Çfarë tregojnë anketat e fundit mbi besueshmërinë e qytetarëve ndaj partive politike? Sa kjo besueshmëri ka shënuar rënie krahasuar me atë ndaj institucioneve tjera? A ka raportim të njëanshëm mediatik mbi rezultatet e sondazheve? A ka mashtrime në sondazhe? Pse qytetarët kanë mosbesim ndaj sondazheve politike?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Anketat e fundit të realizuara nga institute dhe organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë rënie të besueshmërisë së qytetarëve ndaj partive politike, por edhe ndaj institucioneve të shtetit.

Besueshmëri tepër e ulët ndaj partive politike

Bazuar mbi vlerësimet e qytetarëve nga shkalla 1 deri në 10, partitë politike kanë besim në shkallën 3, që është tepër negative, përkatësisht trendi tregon se besueshmëria ndaj subjekteve politike është në rënie të vazhdueshme.

Nuk janë më mirë as institucionet tjera të shtetit: presidenti i shtetit me besim prej 3,6, ndërsa vlerësim më të ulët ka gjyqësia me 2,7, Kuvendi ka besueshmëri prej 3,4, ndërsa Qeveria prej 3,3. Të dhënat u siguruan nga hulumtimi i fundit i përgatitur në kuadër të “Programit për përkrahje parlamentare”, që e zbaton Instituti Demokratik Kombëtar amerikan (NDI), në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Gjysma e qytetarëve do të abstenojnë ose nuk kanë vendosur për kë do të votojnë në zgjedhje 

Qytetarët e kanë të njëjtin perceptim edhe lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje parlamentare, meqë rreth 50 për qind shprehen se nuk do të marrin pjesë në votime ose nuk kanë vendosur se për cilën parti do të votojnë.

Këto të dhëna tregojnë se apatia politike e qytetarëve është e madhe, që është rezultat i dëshpërimit si pasojë e krizës ekonomike, veçanërisht rritjes së madhe të çmimeve, papunësisë sidomos të të rinjve dhe mosrritjes së pagave në sektorin publik dhe privat.  Nëse kësaj ia shtojmë edhe rritjen e pagave për zyrtarët e zgjedhur të emëruar shtetërorë dhe publikë prej 78 % (mesatarisht rreth 1000 euro në muaj), sikur shuhen shpresat për një të ardhme më të mirë.

Rezultat i kësaj apatie janë autobusët dhe aeroplanët e mbushur çdo ditë me të rinj dhe të reja, që nisen drejt Perëndimit evropian, por edhe drejt ShBA-së dhe vendeve tjera.

Raportim i njëanshëm i sondazheve politike

Raportimi mbi rezultatet e anketave të opinionit publik, si edhe për shumë çështje tjera, është i njëanshëm në aspektin politik, por edhe etnik, meqë mediat në gjuhën maqedonase vënë theksin tek anketat mbi partitë maqedonase, siç ndodh edhe me mediat shqipe.

Në bllokun maqedonas shpesh ndodh raportim favorizues për partinë VMRO DPMNE, duke transmetuar anketa të përgatitura nga institute të afërta me partinë djathtiste, siç janë Instituti Dimitrija Çupovski, Instituti Pavell Shatev, Instituti i Hulumtimeve Politike i drejtuar nga analisti Vlladimir Bozjinovski etj. Ngjashëm ndodh edhe me publikimin e anketave favorizuese për Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, si janë: Agjencia Rejting, Stratum etj.

Ndodh shpesh që, edhe pse rezultatet nuk janë aq drastike dhe nuk reflektojnë dallime të mëdha në aspektin e rejtingut partiak, një pjesë e mediave vazhdimisht të nxjerrë si parti triumfuese Bashkimin Demokratik për Integrim.

Platforma e gazetarisë hulumtuese Rrjeti Hulumtues Gazetaresk (IRL), në vitin 2020 publikoi shkrimin me titull “Luftërat informative përmes mediave për interesat e VMRO – DPMNE-së dhe LSDM-së“. Sipas këtij hulumtimi, Instituti “Habear Corpus”, një institut i panjohur që publikoi sondazhin e opinionit publik, pohonte se VMRO – DPMNE-ja është në epërsi ndaj koalicionit të atëhershëm midis LSDM-së dhe BESË-s. Ndërsa ditën e njëjtë, portalet që mbështesin pushtetin, publikuan sondazh sipas së cilit LSDM-ja është në epërsi, por nuk u publikua as porositësi e as ai që e ka përpunuar sondazhin.

Por, sipas Kodit Zgjedhor përkatësisht nenit 77, mediat janë të detyruara të bëjnë të ditur metodologjinë, periudhën e hulumtimit, emrin e porositësit, i cili e ka kërkuar dhe paguar hulumtimin dhe institucionin që e ka bërë hulumtimin.

“Rejtingjet politike mund shumë lehtë ta mashtrojnë opinionin dhe çdo pushtet ose opozitë i shfrytëzon që të dërgoj ujin në mullirin e tij”. Kështu vlerëson eksperti Boris Kamçev në analizën me titull “Mashtrimet me sondazhet politike“. Sipas tij, termi “rejting politik” është abstrakt dhe që të perceptohet thjesht, shprehet nëpërmjet rezultateve të marra nga hulumtimet sociologjike të realizuara me anketa, matematikë dhe statistikë.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut