Korridori 8 në tunelet mediatike me narrativ etnocentrik

Si raportuan mediat tradicionale dhe të reja në Maqedoninë e Veriut mbi Korridorin 8? Cili ishte narrativi i mediave në gjuhën maqedonase dhe atyre në gjuhën shqipe? Pse disa media shqipe komentojnë se kundërshtimet ndaj projektit nga faktorë të ndryshëm politik kanë motive antishqiptare e jo motive që janë në të mirën e shoqërisë, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit? A pati politizim të projektit dhe raportime favorizuese me konotacione politike? Pse mediat pro-opozitare dhe një pjesë e mediave neutrale u bashkuan në qasjen ndaj projektit për jetësimin e Korridorit 8?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Korridori 8, apo korridori panevropian që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë dhe Bullgarinë, nga një projekt me rëndësi të madhe strategjike që lidh këto tri vende, por edhe siç thuhet shpesh në diskursin politik dhe mediatik “arterie e rëndësishme ekonomike”, po shndërrohet në projekt për kusuritje partiake politike në Maqedoninë e Veriut.

Korridorit, që u mundëson shteteve ballkanike qasje më të mirë në tregun evropian, siç ndodh zakonisht në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht nuk u la pa iu dhënë dimension etnik apo etnocentrik.

Korridori 8: Mediat, zëdhënëse të politikës!  

Duke qenë se në vendin tonë agjendën publike edhe më tej e modelon me shumë politika dhe shumë pak gazetaria, meqë 33 vjet pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe daljes nga sistemi komunist, sistemi politik e subordinon sistemin informativ komunikativ, një pjesë e madhe e mediave edhe lidhur me këtë projekt më shumë kanë shërbyer si kanale për përcjelljen e qëndrimeve politike, por nuk kanë munguar as hulumtimet gazetareske mbi të, me të cilat verifikohen apo hidhen poshtë konstatimet dhe synimet politike.

Që nga nisja e këtij projekti, ishte partia VMRO DPMNE, e cila siç pohon, nuk e kundërshton projektin, por procedurat për realizimin e tij:

Ndaj pretendimeve opozitare, portali Tetova Sot, i cili është vënë në mbrojtje të projektit, publikoi komentin e titull “Vetëm Mickoski, Kasami, Besa dhe VMRO nuk ju gëzuan vendosjes së gurrthemelit të Korridorit 8!. Në të thuhet:

“Bilall Kasami, kryetari i Tetovës nuk e pa të rrugës të ishte i pranishëm aty ku ishte sot Ahmeti, Taravari, Grubi, Kovaçevski si dhe ambasadorja amerikane, Aggeler. Dikush ndoshta dhe do të thoshte, me të drejtë ka munguar, sepse nuk shkohet në dasmë i paftuar por Kasami bashkë me deputetët e tij dhe ata të VMRO vendosën që të bojkotojnë këtë ngjarje madhore edhe përkundër ftesë së dërguar.

Përveç se ka injoruar këtë ngjarje të madhe që i tejkalon të gjitha dallimet politike dhe është në interes të vendit dhe rajonit, siç u tha nga folësit e solemnitetit, Kasami, ose më saktë, partia e tij, u rreshtua bashkë me liderin e VMRO-së, që të merret me dyshimet rreth projektit, një kontestim apriori dhe i pabazë”.

Komentin e njëjtë mbi bojkotin e Kasamit e kanë publikuar edhe portalet me politikë të ngjashme editoriale pro projektit si Desk, Telegrami, Expres.

Por, asnjë media nuk kontekstualizoi kritikat e VMRO DPMNE-së me faktin që kjo parti, siç dëshmon portali i grumbullimit të lajmeve të mediave të ndryshme Fax.al, që në korrik të vitit 2021 është pajtuar që “Behtel-Enka” do të ndërtojë autostrada pa tender“.

ALSAT në 2021 raportonte se “Qeveria para disa muajve lidhi memorandum kuptimi me Behtel dhe Enka. Në mënyrë identike, para disa viteve gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE, u zgjodh kompania kineze Sinohidro për ndërtimin e aksit Kërçovë-Ohër, për çka tani ka procedurë gjyqësore. Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë Nikolla Gruevski, Vlladimir Peshevski dhe Mile Janakieski”.

Narrativi mediatik përplot dyshime për keqpërdorime

Dyshime mbi projektin nuk janë ngritur vetëm nga partitë dhe mediat me politike editoriale opozitare, por edhe nga ato që kanë qëndrime neutrale mbi zhvillimet politike dhe shoqërore.

A ka korrupsion në projektet për Korridoret 8 dhe 10?, ka qenë dilema e ngritur nga TV 24 më 3 mars 2023. Në kronikë, kjo media raporton se:

“Në grupacionin e kompanive që do të bëjnë mbikëqyrjen e ndërtimeve hyn edhe  kompania spanjolle Eptias, për të cilën kërkoi që së pari të mos jetë pjesë e këtij projekti, që më pas përmes procedurës tenderuese dy vite më vonë Eptisa të bëhet pjesë e grupacionit të kompanive, që do të bëjnë mbikëqyrje dhe do të japin shërbime konsultative. Pikërisht kjo, do të jetë objekt i hetimit edhe për antikorrupsionarët, të cilët duhet të vërtetojnë nëse ka pasur konflikt të interesave gjatë procedurë tenderuese dhe të ndryshuar tenderuese. Përkrah momentit kontestues me Eptisën dhe ndryshimet në procedurën tenderuese, Prizma (portal) dje publikoi se një pjesë e kompanive, që do të bëjnë mbikëqyrjen e korridoreve 8 dhe 10 hyn edhe kompania “Euro konsalting”, në të cilat pjesë ka edhe qytetari maqedonas, Branisllav Dimitrieviq, i cili është nën hetim të Prokurorisë në Armeni për zbatimin e projektit korridori rrugor veri – jug, në periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2018″.

TV Alsat, ka qenë njëra ndër mediat që ka gjurmuar jashtëzakonisht shumë mbi procedurat tenderuese mbi këtë projekt. Në kronikën me titull Gurthemeli për Korridorin 8, pa u pastruar dilemat për keqpërdorime“, të datës 3 prill thuhet:

“Qeveria do të vendosë gur-themelin e Korridorit 8. Pavarësisht kritikave, skandaleve dhe rekomandimeve mbi përzgjedhjen e mbikëqyrësve të punimeve në këtë projekt, organi ekzekutiv vendosi që me kryeneçësi të hedh ca lopata beton. Madje një veprim i tillë po ndërmerret derisa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur lëndë mbi bazën e zërave në opinion. Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inxhiniering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohen për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre”.

Duke ditur se shumë portale lajmet e tyre i bazojnë tek televizionet kombëtare, nuk bën përjashtim as kopjimi i tekstit të kronikës së TV Alsat, me titull të pandryshuar: Gur-themeli për Korridorin 8, pa u pastruar dilemat për keqpërdorime (portali i gazetës Koha, portali Bota sot, portali Aktuale, portali Telegrafi, 3 prill 2023). Тë gjithë këto janë shembuj ilustrues për zhvillimin e gazetarisë kopjuese.

Televizioni Alfa, gjithashtu ngriti dilemën, duke shtruar pyetjen “Pse qeveria firmosi me “Eptisën” për mbikëqyrje të Korridorit 8, për të cilën pohonin se është kriminale“? Edhe pse në titull, dilema me intonacion konkludues duket sikur ngrihet nga vetë media, në fakt, bëhet fjalë për transmetimin e kritikave dhe akuzave nga lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili deklaronte se “Me këtë hap pushteti dëshmon se e ka të rëndësishme se kush do të jetë mbikëqyrës, që të mund të firmos çfarë do që tu thuhet, e jo realisht se çfarë ndodh në terren”.

Transmetimi i këtillë i qëndrimeve politike në formë të dilemave me konotacion të qartë kundër pushtetit, tregon se një pjesë e mediave, duke dashur të shfaqen me politike editoriale kritike ndaj qeverisë, transferohen në grupin e mediave, të cilat janë “zëdhënëse të opozitës”!

Pas ceremonisë së përurimit të projektit për Korridorin 8, edhe Televizioni Telma, i cili njihet si media e balancuar dhe korrekte, transmetoi kronikën me titull “Manifestim për Korridorin 8 – autostradë për të cilën nuk ka projekt dhe është e vizatuar vetëm në bluzën e Grubit“. Në këtë kronikë Telma raportonte në këtë mënyrë:

“E tërë qeveria erdhi dhe fotografohej, por problemet me kompanitë kontestuese, të cilat   duhet të bëjnë mbikëqyrje të këtij, siç e quan qeveria projekti historik, edhe më tej qëndrojnë pezull. Pas publikimit të disa hulumtimeve gazetareske për lëshimet e mëdha për mbikëqyrjen dhe konsultimet për këto dy korridore, Prokuroria vendosi që pas zërave në opinion për të gjitha kompanitë kontestuese, të hap lëndë. Në mbikëqyrje është angazhuar një kompani e një të ikuri nga ligji, me ndalesë të mëhershme për pjesëmarrje në projekte të këtilla, por edhe një kompani, e cila para kësaj autostrade merrej me prodhimin e veshjeve të brendshme”.

Në fakt, akuza se mbikëqyrjen ndaj realizimit të projektit Korridori 8 do ta bëjë një kompani, e cila merret me prodhimin e veshjeve të brendshme, e publikoi partia djathtiste VMRO- DPMNE, që mund të evidentohet nga portali për grumbullimin e lajmeve nga mediat e ndryshme time.mk. Titulli përmbledhës i mediave është: VMRO DPMNE: Doli në shesh veshja e papastër e pushtetit, kanë zgjedhur kompani për qepjen e brekëve për të bërë mbikëqyrje

Në kronikën e TV 24 me titull “Korridori 8: Gurthemel ka, projekt nuk ka, përgjigje për mbikëqyrjen kontestuese nuk ka“. Në raport thuhej: “Ndërsa antikorrupsionerët mbledhin dokumentet, ndërsa Prokuroria veçmë hapi lëndë për tenderin i cili peshon 22 milionë euro për mbikëqyrjen e ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10D, nga Qeveria ne një ceremoni solemne hodhën lopata për gur-themel për aksin Tetovë-Gostivar”. Që në titull, kjo media dezinformon apo plason “lajm të rremë”, sepse në ceremoninë e nisjes së projektit nuk pati vënie të gur-themelit.

Ndërsa TV Alfa raportoi me titullin “Megjithë kontradiktat e shumta, qeveria vendosi gur-themel për projektin për autostradat e reja“. Kjo media, që në titull prejudikon dhe hedh dyshime mbi “pastërtinë” e projektit, ndërsa në tekstin e kronikës raportuese e përgënjeshtron titullin, pasi nuk ka pasur vënie të gur-themelit. Në të thuhet “Skenë pompoze me qilim në formë të autostradës, foltore me numër 8, helikopterë në qiell, polici në çdo hap dhe autostradë të mbyllur-gjithë kjo për shpalosjen e tabelës”.

Më tej, reporteri nga kjo ngjarje nuk ka mundur të përmbahet nga komentet raportuese, duke konstatuar se “Artan Grubi, i cili është bartës i projektit ishte aq i entuziazmuar saqë mbante veshur bluzë me numrin 8, ndërsa fjalimi i tij ngjante sikur të kishte fituar Oskar, madje falënderoi gjithë Qeverinë”. Po ky televizion, sloganin e njohur në diskursin politik në hapësirën shqiptare “Bac u kry” e transmetoi në mënyrë origjinale me shkronja cirilike “Bac u kry, Grubi përdori slogan, i cili simbolizon luftën për pavarësinë e Kosovës“. Në fakt slogani nuk ka të bëjë me luftën e Kosovës, por është një logo e krijuar posaçërisht për pavarësinë e Kosovës. Kumti i drejtohet Adem Jasharit, komandantit të UÇK-së në Kosovë, i cili u vra së bashku me gjithë familjen e tij në një konfrontim me forcat serbe.

Edhe DW ngre dyshime, debati mbi Korridorin 8 daton nga viti 2005

Dyshime mediatike ndaj projektit Korridori 8, nuk ngritën vetëm mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare që transmetojnë program në gjuhën maqedonase, siç është rasti i Radio Dojçe Vele, e cila publikoi tekstin me titull “Autostrada të asfltuara me dyshime: Behtel Enka do të ndërtojnë katër autostrada për 1.3 miliad euro“. Sipas këtij raportimi “Që në fillim të këtij projekti ambicioz, autostradat janë të asfaltuara me shumë dyshim, akuza për skandale dhe tenderë kontestues”.

Ka pasur portale që kanë raportuar me ironi ndaj ceremonisë për nisjen e projektit, siç është portali E-Magazin, i cili raportoi me titullin “E kapërdijnë kilometrin e parë, reagime në Twiter për ceremoninë e Korridorit 8“.

Nga kërkimet mbi këtë projekt, mund të verifikohet se që në vitin 2005 në opinion ka pasur dyshime mbi Korridorin 8. Arkivi i portalit Vreme i datës 12 mars 2005, në raportin me titull “Korridori 8 dhe 10 qëndrojnë prezull” nga Samiti i vendeve të Evropës Juglindore theksonte: “Maqedonia dhe vendet tjera nëpër të cilat kalojnë korridoret 8 dhe 10 nuk janë angazhuar sa duhet të realizohen këto projekte infrastrukturore, konkluduan më shumë biznesmenë në ditën e dytë të Samitit për zhvillim të vendeve të Evropës Juglindore, e cila u mbajt në Shkup. Sipas tyre, për këtë shkak Korridori 8 (Lindje Perëndim) tërësisht mund të hidhet poshtë”.

Ndryshe nga ky debat, mund të shihet se qeveria e atëhershme, e cila si kjo e tanishmja përbëhej nga LSDM-ja dhe BDI-ja, i ka pasur prioritet korridoret 8 dhe 10, ndërsa arsyetimi i tyre ishte se bëhet fjalë për projekte rajonale, në të cilat mbështetej zhvillimi i infrastrukturës, që është parakusht për zhvillimin ekonomik.

Mediat shqipe në raportimet mediatike lexojnë interpretime antishqiptare

Ndaj raportimeve të këtilla, por edhe ndaj reagimeve tjera kundër projektit që bëhen nga forcat më pak relevante politike, si E Majta (Levica) ose kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski – një pjesë e mediave në gjuhën shqipe përgjigjet me narrativ mbrojtës ose kundërshtues.

Televizioni 21 më 25 prill si kundërpërgjigje ndaj vlerësimeve të Dimitar Apasievit, lider i Levicës dhe Dimitrievskit transmetoi kronikën me titull “Fushatë kundër Korridorit 8 apo fushatë anti-shqiptare? “Rezistenca  është e  madhe kur kalkulohen benefitet për shqiptarët“.

Ndërsa portali Zhurnal, më 26 prill publikoi komentin me titull “Kujt po i pengon korridori 8 dhe 10D?“. Në koment theksohet:

 “Janë ca mbetje me mendësi të stërvjetëruara që tentojnë të qëndrojnë në skenën politike përmes anti-shqiptarizmit. Pra, në mungesë të programeve dhe ideve për projekte të dobishme për vendin ky front merret me projekte që tashmë kanë filluar të realizohen se sa qenkan të “rrezikshme” për vendin. Frontin kundër korridorit 8 dhe 10D e përbëjnë, VMRO-DPMNE, partia më e madhe opozitare maqedonase, E Majta që nuk ka takat, dhe një politikan “jetim” pa parti Maksim Dimitirevski, të cilët ndër vite kanë dëshmuar me politikat e tyre që janë anti-shqiptarë. Dhe, tani nuk e kanë mendjen e as hallin as te buxheti për projektin, e askund tjetër, por shqetësohen nga përafrimi i shqiptarëve”.

Edhe portali Centar, që ka politikë editoriale që favorizon pushtetin, publikoi tekst mbështetës ndaj projektit me titullin “Komploti kundër Behtel Enka bie në ujë, fillon ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10“.

Në raportimin me titull “Marrëveshja me Behtel-Enka, është apo jo konfidenciale? Qeveria me tre qëndrime për dy ditë“, TV Alsat gjeti deklarata konfuze të përfaqësuеsve qeveritarë mbi nivelin e klasifikimit informativ të marrëveshjes me kompaninë amerikane – turke. Sipas Alsat, pushteti doli me qëndrimin e tretë ndryshe për marrëveshjen me Behtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 D. “Derisa për zv/kryeministrin Artan Grubi marrëveshja ishte e klasifikuar, ndërsa deputeti i LSDM-së, Darko Kaeski deklaroi se do të publikohet së shpejti, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se marrëveshja është pjesërisht e klasifikuar”.

Përfundime

Raportimi mbi përgatitjet dhe fillimin e projektit Korridori 8 nuk i ka shpëtuar narrativit etnocentrik dhe diskursit favorizues apo kundërshtues politik. Një pjesë e mediave në gjuhën shqipe tek narrativi dyshues apo kundërshtues ndaj projektit kanë lexuar tendenca kundër përafrimit të shqiptarëve në aspektin e infrastrukturës, që ndikon drejtpërdrejt ndaj zhvillimit ekonomik.

Një pjesë e madhe e mediave janë mjaftuar të luajnë rolin e përcjellësve të qëndrimeve politike, sidomos nga opozita maqedonase, e drejtuar nga VMRO DPMNE, pa ofruar qasje kritike mbi qëndrimet politike. Në gjithë diskursin politik të opozitës dominon dyshimi mbi faktin se projekti mund të jetë i korruptuar, të cilit i janë bashkëngjitur edhe media të afërta me opozitën, por edhre një pjesë e mediave që janë të njohura për politikë korrekte editoriale, madje edhe Radio Dojçe Vele në gjuhën maqedonase.

Ndërsa portalet që mbështesin projektin e Korridorit 8 kanë raportuar duke ofruar argumente ekonomike dhe zhvillimore për Maqedoninë e Veriut, por edhe afrimin e produkteve me tregun evropian.

Ka pasur edhe raportime që kanë qenë të bazuara, si ato lidhur me konfidencialitetin e marrëveshjes, por ka pasur edhe nga ato që nuk kanë objektive dhe të sakta, por edhe prej atyre që nuk kanë përfshirë “palën e dytë” në raportimet gazetareske.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut