Shkruan: MLLADEN ÇADIKOVSKI
Pas gati 15 vitesh Maqedonia u rikthye në gjysmën e parë të listës së “Raportuesve pa Kufij”. Sipas Indeksit global të Lirisë së Mediave të “Reporterëve pa kufij”, shteti ynë gjendet, për kushtet tona, në vendin e lartë të 38-të në botë. Relativisht pozicion i lartë për një vend që deri pak vite më parë radhitej i 123-ti në këtë listë. Në dukje një lajm mjaft i mirë për gazetarët, për median, për gjithë shoqërinë.
Por, ka gjithmonë një “por”, që duhet të na mbajë shumë vigjilentë, ne si qytetarë dhe veçanërisht si komunitet mediatik. Jemi dëshmitarë të asaj që një pjesë e mirë e komunitetit gazetaresk bën tani dhe në dhjetë vitet e fundit për të pasur lirinë mediatike, lirinë e të shprehurit në përgjithësi. Në kohën kur figurativisht në media “gjaku rrodhi deri në gjunjë”, mbylleshin televizione e gazeta, gazetarët shqetësoheshin e pështyheshin në rrugë; atëherë profesionistët e vërtetë mbetën në anën e së vërtetës, duke vazhduar betejën kyçe për dinjitet gazetaresk, me qëllim që të vazhdojnë t’i shërbejnë interesit publik dhe të jenë në funksion të qytetarëve dhe jo në funksion të partisë apo partive që ishin në pushtet në atë kohë.
Ajo betejë ishte e gjatë, e mundimshme, me shumë viktima, shpesh në kufijtë e funksionimit dhe mbijetesës. Dhe çfarë tani? A duhet të themi tani mjaft, mbaroi, liria u fitua?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje do të kthehemi pak më mbrapa në kohë, në vitin 2007. Në vitin e dytë të qeverisjes së qeverisë së atëhershme të VMRO DPMNE-së, Maqedonia shënoi suksesin më të lartë historik në po këtë listë të “Reporterëve pa kufij”, duke u pozicionuar në vendin e 36-të. Por, nga ai vit deri në vitin 2017, është e qartë se ka një shthurje të plotë në lirinë e mediave dhe në lirinë e fjalës në përgjithësi.
Kjo përvojë na tregon se duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se liria e mediave është tepër e ndjeshme, sidomos në vende me demokraci të brishtë, siç është Maqedonia. Mjafton një shkas, një lider më pak demokratik, mungesë vullneti politik, një dorë ballkanike autokratike, vetëdije më e ulët për atë se çfarë do të thotë liria, që gjithçka të shkojë drejt greminës, e ne pastaj duhet të fillojmë sërish nga e para. Edhe në raportin aktual të “Reporterëve pa kufij”, shënohet qartë se peizazhi mediatik lë për të dëshiruar dhe duhet të bëjmë kujdes edhe më tutje.
Një peizazh kompleks mediatik
Liria e mediave është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike, që ofron platformë kritike për shprehje të lirë, llogaridhënie dhe transparencë. Megjithatë, duhet theksuar se skena mediatike në Maqedoni bëhet gjithnjë e më komplekse, me sfida të shkaktuara nga presionet politike, propaganda, dezinformatat, gjuha e urrejtjes. Pavarësisht renditjes relativisht të mirë për sa i përket lirisë së medias, këto më lartë mbeten çështje të rëndësishme për t’u trajtuar.
“Reporterët pa kufij” në raportin e fundit për Maqedoninë theksojnë se dezinformatat e përhapura dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në zvogëlimin e besimit të shoqërisë te mediat, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa vazhdon tendenca që zyrtarët qeveritarë të kenë një qëndrim arrogant dhe nënçmues ndaj gazetarëve.
“Për shkak të polarizimit të fuqishëm politik, mediat mund t’i nënshtrohen presioneve nga pushteti, politikanët dhe biznesmenët. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Shërbimi radiodifuziv publik nuk ka pavarësi editoriale dhe financiare”, thuhet në raport.
“Raportuesit” gjithashtu theksojnë se transparenca e institucioneve është mjaft e dobët. Rasti i fundit me kontratën për ndërtimin e korridoreve vërtetoi konkretisht se sa dëm mund t’i shkaktojë gjithë industrisë mungesa e transparencës. Ky veprim hapi kutinë e Pandorës me spekulime dhe dezinformata, tregoi realisht dëmin nga transparenca e pamjaftueshme apo transparenca jocilësore, jothelbësore. A janë armiq të SHBA dhe qeverisë së Maqedonisë të gjithë ata që mendojnë se marrëveshja është e keqe, për faktin që nuk kanë informacione të mjaftueshme dhe janë kundër ndërtimit të rrugëve? Sigurisht që jo. Taksapaguesit e Maqedonisë kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen paratë e tyre, ndërsa menaxherët e atyre parave duhet të japin llogari për çdo qindarkë të shpenzuar. Si përfaqësues të publikut, gazetarët nuk duhet të kritikohen për pyetjet që parashtrojnë.
Ta ndalojmë internetin?!
Është e qartë se jetojmë në një epokë propagande dhe dezinformimi, që zvogëlojnë besimin në media, cenojnë integritetin e mediave dhe rrënojnë besimin e publikut. Siç thotë gazetari i njohur Dan Rather, “mënyra se si shpërndahen dezinformatat dhe propaganda sot dallon nga qasja dekada më parë, por koncepti bazë është i njëjtë. Ka të bëjë me kontrollin e narrativit dhe kjo është diçka që kërcënon demokracinë tonë”.
Beteja me dezinformatat dhe propagandën në Maqedoni mund dhe duhet të zhvillohet në disa nivele. Së pari, në reformimin e mentalitetit të vendimmarrësve, por krijimi i sistemeve partiake onlajn për propagandë apo dezinformata sigurisht që nuk shkojnë në favor të kësaj beteje.
Në të njëjtën kohë, komuniteti gazetaresk dhe mediatik e ka për detyrë t’i përforcojë organet vetërregulluese. Vetërregullimi është thelbësor për të ruajtur integritetin e mediave dhe për të siguruar standarde etike. Të gjithë e dimë që nuk është i përkryer, ndoshta ndonjëherë na duket se nuk mjafton, por në këtë moment është gjëja më e mirë që kemi.
Cili është opsioni i dytë? A duhet të ndalojmë Tik Tokun? Apo duhet ta ndalojmë Facebook-un? Apo Instagramin? Apo Google-in? Po Twitter-in ta ndalojmë? Jo, hajde ta ndalojmë gjithë internetin!? A e kuptoni seriozitetin e një vendimi të tillë? Mos keqkuptohemi, ka shumë gjëra të kota në internet. Fëlliqësira të ndryshme, promovim krimi, nxitje dhune, gjithçka është aty. Por le të mësojmë të lexojmë. Le ta ndajmë gazetarinë nga propaganda. Le t’u japim një vend të merituar profesionistëve në hapësirën onlajn, le të kërkojmë mënyra që do ta bëjnë gazetarinë e vërtetë të qasshme për qytetarët. Gjithçka tjetër, gjuha e urrejtjes, përhapja e dezinformatave dhe pirateria, tashmë është e rregulluar me ligjet në Maqedoni; vetëm duhet të lejojmë që të funksionojë sundimi i ligjit, duke respektuar ligjet.
Në qendër të problemit në Maqedoni qëndron edhe çështja e pafuqisë financiare, e cila kërcënon pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e industrisë mediatike. Gazetarët nuk paguhen mjaftueshëm, ndërsa mediat heqin të zitë e ullirit për të mbajtur standarde të larta gazetareske për shkak të mungesës së resurseve të nevojshme. Mënyrat për t’i përmirësuar ato qëndrojnë në mundësimin e formave për rritje të cilësisë së produktit gazetaresk, pa lejuar askënd, tani dhe në të ardhmen, të ndikojë në politikën e tyre editoriale.
Liria fitohet vështirë, por joliria kthehet lehtë
Vetëm duke kultivuar një mjedis mediatik që mbështet parimet e lirisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë, Maqedonia mund me sukses t’i përballojë sfidat e presioneve politike, propagandës, dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, duke inkurajuar njëkohësisht një qytetari të informuar dhe të angazhuar.
Të kthehem në fillim të këtij shkrimi, kaluam një mori vështirësish për ta liruar këtë ambient, por kur në horizont do të na paraqiten gjitha sfidat e radhës, duhet të jemi të vetëdijshëm se është koha për ndryshime thelbësore që do të garantojnë lirinë financiare të funksionimit, sepse liria e të shprehurit, liria e mendimit fitohet vështirë, fitohet me mundim, por përvoja na thotë se mund të humbet shumë lehtë. Mos ta lejojmë këtë!
Ja pse vendi i sotëm i 38-të i Reporterëve pa Kufij nuk duhet të na gëzojë, por duhet të na bëjë edhe më vigjilentë. Dhe të vazhdojmë t’i kërkojmë zgjidhjet.
(Autori është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë)
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut