Vizita që bëri bujë: Mediat shqipe me qasje afirmative, maqedonaset – kritike ndaj Kurtit

Shkruan: SEFER TAHIRI

Si raportuan mediat shqipe dhe maqedonase mbi vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut? Pse kjo vizitë në disa media u quajt private dhe jozyrtare? Cilat ishin shkaqet që kjo vizitë, edhe pse e realizuar me takime politike, morri vëmendjen e mediave më shumë se sa një vizitë protokollare? Si u pasqyrua emërtimi i rrugës Adem Demaçi? Si u bë që valëvitja e flamurit të “Shqipërisë së Madhe” të shkaktojë reagime të bujshme në mediat maqedonase?

Një vizitë, miliona reagime! Ky do të ishte interpretimi më i shkurtër mbi vizitën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Çair të Shkupit dhe Tetovë. Kjo vizitë kishte jehonë të madhe në shumë media në gjuhën shqipe, të cilat në vazhdimësi paralajmëronin vizitën, duke e komentuar si tepër të rëndësishme.

Pjesa më e madhe e mediave shqipe me raportim afirmativ për vizitën e Kurtit

Por, një pjesë e mediave (Medial, Tetova sot, Ina, Tetova1, Infoshqip, Shenja) siç vërteton portali grumbullues i lajmeve në gjuhën shqipe Fax.al, kanë dezinformuar mbi ditën e vizitës, duke vënë titullin: Albin Kurti të shtunën vjen në Shkup, ndërsa në fakt vizita ishte të premten, më 11 gusht.

Një ditë para vizitës së Kurtit, Televizioni Alsat raportoi me titullin “Tetova, gati për të mirëpritur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Siç shihet nga publikimi i lajmeve, mbi agjendën e vizitës së Kurtit është raportuar në vazhdimësi, ndërsa numri i lajmeve të transmetuara ka qenë tepër i madh.

Mediat maqedonase me reagime të shumta negative

Por, përveç raportimeve informuese dhe më shumë afirmative mbi këtë vizitë që kanë dominuar spektrin mediatik në gjuhën shqipe, në mediat maqedonase ka mbizotëruar diskursi negativ mbi këtë vizitë, i ndikuar nga politika, një pjesë e gazetarëve, analistëve, përfaqësues të shoqërisë civile e kështu me radhë.

Një numër i madh i mediave, qoftë ata që janë kritike ose neutrale ndaj pushtetit, publikuan një mori titujsh në të cilat fokusi i vizitës vihet mbi valimin e një flamuri të “Shqipërisë së Madhe” në tubimin e qytetarëve në Tetovë, të cilit iu drejtua kryeministri Kurti.

Portali Plusinfo mbi këtë veprim të disa qytetarëve publikoi titullin “Flamuri me “Shqipëri të Madhe” valonte dje në Tetovë. A do të marrin këta persona “trajtim” të njëjtë si avokati Menkinkovski, i cili e valoi flamurin e diellit të Kutleshit“.

Portali i drejtuar nga gazetari Branko Geroski në mënyrë implicite kërkon përgjegjësi nga kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Madje edhe të mos e vërente këtë lëshim gjatë ngjarjes, megjithatë kryetari i Qytetit të Tetovës, Bilall Kasami sot publikoi fotografi në rrjetin social Fejsbuk, në të cilat shihet edhe flamuri kontestues duke valuar, i cili tregon se pjesë të territoreve të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë janë pjesë e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe“.

Edhe portali Expres.mk, kritik ndaj pushtetit, shtroi pyetje të ngjashme “Pse Spasovski nuk i ndjek promovuesit e Shqipërisë së Madhe siç e ndoqi Menkinkovskin për diellin nga Kutleshi“.

Në këtë raport thuhej “Vallë Spasovski nuk ngrit padi kundër atyre që kanë mbajtur flamurin e Shqipërisë së Madhe për shkak të ndonjë kërkese apo vetë ka vendosur të mos e respektojë ligjin është pyetje për të cilën përgjigje duhet të japë MPB“.

Përderisa Televizioni Telma kishte raportim me narrativ informues, titulli i së cilit ishte “Flamuri i Shqipërisë së Madhe valonte në pritjen e Kurtit në Tetovë, Ministria e Punëve të Brendshme e zbardh rastin“, në disa media të afërta me VMRO-DPMNE-në ose që janë kritike ndaj pushtetit kërkohej me ngulm përgjegjësi për valimin e flamurit të “Shqipërisë së Madhe”.

Televizioni Alfa raportoi me titullin “Harta e Shqipërisë së Madhe, flamuj shqiptarë, këngë shqiptare – Çairi dhe Tetova sikur të mos jenë në Maqedoni.”

Ky televizion raportoi në këtë mënyrë:

“Shqiponjë dykrenore, flamur shqiptar, himn dhe këngë shqiptare, fjali vetëm në gjuhën shqipe, Tetova dhe Çairi për pritjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dukeshin sikur të mos jenë pjesë e Maqedonisë, ndërkaq manifestimi sikur të mbahej në Shqipëri ose Kosovë.

Në Tetovë përveç që valon flamuri i Shqipërisë së madhe, ambienti ishte i plotësuar me këngë popullore shqiptare. Në gjuhën maqedonase nuk u tha asnjë shkronjë, përkthim nuk kishte as për ekipet e gazetarëve që e ndoqën ngjarjen. Nuk kishte asnjë shenjë maqedonase që kujtonte se ngjarja ndodh në Maqedoni”.

Televizioni Sitell raportoi me titullinFlamuri i Shqipërisë së madhe për pritjen e Kurtit. A do të ketë përgjegjësi?

“I ardhur në vizitë private, i pritur e flamuj, bilborde, koncerte, kështu tetovarët i dëshiruan mirëseardhje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pas disa ngjarjeve në nivel lokal, për Kurtin u organizua koncert në sheshin e Tetovës, ndërsa atje midis turmës së qytetarëve ishte flamuri i valëvitur lart me hartën e Shqipërisë së madhe”, raportonte Sitel.

Ky televizion, në vend që të atribuonte burime të caktuara të identifikuara, narrativin kundërshtues ndaj vizitës e bazoi duke u thirrur tek opinioni publik. Në raport Sitell theksonte “Çfarë festuan kryetarët e komunave të opozitës shqiptare në shtet dhe në cilin territor janë kryetarë komunash pyet opinioni publik?”

Portali Skopje1, i njohur për politikën editoriale pro VMRO DPMNE-së, raportoi me titullin “Me flamuj të valuar shqiptarë dhe pa asnjë maqedonas, u ndryshua emri i rrugës “Brigada e dytë Maqedonase” në Çair.

Ky portal shkruante se “Në video bim pas foltores kishte tekst, i cili gjithashtu ishte i shkruar në gjuhën shqipe. Ngjarja nuk dukej si e organizuar nga komuna, por i ngjante një tubimi, ndërsa në të merrte pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti“.

Hapësirë e konsiderueshme për qëndrimet serbe mbi vizitën

Në një pjesë të mediave maqedonase, hapësirë e madhe u është dhënë reagimeve nga Beogradi mbi vizitën.

Portali Vo Centar (Në Qendër) raportoi me titullin “Vallë Albin Kurti (pa) qëllim e promovoi projektin e “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë? Serbët të tërbuar pas skenave të djeshme në Maqedoni: “Arroganca nuk ka kufij, kjo është e tepërt“.

Por ky portal edhe pse u referohet serbëve se reagojnë, transmeton vetëm deklaratën e drejtorit të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq i cili ka deklaruar se “Deklarata e Albin Kurtit që Shkupi të afrohet me Kosovën, Shqipërinë dhe Bullgrainë dhe të jetë larg Serbisë është arrogante dhe budallallëk i shumëfishtë“.

Ndërsa portali Plusinfo raportoi me titullin “Atë që e tha Kurti në Tetovë është pafytyrësi, serbët e kthejnë goditjen“. Ky portal transmetoi deklaratën e ish ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac, i cili tha se “Kurti po të kishte fuqi dhe mbështetje ushtarake, moti do të kishte filluar luftë në rajon“.

Hapësirë të madhe në mediat maqedonase i është dhënë edhe apelit të organizatës Diaspora e Bashkuar Maqedonase, që “Albin Kurti të shpallet persona non grata në Maqedoni“.

Mediat e transmetojnë deklaratën e kësaj organizate në të cilën thuhet:

DBM kërkon nga Qeveria e Maqedonisë që t’i shkruajë një letër proteste Kosovës, ta shpallë Albin Kurtin person non grata, të flasë hapur dhe seriozisht me bllokun shqiptar për këtë akt totalisht jo shtetëror, duke i kthyer të gjitha pikat e referimit, emrat e rrugëve, korrigjimin e të gjithë flamujve shqiptarë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe duke vepruar në pajtim me ligjet”.

Ndërkohë, mediat që kanë politikë editoriale favorizuese ndaj pushtetit, siç vërteton portali grumbullues i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk, kanë transmetuar deklaratën e kryeministrit Kovaçevski për portalin Civilmedia me titullin “Nga kabineti i kryeministrit Kovaçevski arriti dënimi i valëvitjes së flamujve të Shqipërisë së Madhe në Tetovë“.

Mediat shqipe trajtojnë reagimet maqedonase

Duke pasur parasysh morinë e reagimeve në kampin politik dhe mediatik maqedonas, mediat shqipe janë fokusuar tek trajtimi i tyre.

Televizioni Alsat raportoi me titullin “Ardhja e Albin Kurtit trondit Maqedoninë“, që do të thotë se nuk përdoret emri kushtetues i vendit Maqedonia e Veriut. në këtë raport, transmetohet deklarata e Kurtit, i cili ka thënë “Maqedonia e Veriut sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq më afër do të jetë anëtarësimit të Bashkimit Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit”. Më tej televizioni transmeton qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, e cila njoftoi se emri i rrugës “Adem Demaçi” është vendim i Këshillit të Qytetit të Shkupit që para dy vjetësh. Më tej raporti përcjell edhe qëndrimin e LSDM-së, e cila akuzoi se Mickoski është ai që mbështet organizatorët e vizitës së Kurtit, duke aluduar tek liderët e opozitës shqiptare. Alsat gjithashtu përcolli edhe qëndrimin e kreut të Kumanovës Maksim Dimitrievski i cili ftoi institucionet hetuese të hetojnë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, me mosintonimin e himnit të Maqedonisë por atij shqiptar.

Edhe Portalb e ka vënë theksin tek qëndrimi i Kurtit që Maqedonia e Veriut të distancohet nga Serbia. “Kurti në Tetovë: Maqedonia e Veriut sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, dhe sa më larg Serbisë, më afër BE-së“, ishte titulli i raportit të Portalbit.

Televizioni Klan Maqedonia raportoi ngjashëm si Alsat, madje edhe e titull të ngjashëm: “Vizita e Kurtit trondit kampin politik maqedonas“. Në raport u transmetuan qëndrimet e VMRO DPMNE-së, LSDM-së dhe kreut të Kumanovës.

Ndërsa portali Tetova Sot, i afërt me BDI-në në raportin e tij me titull “Në mes të Tetovës, Albin Kurti falënderon funksionarët e BDI-së, Rexhepin dhe Rustemin për rrugën Tetovë – Prizren” theksin e vuri tek një segment i fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh “Zëvendës ministri i infrastrukturës Hysen Durmishi është dakorduar me homologun e tij zëvendësministrin e Transportit Bekim Rexhepi dhe me drejtorin e NSH “Rrugët e Maqedonisë” Ejup Rustemi për një nga gjashtë opsionet e dala nga studimi i fizibilitetit me tunel 6.4 kilometra, pak më i gjatë se ai në Kalimash“.

Përfundime

Edhe pse sezon vere, kur zakonisht mediat i lënë qytetarët më të qetë, ka mjaftuar një vizitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Shkup, që të shkaktojë reagime të bujshme në mediat maqedonase.

Përderisa në pjesën më të madhe të mediave shqipe ka pasur raportim afirmativ mbi vizitën e Kurtit, në mediat e afërta me BDI-në pati tendenca për minimizimin e kësaj vizite, pasi kryeministri i Kosovës nuk pati asnjë takim me përfaqësues të kësaj partie, por vetëm me përfaqësues të opozitës shqiptare.

Në mediat maqedonase nuk kanë rreshtur raportimet me tone kritike lidhur me valëvitjen e flamurit të “Shqipërisë së Madhe” në tubimin e organizuar nga Komuna e Tetovës për nder të vizitës së Kurtit. Ndërsa ka pasur edhe shumë raportime kritike mbi emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” duke vënë theksin se ai ka qenë i dënuar me burg në Jugosllavi për shkak të qëndrimeve për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Narrativët me ton kritik por edhe etnocentrik në media janë evidentuar edhe lidhur me faktin që manifestimi për nder të rrugës së re është zhvilluar vetëm në gjuhën shqipe.

Lidhur me reagimet në kampin politik maqedonas, në mediat shqipe ka pasur raportim kryesisht korrekt dhe të balancuar, meqë nuk janë regjistruar raportime komentuese, që janë shpesh praktikë e mediave të vendit kur trajtohet çështje me sensibilitet etnik.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut