Fondi për produkte mediatike, hap drejt pluralizmit

Pse gazetaria në Maqedoninë e Veriut është në rrezik? Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë ndaj krizës në fushën e medias? A mund të shpëtohet profesioni i gazetarisë? A është Fondi i produkteve mediatike një zgjidhje? Si mund të funksionojë ky fond dhe pse është e domosdoshme të mos jetë i varur nga partitë politike?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Gazetaria në Maqedoninë e Veriut është në rrezik të madh! Kjo u tha nga njeriu i parë i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ),  Ricardo Gutierrez, sipas të cilit kjo ndodh për shkak të “polarizimit, mungesës së pluralizmit, ndërhyrjes ndaj politikës redaktuese, kushteve të këqija të punës dhe faktit që disa kompani mediatike janë të paqëndrueshme”!

Në fakt, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por gazetaria në kuptimin burimor apo tradicional të fjalës është në rrezik në gjithë botën. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe sidomos i rrjeteve sociale ka ndikuar që gazetaria e lajmit (të saktë dhe të vërtetë) të humbë fuqinë, duke u zëvendësuar nga një lloj i ri i gazetarisë, asaj portaleske – sensacionaliste.

Si të shpëtohet gazetaria e vërtetë, ajo profesionale, që funksionon mbi bazën e standardeve dhe normave etike?

Federata Evropiane e Gazetarëve konsideron se gazetaria në Maqedoninë e Veriut mund t’i shpëtojë rrezikut të madh nëse krijohet Fondi për produkte mediatike (për mbështetjen e së cilit qeveria ka shprehur gatishmëri), si mënyrë për të përmirësuar përmbajtjet mediatike, para së gjithash duke siguruar lajme cilësore dhe promovuar pluralizmin mediatik (pluralizmin e mendimeve dhe ideve) dhe interesin publik. Ky model i “subvencionimit” të mediave private (komerciale), mediave të komunitetit apo mediave jofitimprurëse, tashmë praktikohet në shumë vende të Bashkimit Evropian.

Fondi do të mundësonte zhvillimin e gazetarisë etike dhe diversitetin në përmbajtjet mediatike, qofshin të natyrës informative- analitike, debatuese, por edhe në zhanre tjera gazetareske. Fondi do të lehtësonte punën e mediave tradicionale elektronike, duke marrë parasysh faktin që buxheti i reklamave komerciale për radiot dhe televizionet private është përgjysmuar. Fakti që në Maqedoninë e Veriut veçmë bëhet subvencionimi i gazetave të përditshme, ndërsa pas heqjes së taksës radiodifuzive nga Qeveria e Zaevit, shërbimi radiodifuziv publik (RTVM) financohet nga buxheti i shtetit, tregon se edhe mediat tjera komerciale duhet të mbështeten nga shoqëria.

Si burime të mjeteve për sigurimin e sistemit të mbështetjes financiare (subvencioneve) për pluralizmin mediatik mund të shfrytëzohen buxheti i shtetit dhe buxhetet e komunave, por edhe tatime që ekzistojnë, si p.sh një pjesë e tatimit nga të ardhurat e reklamimit, një pjesë e tatimit nga shitja e mjeteve elektronike, një pjesë e tatimit nga pagesa për qasje në Internet etj.

Por, cilët duhet të jenë vendimmarrësit në fond? Çdo model që parashikon që politika, qoftë ajo e pushtetit apo e opozitës të vendosë mbi projektet e mediave të ndryshme, idenë për themelimin e këtij fondi do ta “vriste” para se të fillojë jetësimin. Pavarësisht se edhe opozita mund të pajtohet me modelin që në “bordin” apo “këshillin” e këtij fondi të ketë edhe përfaqësues të saj me të drejtë vendimmarrjeje reale, qoftë ajo edhe e formës konsensuale, kjo qasje nuk duhet të pranohet. Kjo, për faktin, se ideja evropiane për Fond mediatik do të ballkanizohet, duke u bërë pazare politike në të.

Kontrolli i propozuar politik i pushtetit dhe opozitës mbi këtë fond është larg modelit të ish – qeverisë së Gruevskit, kur Komisioni Ndërdikasterial që vendoste mbi projektet e “interesit publik” ishte i përbërë nga shtatë anëtarë, edhe atë nga një përfaqësues kishin Ministria e Financave, ajo e Kulturës, Agjencia e Filmit, Agjencia e Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale, një përfaqësues nga Zyra e kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike. Pra, siç shihet, në dorën e pushtetit ishte vendimmarrja për projektet televizive të fushës së dokumentareve dhe për programet artistike vendore të zhanreve të ndryshme (filma televizivë, filma të animuar, seri, monodrama dhe drama, komedi, telenovela dhe opera sapuni).

Mirëpo, jo vetëm pse është rekomandim i Këshillit të Evropës që trupi i Fondit të funksionojë jashtë organeve të pushtetit në nivel qendror dhe vendor, por mbi të gjitha për shkak të specifikave që ka sistemi politik dhe mediatik i Maqedonisë së Veriut, nuk duhet lejuar që ky trup të jetë politiko – partiak, sepse përvoja e deritanishme dëshmon se mbështetja ndaj mediave shpejt dhe lehtë transformohet në instrument për ndikim ndaj politikës editoriale të mediave.

Ky trup nuk mund të funksionojë as në kuadër të organit rregullator, si Fond për financimin e kulturës audiovizuale, për shkak se Agjencia e Mediave vazhdon të jetë organ politik dhe larg së qeni i pavarur. Ndërsa masat për mbështetje financiare të mediave, patjetër duhet të garantojnë transparencë, pavarësi dhe mosdiskriminim politik.

Prandaj, modeli më i mirë do të ishte themelimi si organ i pavarur dhe i mëvetësishëm, i cili do të përbëhet nga ekspertë të fushës së mediave dhe përfaqësues të organizatave mediatike. Një model i tillë ekziston në Holandë, ku ekziston Fondi i Gazetarisë.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut