“Debati” për Rita Orën – tregues për cilësinë e mediave, edukimin mediatik të publikut dhe debatin shoqëror në përgjithësi

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Të tepruara ishin shumë reagime ndaj Rita Orës dhe “gabimit” të saj me valëvitjen e flamurit serb në koncertin në Hungari. Të tepruara ishin edhe shumë kundërreagime në mbrojtje të saj, siç ishte edhe reagimi në Fejsbuk i botuesit të gazetës “Koha” Arben Ratkocerit. Të tepruara ishin edhe shumë kundërreagime ndaj statusit të tij.

Në shkrimet e shumë portaleve (si në hapësirën mediatike shqiptare por edhe atë serbe) dhe në reagimet në rrjetet sociale ndaj Rita Orës u shfaqën senzacionalizmi, instrumentalizimi nga qarqe të ndryshme për përfitime politike apo ekonomike, etno-nacionalizmi, radikalizmi fetar, mizogjinia, ofendimet, shpifjet, thirrjet për dhunë…

Në statusin e Ratkocerit mund të detektohet stereotipizim negativ etnik dhe gjinor, e në nëntekst edhe fetar (sepse ai stereotipizon gratë e Turqisë, Afganistanit etj).

Pashë edhe shumë reagime ndaj Ratkocerit që shprehnin ofendime, urrejtje por edhe thirrje për dhunë.

I gjithë ky mishmash flet për cilësinë e diskursit publik te shqiptarët (që nuk është përjashtim nga trendet rajonale, por edhe botërore) që është në nivel shumë të ulët. Edhe te politikanët, edhe te mediat që për çdo temë kërkojnë këndvështrimin sensacionalist, edhe te publiku që është mediatikisht i “edukuar” në këtë frymë dhe bie pre e diskursit që polarizon qëllimisht, duke shndërruar në “hata” çdo temë e cila ka potencial të bëjë konfrontim mes njerëzve.

Të gjithë duhet të vënë gishtin në kokë, dhe të reflektojnë se në çfarë katandie kemi rënë dhe ku po vemë kështu. Jemi nisur një rruge e cila nuk do t’i bëjë mirë askujt. E keqja është këtu, e nëse vazhdohet kështu, do të bëhet shumë më keq. Sa më herët që e kuptojmë këtë gjë, aq më mirë për të gjithë.