Analizë e “Metamorfozis”: Dezinformatat nga vendet e jashtme e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor

Dezinformatat dhe lajmet e rrejshme nuk janë vetëm problem i mediave, por edhe problem i sigurisë. Ata i destabilizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e minojnë besueshmërinë në institucionet demokratike, duke e penguar realizimin e qëllimeve më të rëndësishme strategjike të shteteve, përfshirë këtu edhe të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. 

Ky është konstatimi i përgjithshëm i analizës së re “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” e publikuar nga Fondacioni Metamorfozis, e cila thekson lidhjen mes ndikimeve të dëmshme të huaja dhe aktorëve vendas që përdorin narrative dezinformative për ta destabilizuar rajonin dhe për ta penguar integrimin euroatlantik. 

“Interneti mundëson përhapjen e dezinformatave dhe propagandës te një publik i gjerë, e kështu me pak shpenzime dhe në një kohë të shkurtër mund të ndikohet mbi perceptimet dhe mendimet e miliona njerëzve. E gjithë kjo ka potencial për një ndikim të fuqishëm gjeopolitik në dëm të interesave strategjike të vendeve ballkanike. Është alarmante që kjo dukuri nga çështje mediatike shndërrohet në problem sigurie dhe ka një tendencë ta lëkundë paqen edhe ashtu të brishtë në Ballkan”, thotë autorja e analizës, Irena Vishinska, analiste gjeopolitike.  

Analiza e bazuar në përpunimin e 2.000 lajmeve të rrejshme ose formave të tjera të dezinformatave nga 6 vende të Ballkanit tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor ende është një fushë për garë strategjike mes fuqive të mëdha për shkak të statusit të pazgjidhur në lidhje me integrimin euroatlantik, procesi drejt të cilit po zhvillohet ngadalë për shkak të pengesave nga ndikimet e dëmshme të huaja, aleatët e tyre antidemokratikë në vend dhe proceset e ngadalshme të reformave. 

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor bëhet edhe më interesant për faktin se kufizohet me BE-në, gjë që e bën atë edhe më tërheqës për vende si Rusia, Kina, Turqia, Irani dhe vendet e Gjirit, sepse Ballkani përfaqëson një prag për hyrje në tregun evropian prej pothuajse 800 milionë banorësh”, vlerëson Vishinska. 

Në analizën që mbulon Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, theksohet se vendet e rajonit duhet të përforcojnë bashkëpunimin me BE-në dhe NATO-n dhe të qasen në ekspertizën e tyre për ndërtimin e strategjive të rezistencës dhe reagimit ndaj ndikimeve të dëmshme të huaja. 

Filip Stojanovski, Drejtor për partneritete dhe zhvillim të resurseve në Fondacionin “Metamorfozis”, tha se publikimi ofron edhe njohuri lidhur me shtetet individuale, pasi që konteksti lokal është shumë i rëndësishëm. 

“Kështu, për shembull, në vendin tonë kemi një situatë në të cilën llojet kryesore të dezinformatave – si kudo – lidheshin me agresionin rus në Ukrainë, ndërkohë që përmes këtyre narrativeve kishte një sërë përpjekjesh për ta reduktuar mbështetjen që shteti e jep për mbrojtjen e Ukrainës ose për ta zvogëluar mbështetjen e sanksioneve të përbashkëta evropiane të cilave iu bashkuam ne si vend”, tha Stojanovski. 

Sipas analizës në vendin tonë vihen re edhe ndikime të tjera të huaja, të cilat jo gjithmonë reflektohen përmes përhapjes së dezinformatave. Ndonjëherë bëhet fjalë për të ashtuquajturën “fuqi e butë”, pra përmes promovimit të çështjeve ekonomike, kulturore ose ideologjike, të lidhura me interesa të huaja gjeopolitike. Të gjitha pozicionet e tilla gjeopolitike të njohura në interes të regjimeve autoritare kanë potencial të shndërrohen në burime dezinformatash. Si shembull për këtë janë dallimet në ndikimet kineze në rajon dhe në vend. 

“Ndikimi kinez në rajon fokusohet kryesisht në promovimin e Kinës si një fuqi ekonomike dhe efektivitetin e sistemit të tyre autoritar komunist, ndërsa në vendin tonë, krahas kësaj, evidente është edhe mbështetja për disa narrative ruse lidhur me Ukrainën dhe nga faktorë diplomatikë kinezë në vend”, thotë Stojanovski. 

Shembull i ndikimit të tillë që në vendin tonë nuk është regjistruar, por që është i pranishëm në rajon, është ndikimi iranian, ndërkohë që dallime ka edhe në ndikimin e Turqisë dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, theksohet në analizë. 

 Publikimi “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor“ (Geopolitical Perspective of Disinformation Flows in the Western Balkans) u publikua nga Fondacioni “Metamorfozis” në kuadër të projektit rajonal “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: zbulimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë vëzhguese”, i mbështetur nga Mbretëria e Holandës.

Burimi: Portalb.mk