IMA: Sulmi i fundit mbi gazetarët e Alsatit është vazhdim i trendit brengosës që kërcënon lirinë e mediave dhe demokracinë

Sot në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u sulmua ekipi i televizionit Alsat ndërsa ishte në detyrë. Sulmi fillimisht verbal dhe më pas fizik ka ndodhur derisa dy gazetaret e televizionit Alsat, Era Gjakova dhe Sarah Hoxha së bashku me kameramanin po xhironin në terren, lajmëroi TV Alsat.

“Një person që kishte dhe dyqanin aty pranë pa kurrfarë arsye ka kërcënuar me mjete të mprehta gazetaret dhe kameramanin. Ai madje i kërcënoi ata me jetë. Pas kërcënimeve me jetë, pa kurrfarë arsye personi sulmoi fizikisht kameramanin e Alsatit duke i shkaktuar lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në lajmin e botuar nga TV Alsat.

Edhe krahas zbardhjes të disa rasteve të sulmeve fizike dhe verbale me gjuhë urrejtjeje ndaj gazetarëve kohëve të fundit, kjo praktikë në Maqedoninë e Veriut po vazhdon dhe po merr pëmasa brengosëse. Është për keqardhje se këto sulme vijnë jo vetëm nga aktorë politikë, por edhe nga sektori i biznesit si dhe nga një pjesë e qytetarëve, sidomos në rrjetet sociale. E siç po shohim, jo rrallë, qasja e tillë ndaj mediave po transferohet nga bota virtuale në atë reale.

Instituti për Media dhe Analitikë IMA rithekson se për parandalimin e dhunës, gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve ndaj mediave nuk mjafton vetëm veprim më efikas institucional.  Për të luftuar këto dukuri negative nevojitet veprim gjithëpërfshirës shoqëror dhe bashkëpunim i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, biznesit dhe mediave. Është gjithashtu i nevojshëm edukimi i qytetarëve për pasojat e dëmshme të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj gazetarëve për mbarë shoqërinë dhe demokracinë, sepse kur kërcënohet liria e mediave dhe shprahja e lirë, kërcënohet esenca e çdo sistemi demokratik.