Raportimi mediatik mbi sulmin e Vagnerit: Nga fillimi i fundit deri te triumfi i Putinit

Si raportuan mediat mbi zhvillimet e fundit në Rusi, sidomos pas sulmit të organizatës së paguar ushtarake Vagner në Rostov dhe tentimit për tu drejtuar kah Moska? A pati qasje të ndryshme lidhur me veprimet e kësaj organizate? A dalluan mediat shqipe nga ato maqedonase sa i përket qëndrimeve të Putinit? A pati në disa media maqedonase narrativ proputinist?

Shkruan: SEFER TAHIRI              

Zhvillimet dramatike në Ukrainë, gjatë 17 muajve të fundit, kanë qenë nën optikën e mediave të ndryshme të vendit, ndërsa sulmi i pjesëtarëve të grupit të paguar ushtarak Vagner dhe marrja e qytetit rus Rostov më 24 qershor dhe rrjedha e ngjarjeve më pas në disa media është raportuar me narrativ entuziast dhe tifoz, ndërsa në disa tjera raportimi ka qenë korrekt, neutral dhe i balancuar, edhe pse ka pasur nuanca sa i përket respektimit të këtij standardi profesional.

“Pushtimi” i Rostovit nga Vagneri, fillimi i fundit të Putinit

Në një pjesë të mediave, qasja raportuese ka qenë në drejtim të prezantimit të veprimit të Vagnerit si fillimi i fundit të qeverisjes shumëvjeçare të presidentit rus, Vlladimir Putin, i shoqëruar me poshtërimin e tij politik. Sipas një pjese të mediave, mosmarrëveshjet mes drejtuesve rusë dëmtojnë operacionet ushtarake në Ukrainë.

Radioja në gjuhën maqedonase Dojçe Vele ka raportuar me titullin “Përshkallëzim dramatik në Rusi: Kryengritje e armatosur e “Vagnerit“. Sipas radios gjermane “Luftëtarët e grupit të paguar ‘Vagner’ sipas shefit të saj Evgenij Prigozhin i kanë marrë të gjitha lokacionet ushtarake në qytetin rus Rostov. Në Moskë janë vënë masa antiterroriste, ndërsa automjete ushtarake patrullojnë në rrugë“.

Portali Civilmedia raportoi me titullin “Rostov nën shtetrrethim tankist, Prigozhin konfirmon se kontrollon dy rajone ruse“. Ky portal raporton se “Shefi i Ushtrisë private të paguar ‘Vagner’, Prigozhin, konfirmon se e ka marrë kontrollin ndaj dy rajoneve në Federatën Ruse – Rostov dhe Voronezh“. Por, portali tregohet korrekt dhe raporton se “Pohimet nuk janë konfirmuar”.

Portali i gazetës së përditshme Slloboden Peçat (Shtypi i lirë) këtë ngjarje e raportoi me titullin “Prigozhin u kërcënua me sulm hakmarrës dhe nisi drejt Moskës: Jemi të përgatitur të vdesim të gjithë për atdheun“. Titulli i jep rëndësi qëndrimeve të Prigozhinit, ndërsa në raportin mediatik ofron edhe perspektivën zyrtare ruse ndaj zhvillimeve, duke njoftuar se “Kremlini i mohon pohimet e Evgenij Prigozhinit, ndërsa gjithashtu kërkoi që Vagneri menjëherë të ndërpresë me veprimet joligjore“.

Edhe portali SDK.mk – Sakamdakazham (Dua të them) raportoi në mënyrë të balancuar mbi zhvillimet në Rusi. Titulli i raportit ishte “Vagneristët ndërhynë në Rostov, Kremlini akuzoi Prigozhinin për kryengritje të armatosur dhe e përforcoi sigurinë në Moskë“. Në këtë raportim portali SDK prezantonte qëndrimet e Prigozhinit në njërën anë, por edhe të zëdhënësit të Kremlinit rus, Dimitrij Peskov dhe guvernatorit të qytetit Rostov, i cili u bënte thirrje qytetarëve të jenë të qetë dhe të mos dalin jashtë.

Mediat: Rusia në prag të luftës qytetare

Një pjesë e portaleve në gjuhën shqipe sulmin e Vagnerit e kanë interpretuar kryesisht duke u bazuar tek titulli i Dojçe Veles se sulmi ishte “Goditje e rëndë për imazhin e Putitnit“.

Televizioni Alsat M raportoi me titullin “Rusia në prag të një konflikti civil! Ushtria Wagner mund të bëjë grusht shteti“. Në raportin mbi zhvillimet në Rusi, Alsat komentonte se “Rusia duket se po shkon drejt një lufte civile, pasi shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ka nisur një aksion për të rrëzuar nga pushteti Vlladimir Putin“.

Zhvillimet në Rusi, portali Tvnews i ka interpretuar me titullin “Shpërthen hapur lufta për pushtet mes Moskës e trupës Wagner“. Sipas portalit “Konflikti ziente prej kohësh por tani ka shpërthyer hapur. Nga Rusia njoftohet për një kryengritje të mundshme të kreut të trupës militariste, Wagner, Jevgeni Prigoshin kundër ushtrisë së rregullt ruse“.

Portali Botasot shkoi një hap para, pasi publikoi titullin “Rusia në luftë civile/ Strategjia e Prigozhin dhe karta e fundit e marshimit në Moskë, Putin evokon 1917-ën“. Sipas portalit “Rusia është përfshirë në një luftë civile në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Për Vlladimir Putin kjo është realisht kriza më serioze që nga marrja e detyrës“.

Ndërsa, portali në gjuhën maqedonase Centar (Qendër) raportoi me titullin “Vagner e frikësoi Putinin, automjete në rrugët e Moskës. Rusia në prag të luftës qytetare: Kremlini ftoi mercenarë që të përfshihen në gjuetinë e shefit të tyre Prigozhin“.

Portali Vocentar (Në qëndër) raportoi me titullin “Vallë fundit i vjen era: Kuzhinieri i nguli thikën Vlladimir Putinit! Evgenij Prigozhin filloi hakmarrje kundër kreut ushtarak rus – konfirmon se ka marrë kontrollin ndaj të gjitha lokacioneve ushtarake në Rostov“.

Portalet shqipe: Putini ka ikur, Rusia me dy presidentë!

Dy portale në gjuhën shqipe kanë raportuar në mënyra të ndryshme mbi fatin e Putinit. Portali Zhurnal raportoi me titullin “Kërcënimi nga WANGER- PUTIN iku nga Moska? Aeroplani i tij u ngrit dhe dyshohet se u zhduk nga radarët“. Sipas portalit ” Avioni i përdorur nga Vlladimir Putin dyshohet se ka fluturuar nga Moska në Shën Petersburg. Pas disa kohësh, avioni është zhdukur nga radari, që me shumë gjasa do të thotë se ka fikur pajisjet gjurmuese. Nuk dihet nëse Putin ishte në aeroplan. Peskov njoftoi më parë se Putin është në Moskë dhe punon në Kremlin. Harta e lëvizjes së supozuar të avionit u publikua nga Jason Jay Smart, një analist dhe korrespondent i Kyiv Post, me fjalët: Putini dëshiron të luajë kukafshehti me Prigozhin”.

Portali i gazetës së përditshme në gjuhën shqipe Koha raportoi me titullin “Moska “do të digjet” nga dueli i titanëve!

“Prigozhin ka patur prej kohësh debate të nxehta me dy drejtuesit e forcave ruse: Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit Gjeneral Gerasimov. Shefi i Wagner-it, i mësuar të përdorë gjuhë agresive dhe vulgare edhe në publik, kohët e fundit madje deklaroi se të dy “duhen pushkatuar” për sjelljen e tyre gjatë luftës. Megjithatë, Prigozhin duket se “merr krahë”, nga fakti se shumë suksese ushtarake ruse në Ukrainë janë arritur nga njerëzit e tij”.

Portali Inaonline publikoi shkrimin analitik me titull në formën dëshirore “Rusia tani ka dy presidentë“. Në këtë shkrim, transmetohet edhe prononcimi i ish-deputetit rus dhe pilot i Forcave Ajrore Sovjetike, Viktor Alksnis (73 vjeç), i cili shkruan në Telegram: “Me hidhërim duhet të them se Rusia është një hap më afër vdekjes së saj përfundimtare dhe të pakthyeshme”. Politikani me nofkën “Kolonel i Zi” shkon edhe më tej, qëllon personalisht Putinin: “Rusia sot ka dy presidentë – Presidentin e vërtetë Yevgeny Prigozhin dhe Vladimir Putin“.

Mediat prezantuan qëndrimet e Putinit

Një pjesë e portaleve dhe mediave tjera u kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme deklarimeve të presidentit rus Putin mbi zhvillimet në Moskë.

Portali Mkd.mk raportoi me titullin afirmativ në favor të presidentit rus “Putin: Ne do ta mbrojmë vendin tonë nga tradhtia e brendshme“.

Portali 360 gradë raportoi me titullin “Putin: Veprimet e Vagnerit janë tradhti dhe thikë pas shpine, përgjigja do të jetë e ashpër“.

Televizioni Klan Maqedoni qëndrimin e Putinit e transmetoi në mënyrë objektive: “Thikë pas shpine ndaj Rusisë, Putin premton ndëshkimin e rebelëve të Vagnerit“.

Njëri ndër informacionet më të përhapura në ambientin mediatik të vendit ka qenë ai mbi zgjedhjen e pasardhësit të Prigozhinit në krye të Vagnerit, por edhe ai mbi deklaratën e presidentit amerikan, Xho Bajden se “Po të isha në vend të tij (Prigozhinit) do të bëja kujdes se çfarë ha“, të cilat i grumbullon portali i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk.

Një fotografi me brekë e shefit të Vagnerit, e publikuar në rrjetet sociale gjatë qëndrimit të tij në Bjellorusi, në mediat e këtushme ka zënë hapësirë të madhe, saqë portali i Televizionit Kanal 5 ka raportuar me titullin “Prigozhin me veshje të brendshme në Bjellorusi“.

Përfundime

Raportimi mbi zhvillimet në Rusi, sidomos sa i përket sulmit të organizatës së ushtarëve të paguar Vagner, gjithmonë është përcjellë me spekulime, me lajme të pakonfirmuara, por edhe me raportime komentuese, në të cilat përzihen lajmi me komentin si zhanre të gazetarisë përkatësisht fakti me mendimin.

Në disa media, kryesisht ato maqedonase është zbatuar në përpikëri parimi i balancimit , duke u dhënë hapësirë të baraspeshuar si qëndrimeve të Prigozhinit, po ashtu edhe të Putinit. Ky balancim në raportim, duke ofruar hapësirë dhe kohë të ngjashme si për sulmuesin, ashtu edhe për viktimën, është i sforcuar dhe dëshmon se disa media kur është në pyetje Moska dhe Putini me çdo kusht dëshirojnë të respektojnë paanshmërinë dhe të jenë të distancuara profesionalisht.

Në raportim janë përvijuar narrativi pro-putinist në njërën anë dhe narrativi kundërshtues ndaj politikës së tij ekspansioniste. Përderisa një pjesë e mediave raportonin se sulmi i Vagnerit shënon fillimin e një lufte qytetare në Rusi, duke vënë edhe paralele historike me zhvillimet në këtë shtet në pjesën e parë të shekullit 20-të, një pjesë tjetër raportuan në mënyrë të balancuar, duke i vënë përballë akuzave të Prigozhinit edhe qëndrimet e presidencës ruse.

Nuk kanë munguar as narrativët etnocentrikë. Përderisa në një pjesë të mediave maqedonase vërehej një qasje me intonacion prorus, në disa media shqipe raportohej se Putini ka ikur nga Moska ose se do të bie nga froni presidencial dhe se ky do të jetë prolog drejt shthurjes së Federatës Ruse.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut