Raportim mediatik etnocentrik dhe partiak mbi ndryshimet kushtetuese

Si raportuan mediat lidhur me ndryshimet kushtetuese? Cila ishte qasja e mediave maqedonase dhe shqipe? A pati qasje partiake – politike në raportimin mediatik? Sa pati shkelje të standardeve profesionale që parashikohen me Kodin Etik të Gazetarëve? Cilat media spekuluan më shumë rreth Preambulës së Kushtetutës dhe cili është propozimi konkret për ndryshime kushtetuese?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Ndryshimet kushtetuese, me të cilat në preambulën e aktit më të lartë juridik – shtetëror do të përfshihen bullgarët, që është kërkesë në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në,  kanë qenë në fokus të mediave gjatë muajve të fundit.

Mediat maqedonase, kritike ndaj pushtetit për koncesione ndaj bullgarëve

Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase, të cilat kanë qasje kritike ndaj pushtetit, kanë raportuar duke spekuluar dhe duke i ofruar publikut dezinformata, të cilat e manipulojnë dhe krijojnë frikë e huti të madhe, që ndërlidhet me gjoja rrezikimin e identitetit etnokulturor maqedonas nga pala bullgare.

Valës së spekulimeve mediatike i parapriu gazetari Branko Geroski, duke publikuar shkrimin autorial me titull “Në preambulë të ketë 2 popuj, 5 bashkësi dhe shumë pakica?! Shumë ide se si të gjithë të jenë të ‘lumtur’, përveç maqedonasve“! Në këtë shkrim autori thekson se “Dashamirët e numërimit etnik mund të ofrojnë zgjidhje për problemin. Kështu, në qarqe bisedohet për propozim, i cili mund t’i plotësojë kërkesat e të gjithëve, përveç maqedonasve, që edhe ashtu nuk i pyet askush, thotë një burim i mirëinformuar mbi bisedimet ‘në nivel të lartë’ për këtë temë të dhimbshme“.

Më tej autori ofron modelin e tij të supozuar mbi ndryshimet kushtetuese:

Në Preambulë do të ketë 2 popuj të barabartë – populli maqedonas dhe shqiptar, 5 bashkësi  etnike, të cilat në regjistrimin e fundit kanë pasur mbi 0.47 për qind të popullatës (domethënë, tanimë të përmendur: turqit, vllahët, serbët, romët, boshnjakët) dhe disa pakica – bullgarët dhe të tjerët që duan të hyjnë në kushtetutë.

Televizioni Alfa, një media që ka politikë editoriale proopozitare, më 11 prill të këtij viti ka raportuar me titullin “Sipas shijes së Bullgarisë: Pushteti maqedonas dëshiron që t’i barazojë maqedonasit de bullgarët në kushtetutën maqedonase“. Kjo media publikon titull sikur të ishte qëndrimi i saj editorial, e jo qëndrim i shprehur nga nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, sipas të cilit: Pushteti maqedonas dëshiron ta ndryshojë të vërtetën historike dhe t’i barazojë bullgarët me maqedonasit në kushtetutën maqedonase. Me ndryshimet, të cilat partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI tentojnë me çdo kusht t’i shtyjnë para, populli bullgar do të fitojë status të njëjtë si ai maqedonas në Preambulën e Kushtetutës.

Gazeta “Nova Makedonija” në shkrimin e saj me titull “Kërkesat e politikanëve shqiptarë paketohen në formë të kushteve dhe shantazheve“, i cili është përzierje mes fakteve dhe mendimeve e qëndrimeve, mes lajmit dhe komentit thekson se “Deklaratat e përfaqësuesve të bllokut politik shqiptar, përveç se krijojnë rrethana të reja vështirësuese për procesin edhe ashtu të kontestuar të ndryshimeve të kërkuara kushtetuese, e kthejnë si temë në skenën politike edhe çështjen e konstruktivitetit të elementit politik shqiptar në mbajtjen dhe përforcimin e sovranitetit shtetëror të Maqedonisë“.

Më tej, gazetarja Jasminka Pavllovska konstaton se (jo)konstruktiviteti i faktorit politik shqiptar për shtetësinë maqedonase në masë të madhe është i caktuar nga dëshirat e pashuara të qarta për bashkim rajonal të shqiptarëve në një entitet shtetëror -juridik.

Kjo tani bëhet e dukshme përmes propozimeve për realizimin e rikonstruimeve formalo – juridike në rregullativën kushtetuese – ligjore. Një sërë ekspertësh paralajmërojnë për një gjendje reale, në të cilën pa dallim të të gjitha të drejtave të avancuara të njeriut, që u janë mundësuar gjatë tri dekadave, tani në disbalansin aktual botëror, korpusi shqiptar në Maqedoni ka parë një shans të madh që në pakon e përfshirjes së bullgarëve në kushtetutën maqedonase të bëjë edhe një hap të madh drejt dekonstruimit të karakterit unitar të Maqedonisë në drejtim të federalizimit të saj.

Siç ndodh shpesh, në mediat e vendit, edhe në këtë shkrim nuk tregohet se kush janë “një sërë ekspertësh” – përkatësisht nuk bëhet i ditur identiteti i tyre, që nuk është në përputhje me standardet e gazetarisë, sepse anonimiteti i burimeve është i garantuar vetëm në raste të veçanta, por jo edhe për ekspertët apo analistët!

Mediat shqipe: Bullgarët në kushtetutë, shqipja nuk rregullohet

Në anën tjetër mediat në gjuhën shqipe theksin e kanë vënë tek fakti që me ndryshimet kushtetuese nuk do të përmirësohet statusi i shqiptarëve, përkatësisht nuk do të bëhet përkufizimi i tyre nga “pjesëtarë të bashkësisë, që janë mbi 20 %” në shqiptarë dhe as gjuhës shqipe nuk do t’i hiqet statusi i “gjuhës, të cilën e flasin mbi 20 % e popullatës”.

Gazeta Koha publikoi shkrimin me titull “NDRYSHIMET NË KUSHTETUTË: Bullgarët para ‘shqipes’!“. Në këtë shkrim thuhet:

Kundër gjuhës shqipe, kanë dal edhe shumë media maqedonase ku shkruajnë se pavarësisht njoftimeve se në këtë moment nuk është mirë të diskutohen ndryshime të tjera të Kushtetutës në pjesën e kërkesës së komunitetit etnik shqiptar, kjo nuk duhet të përjashtohet sepse në përpjekjet për të siguruar një shumicë prej dy të tretash, çdo votë do të jetë e rëndësishme dhe e mësuar nga praktika maqedonase, çdo votë ka çmimin e vet.

Portali Gazeta Expres raporton me titullin “Bullgarët, kroatët, malazezët – pjesë e Kushtetutës së RMV-së, nuk hiqet 20% për gjuhën shqipe“! Me anë të këtij titulli kjo media i bën me dije publikut se nuk do të hiqet përkufizimi statistikor i shqipes, ndërsa në kushtetutë do të përfshihen gjashtë popuj.

Shumë media në gjuhën shqipe kanë transmetuar deklaratën e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi me të cilën bën të ditur se pushteti nuk ka ndërmend të heq 20 përqindëshin nga kushtetuta:

Mes shumë deklarimeve në emisionin 360 në Alsat, mediat shqipe kishin apostrofuar qëndrimin e Bytyqit mbi 20 përqindëshin.

Mediat maqedonase fajësojnë kryeministrin për mospranimin e idesë së Mickoskit

Në fillim të qershorit, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski doli me qëndrimin se ndryshimet kushtetuese mund të miratohen nëse nga qeveria del BDI-ja dhe të njëjtat zbatohen kur Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Televizioni Kanal 5 raportoi me titullin “Mickoski: Kërkojmë qeveri kalimtare pa BDI-në, terren të barabartë për betejë zgjedhore de identitet të ruajtur“. Ky televizion e transmeton deklaratën e Mickoskit, në të cilën ai thotë: “Kur bëhet fjalë për amendamentet kushtetuese, në rregull, ja të themi se e pranojmë votimin për ta, por, efekti të jetë me veprim të prolonguar. Kjo do të thotë se nëse rrethanat nuk do të ndryshojnë praktikisht, nuk do të ketë ndryshim dhe amendamentet nuk do të jenë pjesë e kushtetutës së re deri në momentin kur Maqedonia nuk bëhet vend anëtar i BE-së“.

Pas refuzimit të kërkesës që të formohet një qeveri pa BDI-në përkatësisht që qeveria e re të jetë gjithëpërfshirëse, portali me politikë editoriale proopozitare Kurir publikoi titullin “Maqedonasit humbin në dëm të tyre 32 vite: Kovaçevski refuzoi dorën e dhënë për bashkim kombëtar maqedonas, tenderët më të rëndësishëm se sa interesi kombëtar“. Në këtë shkrim, portali pasi ofron deklaratat e kryeministrit Kovaçevski dhe Nikollovskit nga VMRO – DPMNE-ja, ofron komentin e tij: Mund të konkludohet se LSDM dhe Kovaçevski duan ta mbajnë BDI-në në qeveri dhe se tenderët i kanë më të rëndësishëm se sa interesin kombëtar. Këtë e konfirmon edhe skandali më i madh i ndërlidhur me Behtel – Enkën, ndërsa për shkak të koalicionit të LSDM-së dhe BDI-së, Maqedonia për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 nuk do të paguajë 1.3 miliard euro, siç thonë nga qeveria, por shumë më tepër.

Ndërsa portali Republika, duke u vënë në pozitën e zëdhënësit politik të VMRO DPMNE-së raportoi me titullin “Vetëm qeveri pa BDI-në është garanci për mbrojtjen nga vjedhja e zgjedhjeve dhe kontrolli i procesit“. Po përcjellim pjesë nga shkrimi i portalit Republika, i shkruar në zhanër të padefinuar përkatësisht në një formë hibride, në të cilën përzihen lajmi me komentin:

Rrethanat e këtilla, të cilat gjithsesi se janë pasojë edhe e LSDM-së pa karakter, e cila me çdo kusht tenton të mbetet në pushtet, pa pushtet, i mundësuan BDI-së komoditet dhe terren që të luajë si të dojë në skenën politike në Maqedoni dhe të luajë ‘ping pong’ edhe me LSDM dhe me partitë opozitare shqiptare, të cilat i pranon dhe i largon nga qeveria.

Natyrshëm, por edhe është më se e nevojshme, që BDI-ja, e cila ka lëshuar rrënjë të thella në institucione dhe me këtë siguron edhe mundësi për ndikim ndaj zgjedhjeve, të dalë nga qeveria dhe për herë të parë të sigurojë terren korrekt për partitë shqiptare në zgjedhje, por edhe për formimin e qeverisë së re, në të cilën nuk do të mund t’i keqpërdor partitë siç e bënte viteve të kaluara me LSDM-në.

Televizioni Alfa ka shtruar pyetjen dhe dilemën “Pse Kovaçevski është i varur nga Ahmeti dhe Grubi” dhe në kronikë komenton se “Krimi, projektet kundërthënëse, korrupsioni dhe rejtingu i dobët e mban LSDM-në të ngjitur me BDI-në. Kështu të mirinformuarit e komentojnë qëndrimin e Kovaçevskit, i cili me sa duket është i vetmi që dëshiron që integristët të mos e lëshojnë qeverinë“. Edhe pse bëhet fjalë për televizion me licencë kombëtare tokësore, raporton duke komentuar dhe duke përdorur formulime si “burime të mirëinformuara”, që siç thamë është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarisë.

Mediat shqipe: Ideja e Mickoskit “hedh në ujë” kryeministrin shqiptar

Një pjesë e mediave shqiptare idenë e Mickoskit për qeveri pa BDI-në, e kanë interpretuar si tentim për mosrealizimin e idesë së BDI- së, që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar nga radhët e partisë së Ahmetit, por edhe si thirrje për bashkim mbi baza etnike maqedonase:

Përfundime

Mediat në Maqedoninë e Veriut në raportimin mbi ndryshimet kushtetuese kanë pasur qasje etnocentrike, meqë mediat maqedonase theksin e kanë vënë tek përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa mediat shqipe tek mosndryshimi i statusit të gjuhës shqipe, e cila do të vazhdojë të quhet gjuha e 20 përqindëshit.

Në raportim gjithashtu është vërejtur raportim me dioptri partiake – politike, që ndodh rëndom kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme politike dhe ndërshtetërore.

Në këto raportime janë vërejtur dhe evidentuar shkeljet e rëndomta që u bëhen standardeve profesionale, që kanë të bëjnë me përzierjen e lajmit dhe komentit përkatësisht fakteve dhe mendimeve, gjë që është e palejuar në gazetarinë profesionale, por është vërejtur edhe thirrja në burime të paidentifikuara, edhe pse nuk bëhet fjalë për deklarime që rrezikojnë jetën apo sigurinë e burimeve ose familjarëve të tyre, siç parashikojnë standardet, por për ekspertë, që në media shpesh mbeten anonimë dhe publiku duhet t’u besojë vetëm pse media vendos të përdor burime anonime të ekspertizës apo analizës politike!

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut