Shkruan: DRAGAN ANTONOVSKI

Nevoja për lirinë e mediave nuk kërkon filozofi të madhe. Ajo është imperativ, tipar i shoqërive demokratike, synim i gazetarëve profesionistë, kënaqësi për lidershipin e çdo vendi. Duhet të përpiqesh dhe të luftosh për të. Kjo luftë paraqet një vazhdimësi, një pjesë të punës së mediave.

Nuk do të thotë se liria e fituar një herë do të mbetet e tillë. Pasi të jetë mposhtur një regjim, një qeveri, një elitë politike, kjo nuk do të thotë se qeveria e ardhshme, qeveria e re, nuk do të dëshirojë t’ju kthejë nën kontroll. Edhe kjo është një vazhdimësi. Në ambient të tillë “një hap para, dy hapa pas”, që është pasqyrë dhe rrethanë për gjithë shoqërinë, profesioni i gazetarit nuk mund të jetë përjashtim.

Informimi është punë për profesionistë. Por edhe në këtë profesion ka edhe të mirë, edhe mesatarë, ka edhe bredhës që fusin hundët kudo, reketarë që keqpërdorin profesionin. Ashtu siç ka në çdo shoqëri. Propaganda ka shtypur informacionin dhe ajo depërton më lehtë. Shitet për mrekulli te qytetari i painformuar, kalon te publiku gjysmë i shkolluar, ndërsa botët dhe militantët politikë e transmetojnë dhe fuqizojnë ndikimin e saj në rrjetet sociale. E gjithë kjo rishitet me mbështetjen e të njëjtëve “gazetarë” gjysmë të ditur apo mesatarë në hapësirat e portaleve dhe në ​​internet.

Burimet e propagandës nuk janë njerëzit injorantë dhe analfabetë. Përkundrazi, ato janë qendra serioze analitike, agjenci për marrëdhënie me publikun, komunikologë dhe profesionistë të mediave. Ata e dinë saktësisht se çfarë duan të arrijnë. Ashtu si me dezinformatat, edhe propagandistët kanë një qëllim të qartë – të fshehin një të vërtetë dhe të shesin e të përqendrohen në një “të vërtetë” tjetër.

Më së shpeshti ajo “shitet” përmes mediave, portaleve, televizioneve, teksteve të porositura me pagesë dhe kjo është ajo që perceptohet nga më pak të informuarit. Propagandat e fshehura shpesh imponohen përmes tjerëve që nuk lënë përshtypjen se janë pjesë e megafonave propagandistikë – përmes gazetarëve të zhdërvjellët, të cilët ndonjëherë, në kërkim të ekskluzivitetit apo në mungesë idesh, dinë të depërtojnë dhe të jenë mjeti përmes të cilit do të shitet dezinformata ose mesazhi propagandistik.

Është gabim të mendosh se manipulojnë vetëm elitat politike, partitë dhe ministrat. Jo më pak PR me pagesë, jo vetëm ekonomik, ofrohet përmes reklamave, shpalljeve dhe një ndikimi gjithëpërfshirës afarist. Në paketën e “shpallësve” ka korporata ndërkombëtare, investitorë, struktura biznesi që financojnë mediat apo gazetarët, duke siguruar kështu ndikim për veten dhe për partitë, gjegjësisht për qeverinë që i lejon të udhëheqin bizneset e tyre me komoditet.

Në atë konglomerat ndikimi të blerë, në të cilin janë të përziera interesat politike dhe ato afariste, mënyrat e sigurimit të ndikimit, që në përgjithësi emërtohen si “presione, dezinformata dhe propaganda”, i ndihmon edhe statusi social i punonjësve mediatik, të cilët me vite janë mall që blihet lehtë – si për shkak të pagave të ulëta, mungesës së të drejtave dhe kontratave kolektive nga njëra anë, ashtu edhe si rezultat i mungesës së rregullave në këtë profesion. Ajo që mungon është vija ndarëse e të llojllojshmëve, të cilët jo gjithmonë paraqesin një pasuri të mjedisit, e ajo vijë do të përcaktonte kush mund të llogaritet si gazetar, kush është profesionist, kush është margjinal, kush është vërtetë autor dhe kush është një kopjues, dhe në fund – çfarë nënkuptohet me redaktor mediatik, e çfarë është propagandues mediatik.

Një rrugëdalje e mundshme janë shoqatat profesionale të gazetarëve, të cilat fatkeqësisht për dekada me radhë nuk kanë pasur guximin të distancohen hapur nga ata që shkatërruan reputacionin e profesionit të gazetarit. Nëse nuk ka guxim për licencim si në çdo profesion, sado që tingëllon si diçka elitare, shoqatat e gazetarëve ndoshta duhet para së gjithash të bëjnë dallimin dhe të tregojnë me gisht në drejtim të atyre që abuzojnë me profesionin. Për shembull, për sjellje që nuk janë në frymën e gazetarisë së mirëfilltë, personit në fjalë mund t’i hiqet anëtarësia në SHGM, e jo qëllimi të jetë rritje e anëtarësisë, ku në një vend janë të përzier të gjithë. Këshilli i Nderit i shoqatës më të vjetër gazetareske duhet të mbajë qëndrim dhe të mos ketë frikë ta luftojë propagandën në emër të profesionalizmit.

Anëtarësia duhet të meritohet, jo të numërohet.

Problem ka edhe me fokusin gazetaresk apo më saktë defokusimin. Redaksitë gazetareske fokusohen gjithnjë e më shumë në mbulimin e ngjarjeve të dirigjuara, në vend të zbulimit të ngjarjeve.

Për shembull, me çdo fillim të lajmeve, tema për ndërtimin e autostradave nga “Bechtel dhe Enka” është në nivelin e një seriali turk, ndërsa protagoniste kryesore është opozita që thotë se është krim, kundrejt qeverisë që thotë se është një marrëveshje historike!? Publiku është si në një arenë, i ndarë. Me tifozllëk, secili për ekipin e tyre me një britmë “uaaa hajdutë!”. Ndërkaq, asnjë redaksi e vetme, të paktën unë nuk hasa në një të tillë, nuk kërkoi më shumë informacion nga kompanitë apo nga ambasadat që dolën në opinion në mbështetje të këtij projekti, së bashku me të gjitha palët e përfshira.

Sa zgjati fokusi mbi vjetërsimin e lëndës së Sasho Mijallkovit, gjegjësisht a e përshtatëm rrëfimin për atë se kush është përgjegjës? Nuk u diskutua fare për atë që zjarrin e Pashkëve e sollën me aeroplan zyrtar të qeverisë, por flitej për atë se si një ministër e ngiste makinën zyrtare për nevoja private apo obligime partiake. Emigrantja që u vra aksidentalisht përmes kanaleve të trafikimit nuk ishte një temë tërheqëse për t’u hulumtuar. Deklarata e Girit se gjendja me korrupsionin është katastrofale ishte thjesht vetëm një deklaratë ditore. Letra e ambasadores Ageler drejtuar gjykatësve vendas u zhduk, apo deklarata e Lençe Ristovskës, që tregonte bilancin dhjetëvjeçar të demokracisë maqedonase – të gjitha këto janë vetëm storie ditore gazetareske.

Fakti që informacionet në media kanë një të vërtetë të (shpër)ndarë, ku secili dëgjon vetëm atë që i përshtatet dhe nuk i intereson aspak ana tjetër e medaljes, paraqet një praktikë për të cilën nuk shqetësohen më as gazetarët dhe madje askush nuk insiston që për këtë të diskutohet. Ky defekt mediatik, si pjesë e hapësirës së ndotur, u shfaq në radhë të parë nga lidershipi mediokër, nga foltorja parlamentare, pastaj nga shtypi partiak dhe sigurisht nga transmetuesit gazetareskë, të cilët transmetojnë pa rezerva, por nuk analizojnë. Kjo nuk është presion, është qasje.

Me fjalë tjera, në këtë vend secili ka të vërtetën e vet, qytetari një, administratori një tjetër, punëtori të vërtetën e tretë, politikani të katërtën, shumëzuar me numrin e partive dhe, si realitet: lexuesi gjysmë i ditur apo i painformuar barazon të vërtetën me gënjeshtrën flagrante, informacionin me dezinformatën, shpifjen me faktet në stilin “më tha njëri”.

Në atë liri të analfabetizmit mediatik, nuk duhet presion i madh që dikush të thotë njëfarë “të vërtete”, shpifje, gënjeshtër… Thjesht, propagandistët, përmes rrjeteve sociale apo asaj hapësire të padefinuar interneti, i blenë kolumnet e tyre, zëdhënësit e tyre partiakë, përmes “botëve” krijuan një makineri që shet gjithçka për të zhvlerësuar kundërshtarin ose për të promovuar dhe rritur rejtingun e porositur.

Për më tepër, poshtërimi i gazetarëve nga lidershipi më i lartë politik nuk është domosdoshmërisht vetëm presion, por mund të jetë edhe përgjigje ndaj planit të biznesit të megafonave të magnatëve mediatike – pronarë mediash dhe qëndrimeve redaktoriale. Ose, ndoshta, një përgjigje ndaj reketit gazetaresk dhe analfabetizmit mediatik nga i cili askush nuk distancohet. E gjitha kjo është një rrugë dykahëshe.

Askush nuk tregon pike interesi për ta rregulluar hapësirën online dhe mediat sociale. Vetërregullimi nuk kalon te një shoqëri gjysmë të shkolluar dhe të pa, të cilën duan ta sundojnë persona të paaftë dhe përfitues partiakë.

Propaganda dhe dezinformimi janë kryesisht plane politike dhe afariste. Rrethanat jetësore, egoja e disa individëve që veprojnë si mercenarë për tallje dhe gjuhë urrejtjeje, dominojnë në këto hapësira. Margjinalizimi i fakteve, të pavërtetat e ushqyera nga joprofesionalizmi, lejojnë që idetë e shtrembëruara të shpërthejnë në çdo kohë, sidomos kur narrativi është ndëretnik dhe gjeopolitik.

Të kesh lirinë e hapësirës, qasje dhe zë të pakufizuar – edhe kjo është problematike në një shoqëri të çrregulluar. Demokracia pa rregulla, rend dhe rregull kthehet në anarki. Liria e mediave nuk mund të barazohet me liri joprofesionalizmi, mungesë argumentimi dhe dezinformim. Liria e mediave nënkupton profesionalizëm, një kod shkrimi dhe sjelljeje.

Provincializmi në programet televizive kontaktuese të mëngjesit, ku mercenarët partiakë, qofshin me shkollim fillor dhe me një ekskursion jashtë vendbanimit të tyre, sulmojnë dhe debatojnë për gjeopolitikë dhe kanë një orë të tërë hapësirë, ndërsa profesionistëve të gazetarisë në asnjë kanal televiziv nuk u lejohet një kontribut më i gjatë se 1 minutë e 30 sekonda ose deri në 2 minuta – kjo nuk është gjë tjetër veçse nënvlerësim i profesionalizmit dhe relativizim apo shkatërrim i informacionit dhe segmentit informativ në media. Dhe nënçmim i publikut.

Sot çdokush mund të shkruajë, të urrejë, të shajë e të ofendojë. Të gjithë mund të fshihen pas maskës së një lloj patriotizmi, interesi të dikujt dhe definitivisht nuk vlen më ajo thënia e vjetër që pas shkrimit dhe botimit, duhet të flihet edhe natën. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë shqetësim – të gjithë janë duke fjetur.

Profesioni i gazetarisë, punët mediatike kërkojnë angazhim dhe përgjegjësi të plotë. Kjo punë prapëseprapë duhet bërë sipas rregullave dhe kodit të saj etik. E liria qëndron në atë se nuk ka kufizime në trajtim temash, nuk ka pyetje të ndaluara dhe pa përgjigje. Flas për punë të bërë sipas standardeve, jo sipas emocioneve. Për interesin publik, jo personal. Këtu nuk ka vend për interesin subjektiv, partiak apo afarist. Së paku kur flasim për këtë profesion. E pra, vetëm në një liri të tillë nuk ka kufij. Gjithçka tjetër është uzurpim dhe (keq)përdorim i gazetarisë, gazetarëve dhe (jo)profesionistëve.

(Autori është gazetar dhe drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Informative Mediatike – MIA)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut