“Haraçinasi” dhe tentimi për vrasje në Q.T “Biser” – përveç dhunuesit, kush meriton dënim publik?

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Së pari, duhet dënuar më ashpërsisht tentimi për vrasje nga një banor i Haraçinës ndaj dy bashkëqytetarëve të tij në Q.T. “Biser”. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë banorët e Haraçinës janë të njëjtë, apo se të gjithë shqiptarët janë dhunues dhe vrasës!

Së dyti, mënyra se si Kanal 5 raportoi për këtë ngjarje në Fejsbuk (e jo vetëm ky televizion por edhe media të tjera) meriton të dënohet ashpër publikisht. “Sërish “Albanofobi” nga Prokuroria Themelore Publike? U premtuan haraçinasve shkollë për pilotë, e tani Prokuroria çuditet pse vozisin shpejt…”, shkruante në postimin e Kanal 5, i cili pas reagimeve është fshirë nga faqja në Facebook.

Formulime të tilla mund të jenë gjithçka tjetër, veç gazetari etike dhe profesionale jo! E pikërisht në atë televizion, ca ditë më parë, më pyetën pse përsëritet nacionalizmi tek ne.

Së treti, për dënim publik janë edhe gazetarët dhe fytyrat publike që kritikojnë Kanal 5 për këtë postim në Fejsbuk, kurse në komentet e postimeve të tyre lejojnë llojllojshmëri të fjalëve ofenduese ndaj këtij televizioni, por edhe maqedonasve në përgjithësi.

Interesant është fakti se thuajse nuk kishte asnjë titull në mediat maqedonase në të cilin shkruhej se haraçinasi është arrestuar dhe se për këtë akt neveritës ka marrë paraburgim, dhe se për një krim të tillë parashikohen shumë vite burg.

Kështu, ndoshta dhunuesit e tillë do të dekurajoheshin të mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan pa u ndëshkuar rëndë. Por, në këtë mënyrë nuk do të ketë aq shumë klikime dhe lexueshmëri të përmbajtjes, si dhe komente të ndezura që do të “bustojnë algoritmin”.

Ja një pjesë e përgjigjes se pse tek ne përsëritet etno-nacionalizmi, kurse dhuna inkurajohet dhe bëhet përditshmëri dhe “mënyrë më e lehtë” për zgjidhjen e “problemeve”.

Sigurisht se për këtë fajin më të madh e kanë politikanët, por faj kanë edhe një pjesë e mediave dhe gazetarëve, të cilët i japin hapësirë ​​urrejtjes, dhe keqpërdorin ngjarje të tilla për përfitime dhe promovime personale!