Liria e mediave: Politika mbështet mediat me deklarata, bën veprime të kundërta

Shkruan: Arta TAHIRI

Në Ditën e Lirisë së Shprehjes dhe Mediave, më 3 maj, rrjetet sociale u vërshuan nga urime të shumta të partive politike, të cilat shpreheshin se janë për liri më të madhe të mediave, që nënkupton mundësimin e kushteve të duhura dhe ambientit shoqëror dhe politik, në të cilin gazetarët do të kryenin detyrimet e tyre profesionale. Shumë politikanë u zotuan se do të jenë partner i mediave dhe gazetarëve dhe se do të jenë transparentë dhe dyerhapur për interesimin e tyre.

Por, përtej nivelit të deklaratave, partitë me veprime konkrete shpesh kanë dëshmuar se nuk janë shumë pro liberalizmit të medias, duke përdorur rrugë të ndryshme për të ndikuar ndaj saj. Çfarë deklaruan partitë në pushtet dhe si sillen në realitetin politik? Si i trajtojnë mediat dhe a përtojnë t’u përgjigjen pyetjeve të vështira? A i bojkotojnë debatet televizive? A kanë partitë në duart e tyre portale informative?

Partitë politike me deklarata pro lirisë së mediave

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, porositi se “Liria e shprehjes është motori lëvizës i të gjitha të drejtave të njeriut, mundëson dialog, ndërton mirëkuptim dhe e rrit dijen publiku, kontribuon për analizën e vendimeve që i miratojmë dhe shpie drejt politikave më të mira”.

Bashkimi Demokratik për Integrim shprehu “respektin e thellë ndaj të gjithë punonjësve të mediave, që janë misionarë të informimit të drejtë të qytetarëve, zëri i tyre i transparencës dhe i mendimit kritik është parakusht esencial për zhvillimin e vendit”. Madje, partia e Ahmetit pohoi se dyert e BDI-së kanë qenë dhe mbesin gjithmonë “të hapura për çdo gazetar dhe shtëpi mediatike”.

Aleanca për Shqiptarët deklarohej se “Të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, bartës të funksioneve publike, përfaqësues të institucioneve, bartës të profesioneve të ndryshme, jemi të detyruar të mbështesim dhe mbrojmë lirinë e medias dhe të sigurojmë që gazetarët të raportojnë të vërtetën pa censurë dhe frikë nga çfarëdo qoftë pasoje”.

Edhe partia Alternativa u shpreh se “ka dëshmuar se e respekton deri në fund këtë vlerë dhe angazhohet që edhe të tjerët të angazhohen për respektimin, mbrojtjen dhe afirmimin e saj”.

Duhet pranuar objektivisht se pas rrëzimit të Qeverisë së Gruevskit, qeveria dhe institucionet kanë dëshmuar transparencë më të madhe, që nënkupton edhe komunikim më të mirë me publikun. Këtë e vërteton edhe raporti i organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”, në të cilin Maqedonia e Veriut për kah liria e mediave gjendet në vendin e 38 nga 180 vende të rankuara, që nënkupton se gjendja është pak a shumë e mirë ose e kënaqshme. Në vitin 2016, shteti ishte në vendin e 118.

Megjithatë, raporti midis qeverisë dhe mediave është larg të shkëlqyerës.

Pushteti gojën plot liri, por me funksionarë që konfrontohen me gazetarët

Si qëndron e vërteta? Partitë politike në pushtet, duket se janë për lirinë e shprehjes së mendimit dhe për lirinë e medias, përderisa nuk cenohet pozicioni i tyre politik dhe nuk u shtrohen pyetje “të vështira”, por krejtësisht legjitime dhe në emër të publikut.

Vetë kryeministri Kovaçevski në janar të këtij viti shprehu cilësime për politikën redaktuese të mediave. “Sa më përket mua, mund të them në vend se ka një medium politika redaktuese e të cilit i ngjan politikës së një kompanie që tregton me energji, e ka edhe medium politika redaktuese e të cilit i ngjan politikës redaktuese të sektorit partiak për komunikim”, tha ai duke komentuar deklaratën e liderit të BDI së, Ali Ahmeti, i cili në kontekst të përçarjeve të thella brendapartiake kishte konkluduar zëshëm, duke i etiketuar dy televizione si armike të shqiptarëve. “Kujt i bëjmë shërbim me këto lëvizje që po bëhen, sigurisht që armiqve të shqiptarëve, po duartrokasin. Allfa, Tellma, Mellma”, kishte thënë Ahmeti në një tubim partiak.

Edhe dy ministra të qeverisë kishin konfrontime me gazetarët. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, më 8 mars të këtij viti, refuzoi t’i përgjigjet gazetarit të Televizionit Telma, i cili i tha se me përgjigjet rreth kompanisë “Eptisa” po ekzagjeron dhe “ka ikur”. Grubi kërkoi që gazetari t’i kërkojë falje. Pasi ai nuk e bëri faljen në mënyrë të qartë, Grubi kërkonte pyetje të tjera nga gazetarët, ndërsa u ndje i fyer nga kolegu i Telmës.

Ndërsa në një konferencë për media, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, më 14 dhjetor të vitit të kaluar, i pyetur nga TV Alsat se pse nuk ndodh ngrirja e çmimeve, dha leksione për gazetari. Në vend se të përgjigjej drejtpërdrejt, Bekteshi u shpreh “Pyetje e shkëlqyer, gjithkush ka nevojë për protagonizëm edhe ajo dje ishte protagonizëm (rasti me gazetaren e Kanal 5), edhe kjo sot me siguri. Por nuk është problem ne jemi këtu t’u përgjigjemi qytetarëve, drejtpërdrejtë, hapur”.

Një ditë më parë, i pyetur nga Kanal 5 pse vendi paguan gazin me çmim më të lartë nga ai në bursa, ministri Bekteshi u kundërpërgjigj me pretendime se gazetarët bëjnë pyetje duke u koordinuar mes vete, duke aluduar se bëhet fjalë për temën e TV Telma, e cila, sipas tij, është në lidhje të ngushta me Makpetrolin, i cili nuk ka marrë tenderin për gaz.

Politika shpesh bojkoton debatet, gazetarët ballafaqohen me dyer e telefona të mbyllur    

Përveç këtyre, nuk janë të rralla rastet, kur gazetarët hasin në dyer të mbyllura tek institucionet dhe drejtuesit apo përfaqësuesit e tyre, madje, edhe kur nuk u shtrohen pyetje, të cilat i “zënë ngushtë”!

Ndodh edhe që zëdhënësit e partive ose të institucioneve të mos hapin telefonat ose të mos u përgjigjen porosive telefonike të gazetarëve. Ndërsa, nuk është i paktë edhe numri i institucioneve që nuk kanë zëdhënës, ose mund të kenë “zëdhënës” të llojit të veçantë, që paguhet, por që nuk shfaqet në publik.

Tanimë është fshehtësi publike se partitë politike, në forma të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, “zotërojnë” portale të shumta, të cilat i financojnë në mënyrë jotransparente dhe përmes rrugëve të ndryshme josistemore.

Ndodh që pikërisht partitë politike që e kanë gojën plot liri të medias, heshtazi të bojkotojnë media të caktuara, duke refuzuar pjesëmarrjen në debate ose duke vënë kushte për pjesëmarrje, në stilin “nuk duam me këtë apo atë parti”, “nuk duam me këtë apo atë analist”. Kjo ka ndodhur dhe ndodh, edhe pse në bazë të standardeve demokratike evropiane, politika duhet t’i përgjigjet interesimit të medias, pavarësisht temës dhe pavarësisht formatit mediatik apo zhanrit gazetaresk.

Maqedonia e Veriut po bën hapa shumë të vegjël në fushën e lirisë së mediave, ndërsa historikisht politika ka pasur ndikim ndaj mediave, ndaj atyre shtetërore, por edhe ndaj atyre private.

Duke ditur se demokracia jonë është në zhvillim e sipër, duhet bërë përpjekje që mediat dhe politika të arrijnë në pikën e respektimit të ndërsjellë mbi baza të shëndosha demokratike, një raport i bashkëpunimit reciprok midis dy sektorëve, që ruajnë hapësirën e vet dhe nuk përzihen tek njëri-tjetri.

Një ditë, edhe në Maqedoninë e Veriut, gazetarët duhet të ndërpresin të menduarit dhe vepruarit si politikanë, ndërsa politikanët duhet të ndërpresin të mendojnë se gazetarët duhet të jenë në shërbim të tyre!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut