Si raportuan mediat në Maqedoninë e Veriut mbi vrasjet në Serbi?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Vrasja e tetë nxënësve dhe një roje në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd më 3 maj nga nxënësi 14 vjeçar Kosta Keçanoviq (identiteti i vrasësit u zbulua tepër shpejt), si dhe vrasja e tetë personave në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin të qytetit Mlladenovac nga Urosh Bllazhiq më 4 maj, ishin lajme që u ndoqën me vëmendje të madhe në mediat botërore, rajonale, por edhe në mediat e Maqedonisë së Veriut.

Cili ishte narrativi raportues mbi këto ngjarje? A pati përdorim të gjuhës dhe imazheve që shqetësojnë publikun? A pati dezinformim dhe vrapim tek media të caktuara për të qenë të parat në kumtimin e lajmit, pa bërë verifikimin e fakteve? Pse edhe kur ka raste të këtilla të tragjedisë së madhe ndodh kontekstualizimi etnopolitik në përmbajtjet mediatike?

Raportimi mediatik: “Horor, masakër, kasaphanë, gjak!”

Ngjarjet kanë qenë tronditëse dhe me përmasa të mëdha tragjike, andaj kanë qenë lajme të ditës më 3 dhe 4 maj në të gjitha mediat e rajonit, por edhe janë interpretuar nga këndvështrime të ndryshme.

Siç ndodh zakonisht në raste të këtilla, mediat nuk e kanë kursyer publikun, duke ofruar detaje përshkruese nga aktet e tragjedisë dhe dëshmitarët, të cilët me dëshmitë e tyre shkaktonin pikëllim e zemërim tek publiku. Mediat kanë raportuar me senzacionalizëm, ndërsa fatkeqësisht edhe këto raste u përdorën nga një pjesë në sferën onlajn për të tërhequr klikime.

Nuk munguan as cilësimet: “horor, masakër, tmerr, kasaphanë, ngjarje e përgjakshme”, ndërsa janë publikuar shumë fotografi dhe video eksplicite të përgjakshme. Nuk themi se kanë mundur të shmangen tërësisht, por ka mundur të ulet intensiteti i publikimit të tyre, i cili shqetëson kategori të caktuara të publikut, në radhë të parë fëmijët dhe të miturit, por edhe persona që kanë sëmundje të ndryshme, të cilëve skenat e përgjakshme u sjellin stres edhe më të madh.

Një pjesë e madhe e mediave raportuan me tituj bombastik:

Ky portal raportonte se “Një nxënës i klasës së shtatë me revolen e babait të tij ka bërë masakër të vërtetë. Shokët e tij thonë se ka qenë i heshtur, i qetë dhe nxënës i shkëlqyeshëm”.

Dezinformime mediatike mbi vrasjen në shkollë

Gjatë raportimit nga kjo ngjarje pati edhe publikim të dezinformatave, përkatësisht fakte të paverifikuara, siç ishte ai lidhur me vrasjen edhe të arsimtares së historisë. Por, portali MKD.mk, në lajmin e publikuar me titull “Beograd: E kanë ngritur të përgjigjet dhe ka shtënë, ka plagosur arsimtaren, ka vrarë rojen” ka bërë saktësimin e fakteve. “Djali (14) në shkollën në lagjen beogradase Vraçar “Vlladisllav Ribnikar” ka vrarë rojën dhe arsimtaren, jozyrtarisht raportoi B92, por më vonë policia njoftoi se arsimtarja është lënduar”, njoftoi portali MKD.

Edhe Klan Maqedonia dezinformoi se arsimtarja e historisë ka vdekur si pasojë e të shtënave me armë. Titulli i portalit të Televizionit Klan Maqedonia ishte “Beograd: Përveç rojës, në spital vdes edhe një mësuese pas sulmit me armë në shkollë“.

Ndërsa portali Zhurnal raportoi me titullin “E rëndë në Serbi/ Nxënësi 14-vjeçar nën efektin e drogës, merr armën e të atit dhe qëllon në shkollë“. Ky portal, duke u bazuar tek mediat serbe raportonte se “Mësohet se i mituri ka përdorur armën e të atit dhe dyshohet se ka qenë nën efektin e drogës”.

Edhe pse spekulohej se nxënësi ka mundur të jetë nën efektin e drogës, sipas medias serbe Vesti.rs “Rezultatet e analizës toksikologjike të 13 vjeçarit, i cili vrau në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” tregojnë se është negativ”.

Portali Bulevar madje ka shkuar përtej senzacionalizmit të zakonshëm, kur raportohet mbi ngjarje të kësaj natyre. Portali raportoi me titullin “Serbia në shok: Një fëmijë ka marrë njësh në histori dhe “është çmendur” – ka vrarë  persona, midis të cilëve edhe nxënës!“. Natyrisht se faktet deri në momentin e publikimit të lajmit mund të kenë qenë se kanë vdekur 6 persona, ngjashëm siç ka raportuar edhe Klan Maqedonia. Ky televizion raportoi me titullin “Masakër në Beograd: 14 vjeçari vrau 8 nxënës dhe rojen e sigurisë – Mori njësh dhe u çmend”!.  Siç shihet, theksi është vënë tek fakti që nota njësh ka ndikuar ndaj nxënësit që të bëjë veprimin e rëndë. Vënia theks tek fakti se nxënësi është motivuar nga nota negative të bëjë veprimin kriminal është raportim i thjeshtësuar dhe me motive klikuese.

Portali Libertas, duke transmetuar portalin Blic të Beogradit, raportoi me titullin që prek emocionet e publikut “Erdhi dhe na drejtoi revolen të gjithëve – tregon me lot njëri nga nxënësit“.

Një pjesë e madhe e portaleve, në lajmet me titull “U shtriva mbi shokët e vdekur, që të mendojë se jam e vdekur, nxënësi kanë shtënë 15 plumba ndaj fëmijëve“, raportuan detaje mbi ngjarjen. “Filloi në mënyrë të pakontrolluar të gjuajë, së pari gjuajti ndaj arsimtares së historisë dhe më pas vazhdoi më tej. I vrau dy shokë tanë, unë u shtriva mbi ta, që të mendojë se jam e vdekur. Doli nga shkolla, edhe më tej dëgjoheshin të shtëna. Kur u çova, e pash Dragançon të vdekur”, tregonte njëra nga dëshmitaret e ngjarjes. Të njëjtën dëshmi e ka publikuar edhe portali i gazetës së përditshme Koha, si dhe portali Inaonline.

Ndërkohë, portali Gazetaexpress ka publikuar postimin e ekspertit të sigurisë dhe drejtor i Institutit “Octopus”, Agim Musliu në rrjetin social Twitter, i cili me anë të një videoje ka shpjeguar versionin e tij se pse fëmijët serbë janë të njohur për armë dhe vrasje.

“Ja pse në Serbi edhe fëmijët janë aq të njohur me armët dhe vrasjet! Këto janë ushtrimet që bëjnë rusët për fëmijët serbë, të veshur me uniformat e Ushtrisë serbe. [Aleksandar] Vuçiq gjithmonë është vlerësuar për bashkëpunimin me Rusinë. Edhe sot!”, shkruan Musliu.

Mediat shqipe me kontekste etnopolitike mbi vrasjen në shkollën e Beogradit

Të ndikuar nga rrjetet sociale, por edhe nga historia dhe në këtë kontekst duke marrë parasysh faktin që sidomos në 100 vjeçarin e fundit ka pasur përplasje të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa më e freskët është lufta në Kosovë e viti 1999, ndodh që raportimi edhe mbi këto ngjarje në Serbi, fatkeqësisht, të marrë ngjyrime etnike.

Pas vrasjes së nxënësve në shkollën në Beograd, në Prishtinë, në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës u ndezën qirinj në nderim të 8 nxënësve dhe rojës së shkollës. Homazhet u bënë në hapjen e Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”.

Një pjesë e mediave kësaj ngjarje i dha konotacione etno – politike, duke e ndërlidhur edhe me kontekstin historik.

Raportimi i televizionit Top Chanel me titullin ” Shqiptarët solidarizohen me Serbinë!/ Kosova ndez qirinj për viktimat e Beogradit” ishte ai i cili shpërndahej më shumë në rrjetet sociale. Edhe pse me titull senzacionalist, meqë jepte konotacion (joobjektiv) se të gjithë shqiptarët solidarizohen me Serbinë dhe se Kosova ndez qirinj për viktimat, shkaktoi reagime tepër negative ndaj këtij gjesti, që shpreh empati mbi një tragjedi të madhe. Me gjithë titullin që duket se ka qëllim arritjen e klikimeve, përmbajtja e tij ishte objektive dhe korrekte. “Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ka nisur me solidarizim me viktimat e sulmit që la të vrarë tetë nxënës në një shkollë fillore. Në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë ndezur dhjetëra qirinj. Edhe dy ministra të Qeverisë të pranishëm shpresën e solidarizim duke ndezur qirinj për 9 viktimat e së mërkurës në Beograd”, raportoi Top chanel.

Ndërsa, siç dëshmon edhe portali i grumbullimit të lajmeve të mediave të ndryshme në gjuhën shqipe fax.al, një pjesë e madhe e mediave kanë vënë theksin tek pjesëmarrja e ministres së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu në ndezjen e qirinjve. Këto media theksonin se ministrja mori pjesë në këtë ceremoni nderimi në krah të ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Të ndikuar nga raportimi mediatik, rrjetet sociale u vërshuan nga konstatimi “Beogradi asnjëherë nuk ndezi qirinj për fëmijët e masakruar të familjes JASHARI! Historia që harrohet – përsëritet”.

Në këtë vijë ishte edhe komenti me titullin “Qirinjtë e dyfytërësisë” i gazetarit Behxhet Shala Bajgora, i publikuar në gazetën Epoka e re. Në koment shkruan se ndezja e qirinjve është shndërruar në një ritual ku reagohet sipas një automatizmi, jo gjithherë i sinqertë. “Ndezësit e qirinjve thuaja janë persona të njëjtë dhe aspak nuk është e vështirë të parashikohet kur dhe si do t’i ndezin qirinjtë. Në Kosovë afërsisht 2000 fëmijë janë ekzekutuar nga policët, paramilitarët dhe ushtarët e Serbisë apo e kanë humbur jetën shkaku i pamundësisë t’iu ofrohet kujdesi shëndetësor apo mungesë të ushqimit sikur edhe kushteve të rënda klimatike. Fëmijët shqiptarë janë ekzekutuar thuaja në të gjitha vrasjet në masë e që gjithmonë janë mohuar nga regjimi serb pjesë aktive e të cilit në kohën kur u masakruan këta fëmijë ishin edhe Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiq, midis shumë të tjerëve”, shkruan Shala.

Shumë portale, pa asnjë interes publik, kanë publikuar qëndrimin e modeles jo shumë të njohur Arbenita Ismajli, e cila ka kundërshtuar aktin e ndezjes së qirinjve në Prishtinë. Një pjesë e mediave, më 5 maj raportuan me titullin: “Marre-marre”, modelja Arbenita Ismajli reagon ndaj ndezjes së qirinjve në nderim të të vrarëve në Beograd. (Lajm, Flaka, Kosovarja, Panorama).

Një pjesë e mediave: Paraburgoset babai i vrasësit në Mlladenovac, ishte shpallur i vdekur

Sa i përket ngjarjes së dytë, vrasjes në afërsi të qytetit Mlladenovac, është vërejtur raportim i paverifikuar lidhur me fatin e babait të autorit të vrasjes, 21 vjeçarit Urosh Bllazhiq.

Sipas evidentimit të portalit për grumbullimin e lajmeve të mediave në gjuhën maqedonase time.mk, shumë media më 6 maj kanë publikuar se Radisha Bllazhiq ka vdekur si pasojë e sulmit në zemër. Plusinfo, A1on, Vocentar, Kurir, Vestiplus, pasi e kanë publikuar, e kanë hequr dezinformatën, ndërsa tek portalet Fokus, Lider, Republika, Makpres ndonëse u tregua i pasaktë dhe i pavërtetë, ky lajm vazhdon të jetë i publikuar.

Spekulimin e kanë publikuar edhe portalet në gjuhën shqipe Pacensure, Gazetapopulli, Kosovarja.

Katër ditë më pas, siç evidenton time.mk, të njëjtat media dhe shumë të tjera njoftuan se Radisha Bllazhiq, për të cilin kishin raportuar se ka vdekur, është ndaluar dhe i është caktuar masa e paraburgimit. Lajmin e konfirmoi edhe agjencia e lajmeve në gjuhën shqipe MIA.

Përfundime

Media në kohën e sotme funksionon mbi parimin e ndjekjes së saj në botën e internetit dhe sa më sensacional është lajmi, aq më i klikuar bëhet. Si duket, gazetaria e re “sensacionaliste” është duke e zëvendësuar profesionalizmin, standardet profesionale dhe normat etike!

Raportimi mbi vrasjet në Beograd dëshmoi për të satën herë se verifikimi i fakteve duhet të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të mediave në të ardhmen, sepse në të kundërtën do të jemi të vërshuar nga spekulimet/dezinformatat.

Gjithashtu, këto ngjarje dëshmuan se shpejtësia nuk duhet të ketë përparësi para saktësisë, sepse, duke tentuar të jenë të parat, mediat publikojnë të pavërteta dhe bëhen jo të besueshme nga publiku.

Mënyra e publikimit të lajmeve në sferën onlajn tregon se edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm se në cilat media i ndjekin lajmet. Qytetarët duhet t’u besojnë portaleve që respektojnë standardet profesionale dhe normat etike, e jo atyre që nuk kanë adresë, identitet të pronësisë dhe redaksisë dhe nuk pranojnë në mënyrë publike se janë për respektimin e Kodit etik të gazetarëve. Gjithashtu, duhet të bëjnë përpjekje, duke marrë parasysh se jetojmë në një sistem dinamik shoqëror dhe mediatik, të mos shpërndajnë gjithçka që lexojnë dhe sadopak të ndërmarrin disa hapa për verifikimin e fakteve.

Mediat dhe gazetarët, duhet të nxjerrin leksion nga këto ngjarje, që në përmbajtjet e tyre t’i shmangin sa është e mundur kontekstualizimet etnocentrike dhe politike, sepse bëhet fjalë për ngjarje tragjike dhe në këto raste empatia para së gjithash njerëzore apo universale duhet të vijë në shprehje, para shpërthimeve emotive me intonacion “hakmarrës”, të motivuara nga historia dhe mosqërimi i hesapeve në beteja të mëhershme luftarake dhe aktuale politike.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut