Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Besoj se pothuajse të gjitha partitë dhe liderët, pavarësisht vallë janë në opozitë apo në pushtet, e dinë dhe janë të vetëdijshëm se nga antarësimi i vendit në BE varet ardhmëria më e mirë e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë së tyre. Ndërsa, ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE – kështu thuhet edhe në Kornizën e miratuar negociuese. Ai stacion në rrugën drejt Evropës duhet të kalohet që të vazhdohet më tej.

Deri më tani, pothuajse të gjitha partitë politike në vend janë prononcuar publikisht se anëtarësimi në BE është prioriteti i tyre. Dhe kjo është gjë e mirë, sepse kjo është një çështje e rëndësishme që kërkon konsensus politik dhe shoqëror.

Por nuk është mirë kur, në vend të asaj për të cilën angazhohen publikisht, disa aktorë politikë dhe publik bëjnë diçka krejtësisht ndryshe. Nuk është mirë kur kjo çështje përdoret për përfitime e pazare ditore politike, e në vend të dialogut – zhvillohet “dialog i të shurdhërve”, i ngarkuar me akuza reciproke, propagandë politike, dezinformata, fyerje, shpallje “tradhtarësh” dhe nxitje të urrejtjes dhe përçarjeve në më tepër baza.

Kjo qasje nuk sjell përparim në rrugën drejt BE-së, por kthim prapa. Humbje për të gjithë dhe sërish ngecje në dhomën ballkanike të pritjes të bllokuar në tranzicionin e pafund.

Në vend të kësaj, na duhet bashkëpunim mes pushtetit dhe opozitës, por edhe një dialog thelbësor publik në shumë sfera, në të cilat do të duhet të përmirësohemi në rrugën evropiane.

Na duhen përgjigje për shumë pyetje. Si mund të arrijmë në një gjendje në të cilën shteti, institucionet, politika, ekonomia, gjyqësori, shëndetësia, arsimi, … nuk do të helmohen e hahen nga korrupsioni, krimi, zvarritja dhe injoranca dhe nuk do të shkatërrohen në betejat për interesa personale apo partiake?

Nga kjo varet nëse do të arrijmë në një të ardhme evropiane më të denjë dhe më të mirë. Këtë e presion qytetarët nga politikanët. Të kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje për këto probleme, e jo probleme për zgjidhjet.