Gërkovska: Reformën kryesore duhet ta bëjmë brenda nesh

Për platformën #Depolarizirajse (#Depolarizohu), e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit drejt institucioneve demokratike, stabile dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me zëvendës-kryetaren e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovskën.

Pas pjesës së parë të intervistës kushtuar sundimit të ligjit, korrupsionit dhe reformave në administratën publike, në këtë pjesë të bisedës Gërkovska u përgjigjet pyetjeve për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe reformat në administratë, por edhe për sigurinë kibernetike dhe dezinformatat.

Gërkovska: Digjitalizimi është proces shoqëror, nuk është proces politik

IMA: Mund të na thoni diçka më shumë për aktivitetet e deritanishme të Këshillit Kombëtar për Transformimin Digjital të Shoqërisë? Deri ku jemi me digjitalizimin e shërbimeve publike, ju tashmë u përgjigjët në një pjesë të kësaj pyetjeje, por dëshirojmë t’ju pyesim edhe për projektin e letërnjoftimit elektronik – kur mund të presin qytetarët që të zbatohet?

Gërkovska: Po, e përmenda tashmë, Këshilli Nacional për Digjitalizimin e Shoqërisë tashmë ka pasur disa seanca. Dokumenti më i rëndësishëm, më lejoni të them, që doli është koncepti i transformimit digjital të shoqërisë. Dhe, ky është një dokument shumë i rëndësishëm sepse, do të them sërish, digjitalizimi është proces shoqëror, jo proces politik. Është proces që kërkon shumë kohë dhe vite edhe në vendet më të zhvilluara, dhe më së paku është proces teknik.

Përgatitja është shumë më e madhe derisa të vijë momenti për të bërë zgjidhjen, aplikacionin që qytetarët mund ta përdorin. Këtu e kemi fjalën për analizën e procesit, optimizimin e procesit, duhet një riformulim më i mirë i rolit të departamenteve të planifikimit strategjik që kanë deri tani, e të mos ju rëndoj më shumë. Digjitalizimi i proceseve është fokusi dhe përgjegjësia kryesore e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA). Dhe, dua të theksoj edhe një herë, atë që është bërë deri më tani në drejtim të qeverisjes elektronike dhe shërbimeve elektronike, një pjesë e qytetarëve mund ta përdorin falë llogarive që kanë në Administratën e të Ardhurave Publike.

Mirëpo, për fat të keq, edhe pse në vitin 2005, në e-strategjinë e parë që miratuam në parlament, thamë se do të vendosim letërnjoftim elektronik – kjo nuk ka ndodhur deri më tani. E, në thelb, kjo është mjeti bazë për transformimin digjital të shoqërisë, sepse vetëm me letërnjoftimin që ka çip elektronik, për identitet dhe nënshkrim digjital, mund të ketë qasje në të gjitha shërbimet digjitale.

Ne veçmë e kemi miratuar planin në Qeveri, koncepti tashmë është përgatitur së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) – që është një shembull tjetër i bashkëpunimit ndërsektorial. E diskutuam konceptin edhe në një nivel më teknik, sepse është një proces kompleks. Të gjitha njësitë e punës që janë udhëheqëse të proceseve në MPB – për lëshimin e dokumenteve personale, pra letërnjoftimet, pasaportat dhe patentat e shoferëve – janë pjesë e këtij procesi, për të bërë të qartë se për çfarë koncepti bëhet fjalë, të sqarohen të gjitha dilemat përpara se të miratohet nga Ministri i Brendshëm. Dhe paralelisht, krahas mbështetjes në këtë proces – mbështetje e vazhdueshme e ekspertëve amerikanë dhe estonezë. Tashmë kemi marrë një ekspert, i cili duhet të shkruajë tenderin, specifikimin teknik se çfarë duhet të ketë letërnjoftimi elektronik, çfarë sipas planeve tona do t’i duhet atij aplikacioni, ai proces duhet të jetë paralel me një zgjidhje softuerike për aplikacionin celular, në mënyrë që të lehtësohet qasja e të gjithë qytetarëve në shërbimet elektronike.

Paralelisht me këtë, një proces tjetër shumë i rëndësishëm që po e shtyjmë dhe që është po ashtu bashkëpunim ndërsektorial – ne udhëheqim grupin punues, kam insistuar vitin e kaluar që ta përshpejtojmë procesin, sepse kemi ende një ligj të vjetër për veprimtarinë arkivore. Nga njëra anë, ne po i detyrojmë institucionet të përdorin platformën e ndërveprimit, të shkëmbejnë dokumente digjitale, e nga ana tjetër – kemi një ligj të vjetër për arkivim, i cili nuk parashikon një procedurë, një mundësi ligjore, për mënyrën e ruajtjes dhe trajtimit të dokumenteve digjitale. Dhe, në mungesë të një ligji të tillë, tani kemi edhe një ngadalësim të administratës, sepse çfarëdo që të marrin, duhet ta printojnë sërish, ta kenë në letër për të mos u përballur me shkelje të ligjit. Tani jemi duke punuar intensivisht për një ligj të ri së bashku me Arkivin e Maqedonisë, së bashku me MShIA dhe pres që shumë shpejt, ndoshta për disa javë, ndoshta deri në fund të majit, të mos paragjykojmë, sepse ka pushime, por –  të dalim me një propozim – draft që mund të futet në procedurë dhe debat.

Gërkovska: Reformën kryesore duhet ta bëjmë brenda nesh

IMA: Reformat në administratën publike kanë qenë prej kohësh një temë me të cilën merren institucionet dhe shoqëria në përgjithësi në vendin tonë, tridhjetë vjet jemi në proces reformash. Deri ku kemi arritur me reformën në administratën publike? Çfarë masash për një qeverisje të mirë, sipas vizionit tuaj, duhet të merren për të pasur një administratë publike që do të ketë kapacitete reale për të ofruar shërbimet e nevojshme për qytetarët?

Gërkovska: Shikoni, ne mund të bëjmë dokumente ideale. Tani po përgatitet sërish një strategji për reformën e administratës publike me ndihmën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Megjithatë, reformën kryesore duhet ta bëjmë brenda nesh. Mënyra se si i qasemi punës, si sillemi në punë – në fund varet nga integriteti që secili prej nesh ka si sistem vlerash gjatë kryerjes së detyrave. Ne mund të bëjmë dokumente ideale, pra, të adoptojmë strategji, zgjidhje ligjore, gjithçka… Mirëpo, nëse qëndrimi ynë është krejtësisht i kundërt me këtë dhe nuk sillemi profesionalisht dhe me përgjegjësi në vendin tonë të punës, nuk do të bëjmë kurrë reformë, pavarësisht nga zgjidhjet e shkëlqyera ligjore dhe planet strategjike.

Pres që në këtë proces të transformimit digjital të shoqërisë, ky proces i adoptimit të modeleve dhe politikave që do të na afrojë me Bashkimin Evropian në procesin e negociatave, të çojë në mënyrë të pashmangshme në një ndryshim të kulturës së jetesës. Edhe në kulturën e të jetuarit, edhe kulturën e punës. Nuk do të jetë e lehtë, nuk është një proces që mund të ndodhë brenda natës, por është një proces që meriton të gjitha përpjekjet, sepse, thjesht, do të na sigurojë një shoqëri më të mirë.

Gërkovska: Kundër dezinformatave – me më shumë transparencë, vetëdijesim, arsimim mediatik dhe siguri kibernetike

IMA: Është aktual problemi, sfida që ka shoqëria jonë me dezinformatat. Politikat e transparencës janë padyshim politikat parësore apo të rëndësishme me të cilat duhet të përgjigjen institucionet, për të mundësuar mbulim më të madh të informacionit real që arrin tek qytetarët dhe që mund të parandalojë, apo parandalojë pjesërisht dezinformatat. Disa nga institucionet tashmë kanë strategji, disa janë duke zbatuar masa për të luftuar dezinformatat. Por kjo çështje, e cila është një problem sigurie, ka një reflektim serioz në shoqëri. Çfarë po ndërmerr më konkretisht qeveria, sepse qytetarët kanë përshtypjen, disi, se dezinformatat po dominojnë gjithnjë e më shumë në opinion? Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe kritikat për transparencën e disa institucioneve. Si planifikoni ta luftoni më aktivisht dezinformatat?

Gërkovska: Jam dakord se dezinformatat janë problem serioz dhe se në një moment bëhen problem i sigurisë. Në zhvillimet e reja gjeopolitike, agresioni rus ndaj Ukrainës dhe çfarë po ndodh lidhur me të në Evropë, vetëm sa e rriti edhe më shumë alarmin, për të pasur një qasje serioze se si të mbrohemi nga dezinformatat.

Këtu, para së gjithash, është shumë i rëndësishëm vetëdijesimi i qytetarëve, që duhet të kontrollojnë informacionin. Prandaj, ajo që po dëshmojmë – është se ne i pranojmë shumë lehtë informacionet që lexojmë në rrjetet sociale, pa kontrolluar nëse janë të vërteta, nëse ka ndodhur vërtet e kështu me radhë, veçanërisht pasi tani është shumë më e lehtë në botën e internetit për të gjetur dhe kontrolluar shumë shpejt besueshmërinë e një informacioni të caktuar.

Transparenca është gjithashtu një nga mekanizmat kryesorë. Udhëzimi që kemi bërë, me të cilin institucionet janë të obliguara të publikojnë informacionin e specifikuar në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione Publike, është vetëm një periudhë kalimtare, e cila do ti mësojë dhe duhet t’i mësojë institucionet me transparencë proaktive.

Synimi përfundimtar në këtë fazë të transformimit digjital të shoqërisë, që do të ndikojë ndjeshëm në uljen e dezinformatave, është hapja e plotë e institucioneve. Sepse institucionet duhet të kuptojnë se të dhënat dhe dokumentet që prodhojnë dhe që i kanë u përkasin qytetarëve dhe jo institucioneve, prandaj duhet të jenë publike, të publikohen në një format që të jetë i dobishëm për qytetarët. Megjithatë, natyrisht, jo ato që janë informacione të klasifikuara dhe, në një mënyrë që do të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve. Sigurisht që është një proces.

Ndërkohë, ne duhet të ndikojmë në edukimin mediatik, për të rritur ndërgjegjësimin se si duhet të trajtohen informacione të caktuara dhe si dhe në çfarë mënyre duhet të kontrollohen para se të publikohen. Shpresoj që një nga rastet e fundit që patëm dhe për të cilin reagoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme, do të jetë një mësim për ata që ndajnë informacione shumë lehtësisht. Mirëpo, çështja nuk është që dikush të thirret për bisedë, që më pas të kuptojë se sa dëm dhe sa gabim ka bërë, ndërgjegjësimi duhet të jetë në një nivel të rritur, përpara se të vendoset për një hap të tillë.

Edhe këtu pjesa e sigurisë kibernetike është shumë e rëndësishme. Më duhet ta them këtë, sepse është një çështje serioze, që prek edhe dezinformatat edhe sigurinë. Ndikon në këtë, njësoj si dezinformatat – të hyjnë brenda, të shkaktojnë pasiguri në shoqëri dhe mosbesim në institucione. Dhe këtu po vendos drejtpërsëdrejti një shenjë barazimi midis dezinformatave dhe sigurisë kibernetike, sepse mendoj se ato janë shumë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sepse ato keqpërdoren dhe përdoren në të gjitha mënyrat e mundshme.

Ne kemi dhënë obligim – sepse mendoj se institucionet duhet të jenë shumë më aktive në këtë pjesë – këtë vit që lamë pas disa herë kemi pasur aktivitete dhe organizime, kemi bërë trajnime për punonjësit në ministri, edhe në nivel më teknik,  edhe për shefat e kabineteve – për të rritur ndërgjegjësimin se sa i rëndësishëm është përqendrimi në sigurinë kibernetike dhe sa i rëndësishëm është standardizimi. Nuk kemi standarde, ky është një nga problemet kryesore. Dhe, për faktin se unë jam përpjekur të ndikoj në institucionet gjatë vitit të kaluar, kemi dhënë edhe informacione për këtë – për të treguar se duhet të lidhen dhe të bashkëpunojnë me Institutin për Standardizim, sepse ato standarde janë bërë që ne të kemi një qasje më të barabartë dhe uniforme për segmente të ndryshme.

Një pjesë e institucioneve janë të shkëlqyera në zbatimin e standardeve, por ka një pjesë që është vërtet shumë mbrapa. Shpresoj që planet për krijimin e një agjencie për digjitalizim, për të cilën është diskutuar gjatë… megjithatë, tani jemi të fokusuar në intensifikimin e zgjidhjes ligjore – do të kenë një rol mjaft të madh në këtë segment, kur bëhet fjalë për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike, sepse shkojnë paralel me njëra-tjetrën, sepse duke digjitalizuar proceset duhet të sigurojmë besimin e qytetarëve se ata do të mbrohen në atë botë digjitale, se të dhënat e tyre nuk do të keqpërdoren, qofshin të dhënat personale, të dhënat bankare etj., dhe ne duhet ta bëjmë atë në nivelin më të lartë. Megjithatë, kjo është e mundur vetëm nëse kemi, nëse vendoset një sistem i standardizuar, jo individualisht, siç është deri tani.

Intervistoi: Petrit Saraçini, më 12.04.2023

Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski

Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.