Shkruan: MERITON TUSHA

Ligji për Kontestet Administrative që u miratua në vitin 2019 paralajmëroi një ndryshim në situatën e shkaktuar nga versionet e mëparshme të ligjit. Prisnim një ligj që do të bënte të mundur tejkalimin e praktikës së mëparshme të pashpresë të procedurës boshe përsëritëse.

Më parë, legjislacioni për procedurat administrative dhe mosmarrëveshjet lejonte “drejtësinë” në formën e përsëritjes së procedurës që nga fillimi, me rezultat të ngecur sërish në korridoret pa rrugëdalje, të burokracisë dhe të korrupsionit. Ky rreth vicioz mes gjykatës dhe institucioneve në të cilin hyjnë qytetarët dhe që shërben vetëm si rreth vicioz pa përgjigje konkrete, ishte ajo që duhej të kapërcente ligji i 2019-ës.

Vëmë re se që nga dita e zbatimit të tij (të vonuar), ligji nuk është zbatuar realisht, sepse në vendime mbizotëron proceduralizmi i vjetër bosh, në vend të vendimeve me efekt material në favor të qytetarëve. Gjykata Administrative vazhdon me të njëjtën mënyrë të zgjidhjes së problemeve, e cila nuk është aspak efikase, madje nuk respekton as të drejtën materiale që parashihet në ligjin e ri.

Sigurisht që ky është një përgjithësim, mirëpo ai bazohet në njohuritë e marra nga një mostër prej 20 rastesh reprezentative në vit (nga 3 vitet e fundit), që në thelb është metodë kërkimore kualitative. Ajo ofron një pasqyrë të mirë të natyrës së problemeve dhe kushteve të përgjithshme, ndërsa nevojitet një komponent kuantitativ i detajuar për të arritur një nivel shtesë saktësie.

Ligji i miratuar në vitin 2019 parashikon se gjykata administrative do të duhet të marrë vendime përfundimtare për të pandehurin, sipas “vendimit model”, që është një mënyrë më efikase se ajo e parashikuar nga ligji i mëparshëm për kontestet administrative. Për shembull, Ligji e përkufizon termin si:

“…vendim i Gjykatës Administrative në rastet kur janë ngritur padi kundër disa akteve administrative, në të cilat të drejtat dhe detyrimet e paditësve bazohen në të njëjtën situatë faktike ose të ngjashme dhe kanë të njëjtën bazë ligjore. Gjykata Administrative e miraton detyrimisht vendimin model pas mbajtjes së seancës dhe e publikon si sentencë të jurisprudencës së gjykatës.[1]

Praktika e vjetër vazhdon sërish, ku jepet vetëm një afat i ri që përsërit të njëjtën procedurë, duke e detyruar palën tjetër të marrë një vendim të ri administrativ brenda 15 ditëve. Në këtë mënyrë, qytetarët hyjnë në një cikël procesi që është bosh dhe i përsëritur vazhdimisht pa asnjë vendim përfundimtar nga gjykata administrative, përveç se shërben si shtyllë për përsëritjen e vazhdueshme të procedurave të njëjta, ndërkohë që qytetarët qëndrojnë me vite të tëra duke vrapuar nëpër institucione dhe gjykata pa një rezultat përfundimtar. Edhe pse ligji parashikon pjesën e parë, përderisa vendimi lidhet ngushtë me mendimin e gjykatës, duket se pjesa e dytë nuk zbatohet. Dhe është për të ardhur keq që e drejta materiale e parashikuar në ligjin e inkuadruar në vitin 2019 nuk zbatohet. Ligji thotë se:

“(5) Nëse gjykata e anulon aktin administrativ dhe ia kthen çështjen organit që ka nxjerrë aktin administrativ, në aktgjykim do të urdhërojë organin e paditur që të miratojë aktin individual brenda 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në të njëjtën kohë, organi i paditur është i lidhur me mendimin juridik të gjykatës në lidhje me zbatimin e së drejtës materiale dhe me qëndrimet e saj lidhur me procedurën.”[2]

Nga hulumtimi i bërë për vendimet e Gjykatës Administrative, ku janë hulumtuar 20 vendime gjyqësore në vitet 2021, 2022 dhe 2023 sipas një mostre reprezentative për nga demografia dhe lloji i rasteve (qytetarët dhe personat juridikë janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, diversiteti demografik është i përafërt për shkak të kufizimit të të dhënave) – është vërejtur një përsëritje e vendimit të paditësit që fiton të drejtën duke zbatuar vetëm pjesën e parë të ligjit, e cila parashikon një afat për marrjen e një vendimi të ri, pa vazhduar në pjesën e dytë.

Shembulli i mëposhtëm ilustron mënyrën e artikulimit të çdo vendimi të gjykatës administrative:

“Respektohet padia e paditësit XXX.

Anulohet vendimi i kontestuar i Х XX nr.xxxxxxxxx/x i xx.xx.xxxx.

Autoriteti i paditur, Vendimi i …, DETYROHET të miratojë një akt të ri administrativ brenda 15 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.”

Këto vendime janë në kundërshtim me të njëjtin nen të këtij ligji që thotë:

“(1) Nëse gjykata konstaton se akti administrativ i kontestuar është i kundërligjshëm, me aktgjykim do ta aprovojë kërkesëpadinë, do ta anulojë aktin administrativ individual të kontestuar dhe do ta zgjidhë vetë çështjen administrative (Aktgjykimi në mosmarrëveshje të juridiksionit të plotë), me çka aktgjykimi në tërësi zëvendëson aktin individual të anuluar”.[3]

Moszbatimi de facto i ligjit nga Gjykata Administrative është brengosës, pasi e njëjta situatë përsëritet dhe nuk vihet re asnjë ndryshim. Ndërkohë, gjithçka bie mbi kurrizin e qytetarëve që enden kot nëpër institucione dhe gjykata pa përgjigje përfundimtare dhe pa një çështje të zgjidhur, gjë që i bën institucionet shtetërore më pak të qasshme dhe në të njëjtën kohë kënaqësia e qytetarëve ndaj institucioneve publike zvogëlohet. Zbatimi i këtij ligji është vendimtar për funksionimin e gjykatës administrative, si dhe për të drejtat materiale të qytetarëve.

——————-
[1]  Ligji për Kontestet Administrative, Gazeta Zyrtare e R. Maqedonisë së Veriut 96/19, Neni 4, pika 4. Në dispozicion në: Zakon-za-upravni-sporovi-17-05-2019-so-primena-od-25-05-2020-.pdf (pravdiko.mk), qasur më: 13.09.2023.

[2] Ligji për Kontestet Administrative, Gazeta Zyrtare e R. Maqedonisë së Veriut 96/19, Neni 60, pika 5. Në dispozicion në: Zakon-za-upravni-sporovi-17-05-2019-so-primena-od-25-05-2020-.pdf (pravdiko.mk), qasur më: 13.09.2023.

[3]  Ligji për Kontestet Administrative, Gazeta Zyrtare e R. Maqedonisë së Veriut 96/19, Neni 60, pika 1. Në dispozicion në: Zakon-za-upravni-sporovi-17-05-2019-so-primena-od-25-05-2020-.pdf (pravdiko.mk), qasur më: 13.09.2023.

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.