Liria e mediave, rezistenca e tyre ndaj lajmeve të rrejshme dhe çfarë na pret

Shkruan: ATANAS KIROVSKI

Lufta për lirinë e mediave sot ka një dimension krejtësisht tjetër nga ai kur fillova këtë profesion fisnik të quajtur gazetari, më shumë se 30 vjet më parë. Atëherë betejat që ishin para nesh kishin kontura të qarta. Nevojitej vetëm guxim për të luftuar.

E para dhe më e rëndësishmja ishte pluralizimi i hapësirës mediatike dhe hapja e mediave private, me një interpretim alternativ të realitetit nga mediat shtetërore, të cilat ishin pak a shumë nën kontroll, e herë-herë të censuruara nga Komiteti Qendror i LKM-së. Beteja e dytë ishte heqja e deliktit verbal dhe më pas dekriminalizimi i shpifjes. Ishin këto fitore të mëdha, të cilat na dhanë shpresë të madhe se shoqëria jonë më në fund do të demokratizohej dhe modernizohej. Janë larg pas nesh kohërat kur, për shkak të ndonjë imtësie në raportim apo në një tekst të shkruar, ndonjë politikan kryelartë, censor i zellshëm apo prokuror tendencioz mund t’ju akuzonte për “sulm dhe poshtërim të jetës dhe veprës së një shoku të komitetit”, ndërsa brezave të rinj këto kohëra mund t’u ritregohen në formë anekdotash.

Pas shfaqjes së internetit dhe mediave sociale, në Maqedoni dhe në mbarë botën ndodhi një demokratizim total i hapësirës mediatike. U shfaq edhe “gazetaria qytetare”, ku secili individ në njëfarë mënyre u bë gazetar potencial që mund të raportonte për një ngjarje, fenomen, devijim në shoqëri. Kamera, dikur e shtrenjtë dhe e paarritshme, nuk është më në duart e vetëm disa kameramanëve, të cilët së bashku me gazetarët dhe redaktorët vendosnin se kur duhet ndezur dhe inçizuar. Tani pothuajse të gjithë kanë një telefon celular dhe çdo celular është bërë një aparat fotografik. Mediat sociale kanë sjellë potencialin për demokratizimin e plotë të diskursit publik, me mundësinë e pjesëmarrjes aktive të çdo qytetari në lidhje me çdo temë.

Presionet politike dhe propaganda në mediat tradicionale janë reduktuar në mënyrë drastike në krahasim me periudhën kur në pushtet ishte Nikolla Gruevski dhe këtë e vërteton edhe progresi në listën e lirisë së mediave të përgatitur nga “Reporterët Pa Kufij”, ku Maqedonia është në vendin e 38-të, më mirë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Sot, lufta për lirinë e mediave zhvillohet në fronte krejtësisht të reja. “Liria totale” që ka sjellë interneti ka përmbytur plotësisht diskursin publik dhe ka kontaminuar hapësirën mediatike. Mediat sociale, të cilat kishin potencialin për të sjellë demokratizim të plotë dhe që mund t’ia afronin debatet e rëndësishme sociale secilit individ, në vend që të jenë bartëse të diskursit të ri demokratik në shoqëri, çdo përpjekje për diskutim serioz e bënë pothuajse të pamundur. Fjala e shprehur publikisht është zhvlerësuar në mënyrë të shumëfishtë, plotësisht e liruar nga përgjegjësia për atë që është shkruar. Ajo që duhet të jetë një debat, prej kohësh në rrjetet sociale është kthyer në një përplasje të “botëve” partiakë që promovojnë ekskluzivitetin, mostolerancën, diskualifikimet ad hominem dhe etiketimet e shëmtuara.

Ashtu siç Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale rregullon transmetuesit tradicionalë – radiostacionet dhe televizionet, edhe në sferën e internetit shumë shpejt do të duhet të ketë të paktën një lloj rregullimi. Dikush duhet të përballet me këtë breshëri të tmerrshme fyerjesh, gjuhës së urrejtjes, thirrjeve për linçim. Është paradoksale, por do të duhet të kufizojmë një pjesë të lirisë së internetit, për të rifituar lirinë tonë të vërtetë.

Edhe gjyqësori maqedonas duhet t’u përshtatet kohëve të reja. Kur bota është plotësisht e dixhitalizuar, në gjykatat tona ende dominojnë daktilografistët dhe makinat e shkrimit, ndërsa gjykatësit nuk i trajtojnë portalet si media. Kjo duhet ndryshuar urgjentisht, sepse pa mbrojtje gjyqësore, kushdo mund të përhapë lirisht lajme të rrejshme, propagandë, të shpifë dhe të mos mbajë përgjegjësi.

Aq shpejt u dixhitalizua dhe u transformua bota dhe na solli në situatë aq absurde, sa që ata që ishin kampionë në kërkesat për të dekriminalizuar shpifjen, për të shfuqizuar deliktin verbal dhe që qeveria dhe gjykatat të mos ndërhyjnë në punën e redaksive, tani ndërruan anë. Të njëjtët që kërkuan liri më të mëdha, duke filluar nga unë personalisht, tani kërkojnë rregullim më strikt të mediave dhe përfshirjen e gjyqësorit në trajtimin e formave të rënda të reketimit, gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve përmes portaleve të internetit dhe rrjeteve sociale.

Situata me portalet e internetit, edhe pse e vështirë, disi mund të vihet nën kontroll. Por nuk shoh se si do të përballemi me pasojat toksike të rrjeteve të mëdha sociale. Janis Varufakis i përshkruan ata si “qiramarrës” në një epokë të re të tekno-feudalizmit, ku sa më shumë të krijohet gjuhë urrejtjeje, aq më mirë është për lartësinë e qirave që marrin tekno-menaxherët feudalë që kanë në pronësi Facebook-un, Twitter-in, Instagramin dhe rrjetet tjera të mëdha sociale. Kapitali në “re” (cloud) është kërcënimi i ri më i madh jo vetëm për të vërtetën dhe lirinë e shprehjes, por tashmë ndikon në devijime tjera shoqërore, si në nxitjen e dhunës, stimulimin e voajerizmit dhe veçanërisht, heqjen e së drejtës së privatësisë të individit liberal.

Beteja tashmë e humbur me “botët” partiakë, sigurisht që do të shënojë rritje me chat-botët artificialë, të cilët tashmë po krijohen nga inteligjenca artificiale. Zhvillimi i Chat GPT dhe në përgjithësi zhvillimi i inteligjencës artificiale në laboratorët e Luginës së Silikonit në SHBA, por sigurisht edhe në laboratorët në pronësi të regjimeve autokratike si Pekini apo Moska – tanimë kanë krijuar rreziqe teknologjike që ne si qenie njerëzore, dhe veçanërisht si punonjës mediatik që  angazhohemi për raportim objektiv, nuk do të mund t’u kundërvihemi.

Së fundmi, The Guardian është ankuar se ka pasur abuzime me përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, që janë paraqitur rrejshëm si përmbajtje të tyre. Mundësitë për manipulim janë të paparashikueshme, e pikërisht këto mundësi trembin edhe vetë autorët e programeve të inteligjencës artificiale, të cilët pranojnë se nuk mund ta kontrollojnë plotësisht atë që kanë krijuar, ndaj edhe vetë kërkuan një moratorium gjashtëmujor të zhvillimit të IA.

Një nga këto rreziqe është zhvillimi dhe avancimi tepër i shpejtë i teknologjisë së ashtuquajtur deepfake, e cila na sjell në një situatë ku nuk mund t’u besojmë syve tanë. Disa media kanë raportuar se njësitë elitare të ushtrisë amerikane kanë nënshkruar kontrata për përdorimin e programeve më të sofistikuara deepfake. Shumë shpejt videove nuk do t’u besohet fare dhe do të kthehen plotësisht në një mjet për propagandë keqdashëse. Sipas përllogaritjeve, në Tik-Tok ka rreth 200 mijë video të falsifikuara, të përcjellura në sfond me pak muzikë dhe “propagandë patriotike” ku, për shembull, krimet e luftës të kryera në Siri shiten si “fakte” nga zhvillimet në Ukrainë. Përveç fjalës së thënë, a do të duhet redaksitë të zhvillojnë edhe departamente të specializuara për të vlerësuar vërtetësinë e video-materialeve para se t’i publikojnë ato?

Maqedonia edhe më tej ndikohet nga propaganda agresive ruse, e cila gjen terren pjellor pjesërisht për shkak të zhgënjimit të qytetarëve, sepse vetë BE-ja nuk mbajti fjalën dhe vazhdon të parashtrojë kushte të reja për fillimin e negociatave me BE-në. Para referendumit për “Marrëveshjen e Prespës”, ​​i cili përfundoi me votën e 80 deputetëve në parlament, pothuajse nuk kishte asnjë lider evropian që nuk erdhi në Maqedoni me mesazhin “bëni këtë kompromis të fundit për t’iu bashkuar familjes evropiane”. Tani i njëjti refren përsëritet lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë, por, natyrisht, nuk ka garanci se pas 2-3 vjetësh Maqedonisë nuk do t’i dorëzohet ndonjë kusht i ri edhe më i vështirë. Kjo moskonsistencë dhe ndjenja se për 30 vjet po ngritët më lart caku vetëm për të mos e arritur kurrë, çoi në një rënie të dukshme të mbështetjes për integrimet euroatlantike në Maqedoni, dhe në të njëjtën kohë, i dha mundësi të mëdha propagandës dhe prodhimit të lajmeve të rrejshme nga qendra të fuqishme keqdashëse si Moska. Bota po shkon me shpejtësi drejt një lufte të re të ftohtë midis SHBA-së dhe BE-së nga njëra anë dhe Kinës dhe Rusisë nga ana tjetër. Maqedonia shumë kohë më parë ka bërë zgjedhjen se ku dhe cilave vlera u përket, por ato vlera duhet të kultivohen dhe ruhen.

Përgjigja më e mirë pyetjes se si të veprohet në të ardhmen me median, është: me një gazetari të përgjegjshme, të ndershme, të balancuar, të drejtë, pa mbajtur anë, duke i kontrolluar faktet dhe duke i vendosur ato në kontekstin e duhur. Por kjo është e lehtë për t’u thënë, por e vështirë për t’u zbatuar në praktikë.

Këtu dinamikën duhet ta përcaktojë shërbimi publik, siç bëhet nga shërbimet e mëdha publike në Evropë si BBC, apo në rajon HRT, ERT dhe madje edhe RTS. RTM ka qenë në një situatë dëshpëruese për dekada. Servisi i parë programor është totalisht i parëndësishëm, dhe që 3-4 vite nuk përfshihet as në rejtingje të ndryshme, gjë që vetëm konfirmon pamjen e trishtë në të cilën ndodhet RTM.

Detyra parësore e sektorit privat është të gjenerojë fitime, e në të njëjtën kohë të tregojë përgjegjësi sociale aq sa është minimumi i nevojshëm për të mos humbur licencën e transmetimit. Në fund të fundit, ne pamë sjelljen e rrjetit më të ndjekur të lajmeve në SHBA, Fox News, i cili vetë pranoi që kishte shpikur tregimet se demokratët i vodhën zgjedhjet Donald Trampit me ndihmën e së majtës ekstreme nga Venezuela dhe gjoja përzierjen në algoritmave të aparateve të votimit në dobi të Bajdenit. Fox News tashmë pagoi 787 milionë dollarë në kontest jashtëgjyqësor dhe do të vazhdojë të paguajë dëmshpërblime lidhur me padi tjera. Poenta është se menaxhmenti i televizionit ka vlerësuar se për ta është më lirë të paguajnë 2-3 miliardë dollarë për konteste gjyqësore sesa të thonë të vërtetën dhe të humbasin shikues që do të kalonin në rrjete informative edhe më të djathta. Fox News me vetëdije sakrifikoi të vërtetën dhe shpërndau lajme të rreme për të ruajtur shikueshmërinë, dhe rrjedhimisht fitimet – një hap që mund të kishte çuar vendin në pasoja të rënda kur një turmë e madhe u përpoq të hynte në Kapitoll Hill më 6 janar 2021, disa ditë para inaugurimit të Bajdenit.

Kjo ilustron se në të ardhmen vetëm shtëpitë dhe redaksitë e mëdha mediatike do të jenë në gjendje t’u rezistojnë lajmeve të rreme dhe propagandës, sepse një nga kushtet bazë është pavarësia financiare. Edhe pse gjendja me lajmet e rreme në mediat tradicionale të Maqedonisë për momentin nuk është alarmante, ajo së shpejti do të bëhet e tillë. Sidomos nëse nuk bëhen reformat e paralajmëruara prej kohësh në shërbimin publik dhe nëse vazhdon rrjedhja e parave për marketing drejt marketingut dixhital, derisa buxhetet për televizionet çdo vit zvogëlohen gjithnjë e më shumë.

(Autori është gazetar dhe redaktor me përvojë shumëvjeçare)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut