politikanët dhe për institucionet. Reforma në administratën publike është diçka për të cilën flitet tridhjetë vjet. Ndërkohë, në administratë ka probleme me shumë shtresa që nuk mund të reduktohen vetëm në numra, pra sa punonjës ka, por – çfarë bëjnë ata punonjës, çfarë shërbimesh ofrojnë, çfarë shërbimesh mund të ofrojnë e nuk i ofrojnë, cila është cilësia dhe shpejtësia e atyre shërbimeve, ku përballen qytetarët me pengesa, korrupsion dhe ngecje? A është kjo faj i ligjeve, procedurave apo i faktorit njerëzor?

Dhe së fundi, për mendimin tim, pyetja thelbësore që duhet të përgjigjemi përmes udhërrëfyesit – si të mbahen puntorët e aftë në administratën publike dhe kuadrot cilësor në administratën publike, nga njëra anë, dhe si të gjehet një mënyrë për ata joprofesionistë dhe me cilësi të ulët që rrënojnë imazhin e mbarë administrates publike, të largohen nga ai sistem. Për mendimin tim, kjo do të jetë vendimtare, sepse ne, përveçse përballemi me të gjitha problemet me të cilat po përballemi – me gjithë përpjekjet, tridhjetë vjet reformë në administratë – kemi shumë institucione, në disa institucione kemi shumë kuadro, e në disa institucione shumë pak kuadro. Çelësi i gjithë kësaj, do të them përsëri sipas mendimit tim, çelësi i gjithë kësaj është politika e mbajtjes së kuadrove të aftë. Sepse, ne aktualisht po përballemi me një problem serioz të largimit të kuadrove cilësorë nga administrata publike drejt sektorit privat. Këto janë konkretisht fushat e synuara. Le të themi, është shumë e vështirë të mbash ata njerëz që punojnë në projektet IPA dhe i zbatojnë ato – thirrjet, tenderat, por bëjnë edhe zbatimin e atyre projekteve. Është shumë e vështirë të mbash kuadër që punon në fushën e financave, të prokurimeve publike, sepse janë shumë të specializuar, i njohin ato procedura dhe janë shumë të kërkuar. Auditorët janë gjithashtu të vështirë për t’u gjetur. Programerët, njerëzit që punojnë në industrinë e IT-së, që duhet të mirëmbajnë sistemin IT të vendit, janë shumë të vështirë për t’u gjetur. Pra, kemi synuar edhe ekonomistë, arkitektë, p.sh., në Ministrinë e Transporteve, projektet e IPA-s nuk mund të realizohen pa arkitektë të mirë që do të punojnë në to. Pra, ne definitivisht kemi një problem dhe duhet të gjejmë një mënyrë, të gjithë njerëzit që punojnë në negociatat me BE – ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i motivuar ata njerëz të mbeten, si dhe për të tërhequr të tjerët dhe për t’i trajnuar ata që të bëhen si këta njerëz që po përpiqemi t’i mbajmë.

Për momentin ky është një problem serioz, kemi bërë hapa të vogla – të themi, të gjithë që në strukturat e IPA marrin një shtesë prej pesëmbëdhjetë për qind. Të gjithë ata që punojnë në sektorin e financave, njëjtë, marrin edhe një shtesë të caktuar rroge. Çdo ministër, çdo bartës i institucionit ka mundësi t’i shpërblejë punonjësit me një shtesë rroge prej tridhjetë për qind. Por, ato janë instrumente ad hoc që sadopak e zbusin situatën. Zgjidhja e përhershme, për mendimin tim, do të nënkuptojë rritjen e pagave të këtyre kuadrove deficitare, që nuk i kemi dhe që na duhen, dhe nga ana tjetër, atë pjesë joefikase të administratës, të gjejmë një rrugë për ta menaxhuar apo për ta transformuar.

Mariçiq: Kemi shumë storie suksesi të bashkëpunimit ndërsektorial

IMA: Vetëm edhe pak më shumë për këto procedura burokratike që vështirësojnë qasjen e qytetarëve në instrumente të caktuara, ilaçe e kështu me rradhë. E dimë që nuk është fusha e juaj. Por a ka mënyrë, një mënyrë më konkrete, procedura më konkrete të institucioneve që të parandalojë punë të tillë joprofesionale, apo t’i mënjanojë ato procedura burokratike. A po punohet për diçka më konkrete në këtë drejtim?

Mariçiq: Mendoj se ka përpjekje dhe tentativa, si p.sh. përmes mbikëqyrjes së përforcuar të atyre organeve që marrin vendime, vendosin për jetën e njerëzve, që vendosin për çështje kaq të rëndësishme dhe puna e të cilëve është e kufizuar me një afat, për të vepruar më shpejt dhe në mënyrë efikase. Dhe, synimi ynë është që si qeveri të ushtrojmë presion pozitiv ndaj të gjithë organeve që punojnë me lëndë që janë të natyrës urgjente, për t’i punuar sa më shpejt.

IMA: Bashkëpunimi ndërsektorial, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, është gjithashtu një aspekt shumë i rëndësishëm të cilit i kushton vëmendje Bashkimi Evropian. A mund të na jepni disa shembuj të mirë për këtë?

Mariçiq: Shihni, ne kemi shumë storie suksesi, le të themi, veçanërisht në fushën e arsimit, punës dhe politikës sociale, deinstitucionalizimit të personave me aftësi të kufizuara, ku edhe Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale luajnë rol. Ka pasur një shembull të shkëlqyer, mund ta ndaj, nga Shtëpia Korrektuese në Tetovë, ku Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Sanksioneve, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, arritën të krijojnë një program për integrimin e fëmijëve. Praktikisht, të miturit që janë shkelës të ligjit, delikuentë dhe qëndrojnë në shtëpi korrektuese, të ndjekin arsimin si të gjithë nxënësit e tjerë, pra të integrohen. Praktika e mëparshme ishte që mësuesit vijnë në institucionin korrektues dhe japin mësim atje. Praktika aktuale është që ata fëmijë dërgohen në shkolla dhe atje dëgjojnë mësimin dhe marrin diploma që nuk shënjohen, nuk stigmatizohen, marrin diploma nga një institucion arsimor dhe kjo u jep mundësi të integrohen në shoqëri.

Tani kam dhënë dy shembuj, por ka më shumë, dhe ata duhet të na shërbejnë si frymëzim për t’u përmirësuar. Nga ana tjetër, ne gjithashtu e dimë se ndonjëherë ka pikëpamje tepër të ngurta ndërmjet resoreve, që, apo jo, bashkëpunimi ndërsektorial shihet si një tabu. Mendoj se përmes këtyre shembujve pozitivë mund t’i bëjmë që të jenë sa më shumë, t’i lehtësojmë procedurat, të jemi më të qasshëm për qytetarët dhe të modelojmë politikat sipas nevojave të qytetarëve.

Mariçiq: Vazhdimi i rrugës drejt BE-së nuk varet as nga Sofja, as nga Athina, as nga Parisi, as nga Berlini, as nga ndokush tjeter, por nga vendimi ynë

IMA: Çfarë do të ndodhë pas përfundimit të skriningut? A do të ketë vullnet politik për përmbushjen e kushtit për vazhdimin e negociatave me BE-në – e dimë se ky është miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Dhe, kur prisni që ne të fillojmë negociatat me BE-në në klasterin të parë – vlerat themelore?

Mariçiq: Shikoni, për herë të parë bllokada është në duart tona. Ne luftuam për të ardhur në atë situatë. Vazhdimi i rrugës nuk varet as nga Sofja, as nga Athina, as nga Parisi, as nga Berlini, as nga ndokush tjetër, por nga vendimi ynë. Unë besoj se pyetja e vërtetë nuk është nëse ne mund të mbledhim fuqi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që janë në kornizën tonë negociuese. Por pyetja e vërtetë është nëse duam të kapim trenin më të shpejtë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nëse përgjigja është po, kemi kohë deri në nëntor, deri në përfundim të skriningut, t’i kryejmë ato detyrime. Dhe nëse e bëjmë këtë, me përgjegjësi, pjekuri dhe vetëdijësim të të gjithë aktorëve politikë, mund të presim që në dhjetor të këtij viti, ose në janar të vitit të ardhshëm, t’i fillojmë negociatat në pjesën e klasterit të parë, me hapjen e klasterit të parë dhe kapitujve në të. Përparësia e metodologjisë së re është se në momentin kur hapet klasteri, hapen të gjithë kapitujt e atij grupi, dhe kjo na jep mundësinë të garojmë në të gjithë kapitujt, të tregojmë rezultate më të mira e madje edhe t’i arrijmë vendet që tashmë dhjetë vjet po negociojnë për anëtarësim, si Serbia dhe Mali i Zi.

IMA: Cili është vlerësimi juaj? A është kjo e realizueshme?

Mariçiq: Sigurisht që është e realizueshme. Pyetja e vetme është nëse do të arrijmë të organizohemi në këtë mënyrë, për të pasur sukses këtë vit. Përndryshe, koha ka treguar se sa më shumë i shtyjmë obligimet, ato vështirësohen dhe problemet bëhen më të mëdha. Mendoj se neve na konvenon, si Maqedoni e Veriut, si shtet, ta përfundojmë këtë sa më shpejt, sepse do të na hapë derën, edhe pa e pyetur Bullgarinë – kështu thuhet në konkluzionet – Konferenca e dytë ndërqeveritare thirret automatikisht dhe veçmë po hyjmë në një nivel krejtësisht tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

IMA: Zoti Mariçiq, ju falemnderoj për bisedën.

Mariçiq: Ju falemnderit për ftesën.

 

Intervistoi: Petrit Saraçini (28.03.2023)

Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski

Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Проектот се спроведува со финансиска поддршка преку програмата Цивика мобилитас
​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Дисклејмер: Цивика мобилитас е проект на Швајцарската агенција за развој и соработка (СДЦ), кој го спроведуваат НИРАС, МЦМС и ФЦГ. Мислењата кои се изразени овде не нужно ги одразуваат ставовите на Цивика мобилитас, СДЦ или пак спроведувачките организации
Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.