Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane: Qasja ndërsektoriale praktikisht ende mungon në planifikimin e politikave

Nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane, Shkup

Qasja ndërsektoriale praktikisht ende mungon në planifikimin e politikave, kjo duket qartë nga vetë-prezantimi i vendit, si dhe nga përgjigjet e Komisionit në Raportin e Skriningut të Maqedonisë së Veriut, i botuar në korrik 2023.

Drejtësia, gjyqësori, organet e përndjekjes apo policia si dhe administrata duket se trajtohen në sistemin tonë shtetëror si koncepte që kuptohen në mënyrë abstrakte, të palidhura me sektorë konkretë të praktikës ekonomike dhe sociale. Për shembull, pyetja nëse ka korrupsion nuk është vetëm çështje përndjekjeje, nuk është vetëm një pyetje ku përgjigjet Ministria e Drejtësisë dhe/ose Ministria e Brendshme, por edhe pyetje e praktikave ekonomike dhe sociale, të cilave të gjithë sektorët, veçanërisht më të cenueshmit, duhet të përgjigjen. Sipas Raportit nga procesi i skriningut, ndër sektorët më të cenueshëm janë pikërisht shëndetësia, arsimi dhe vetëqeverisja lokale.[1]

Në kapitullin “Administrata Publike”, Raporti citon nenin 41 të Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore, i cili i referohet të drejtës së qytetarit për administrim të mirë. Me këtë Raporti e bën të qartë se institucionet demokratike janë diçka që konkretizohet në nivelin më themelor dhe se një sistem formal demokratik (ekzistenca e demokracisë parlamentare) nuk mjafton që një vend të quhet demokratik në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore. Në këtë pjesë theksohet qartë se administrata duhet të jetë në shërbim të qytetarit, e barabartë dhe e harmonizuar në të gjithë sektorët. [2]

Raporti, për fat të keq, jep një pasqyrë të qartë se, megjithatë, secili prej sektorëve sillet si një “univers” më vete. Kështu, sikur nuk ka ndërgjegjësim se për administrim të mirë nuk mjafton vetëm puna e mirë në  Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës, por se kjo vlen për një sektor specifik dhe njësi tematike ndërsektoriale (sipas Klasterëve). Le të shohim këtë citim nga Raporti:

Llogaridhënia – Organizimi i administratës publike është efikas dhe efektiv në të gjitha nivelet e qeverisjes. Organet e administratës publike janë të hapura dhe transparente dhe zbatojnë mekanizma të përcaktuar qartë të llogaridhënies së brendshme dhe të jashtme. Organet e fuqishme mbikëqyrëse mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe interesin publik. Ofrimi i shërbimeve dhe digjitalizimi – Administrata publike vendos përdoruesit në qendër dhe ofron shërbime me cilësi të lartë dhe lehtësisht të qasshme onlajn dhe oflajn për të gjithë njerëzit dhe bizneset. [Shkronjat tona të pjerrëta] Digjitalizimi mundëson vendime të bazuara në të dhëna, procese efikase dhe efektive, si dhe shërbime cilësore dhe të qasshme.[3]

Pas vetëprezantimit të vendit për temën e administratës publike dhe pas hyrjes në kapitullin e Komisionit që citojmë dhe parafrazojmë më sipër, vlerësimi i Komisionit është se një nivel më i lartë i interoperabilitetit dhe digjitalizimit është i nevojshëm në funksion të ndërveprueshmërisë ndërmjet sektorëve. Ndërveprueshmëria ka versionin dhe përkufizimin e vet digjital, por edhe ligjor, dhe ky i fundit është baza e të drejtave (duke treguar njëkohësisht se deri në çfarë mase ligji, politikat e institucioneve dhe digjitalizimi janë procese të pandashme). Në Fjalorin e tij, Bashkimi Evropian e përkufizon interoperabilitetin ligjor si më poshtë: “Interoperabiliteti ligjor është të sigurojë që organizatat që veprojnë nën korniza, politika dhe strategji të ndryshme ligjore, janë në gjendje të punojnë së bashku.”[4]

Vëzhgimi ynë mbi raportin dhe vlerësimet e Komisionit është se nuk përmendet Gjykata Administrative dhe roli i saj në mbrojtjen e të drejtës 41 të Kartës së të Drejtave Themelore të cituar më sipër, pra dështimi brengosës i Gjykatës Administrative për të dhënë drejtësi. Prej vitesh, sipas raporteve të Avokatit të Popullit, Gjykata Administrative nuk ka marrë asnjë aktgjykim të vetëm që do të zgjidhte në mënyrë efektive një rast në të cilin një individ apo kompani e padit shtetin nga pikëpamja e drejtësisë administrative.[5]

Qasja ndërsektoriale mundëson konkretizimin e Vlerave Themelore të Evropës, sepse mundëson të drejtën për administrim të mirë, e ngre qytetarin në vend të parë duke e mbrojtur nga abuzimi i institucioneve dhe garanton mobilitet fizik dhe digjital. Fatkeqësisht, është e qartë se në Maqedoninë e Veriut qasja ndërsektoriale mungon në politikbërje: për korrupsionin flitet sikur të ishte vetëm një çështje e kompetencës së sektorit të drejtësisë, edhe pse vetë Raporti thekson qartë se shëndetësia dhe arsimi janë një nga sektorët më të cënueshëm sa i përket çështjes së korrupsionit.

E njëjta gjë bëhet e qartë kur shikoni temën e arsimit që shfaqet nën kapitullin Ekonomia – është e qartë se Maqedonia e Veriut ka investuar në arsimin profesional, dhe nivele të tjera nën nivelin terciar, edhe pse Klasteri 3 tregon qartë se arsimi i lartë është kyç sepse investimi evropian në konkurrencën ekonomike globale është – inovacioni. Kjo është arsyeja pse vetë Raporti thekson se fakti që ata që kanë marrë diploma të arsimit të lartë nuk kanë aftësi konkrete praktike tregon domosdoshmërinë e reformave në këtë sektor,[6] dhe kjo nënkupton përafrimin e tij ndaj strategjisë së re të Zonës Evropiane të Hulumtimit – ku dominon fokusi i investimit në hulumtime shkencore, transformimi i institucioneve të arsimit të lartë në institucione hulumtuese (domethënë universitete) dhe një përkushtim për një interdisiplinaritet të thellë, integrues si bazë e konkurrencës së inovacionit. Sipas mendimit tonë, një hap kalimtar drejt këtyre synimeve reformuese në veprimtarinë shkencore dhe të arsimit të lartë, si pjesë përbërëse e Klasterit kushtuar zhvillimit ekonomik, mund të jetë arsimi i lartë joformal (në përputhje me themelet e kartave Erasmus 2021-2027). që mundëson një qasje të individualizuar ndaj specializimit më të ngushtë që nuk ofrohet si pjesë e kurrikulës së detyrueshme.

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.