Shkruan: EDLIRA PALLOSHI DISHA
Zhvillimi i hovshëm teknologjik ka transformuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë, ndajnë dhe procesojnë informacionin. Bollëku i informacionit të disponueshëm në internet e ka bërë më të lehtë se kurrë më parë qasjen në informata për një gamë të gjerë temash. Megjithatë, kjo rritje e qasshmërisë ka çuar gjithashtu në një rritje të përhapjes së dezinformatave.
Vitet e fundit, përhapja e dezinformatave në diksursin politik është bërë një shqetësim në rritje. Fenomeni i informatave të rreme të përhapura në mënyrë të qëllimshme për të mashtruar njerëzit (dezinformatat), është bërë një shqetësim i madh për shoqëritë në mbarë botën. Ai ul besimin e publikut, polarizon shoqërinë dhe minon proceset demokratike.
Me rritjen e disponueshmërisë së mediave digjitale, informacioni i rremë mund të përhapet lehtësisht në një audiencë të madhe brenda pak sekondash. Dezinformimi politik mund të ketë pasoja të rënda për individët dhe shoqërinë, duke ndikuar në formësimin e opinionit publik, duke diktuar sjelljen e votuesit dhe duke ulur besimin në institucionet shtetërore dhe në media. Çështja e dezinformimit politik është veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave zgjedhore, ku informacioni i rremë mund të manipulojë votuesit dhe të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
Ndikimi i dezinformimit tek individët dhe shoqëria ndryshon në bazë të disa faktorëve, përfshirë moshën. Brezat e rinj, të cilët janë rritur me internetin dhe mediat sociale, kanë më shumë gjasa të ndeshen dhe të përhapin dezinformata në krahasim me gjeneratat e vjetra. Nga ana tjetër, gjeneratat e vjetra mund të jenë më të cenueshme ndaj dezinformimit për shkak të mungesës së shkrim-leximit mediatik dhe aftësive të të menduarit kritik.
Prandaj është thelbësore të kuptohet marrëdhënia midis moshës dhe cenueshmërisë ndaj dezinformimit. Është e rëndësishme të theksohet se mosha është vetëm një nga shumë faktorë që kontribuojnë në ndjeshmërinë e një individi ndaj dezinformatave politike. Faktorë të tjerë si paragjykimet njohëse, besimet, vlerat personale, etj., gjithashtu luajnë një rol në mënyrën e pranimit të (dez)informatave politike nga një individ.
“Askush nuk mund të më mashtrojë mua”
Fenomeni i dezinformatave po studiohet çdo ditë e më shumë nga studiues anë mbanë botës. Ajo që është me rëndësi të theksohet është se ky fenomen nuk mund të analizohet dhe kuptohet në tërësi pa e analizuar kompleksitetin dhe karakteristikat e qenies njerëzore, që si e tillë ndihmon në përhapjen e informatave malinje.
Kështu, studimi i Vosoughi dhe i bashkëautorëve., (2018) shqyrtoi përhapjen e së vërtetës dhe të pavërtetës në Twitter nga viti 2006 deri në vitin 2017. Të dhënat treguan se gënjeshtrat u përhapën më shpejt dhe më gjerësisht se e vërteta dhe se siç ata thonë “faktorët e gjykimit njerëzor i shpjegojnë këto dallime”. Dezinformatat, veçanërisht informatat e rreme politike, u zbuluan se u përhapën në mënyrë virale, më thellë dhe më gjerësisht më shumë se çdo kategori tjetër e dezinformatave si përmes proceseve të transmetimit, ashtu edhe përmes proceseve të përhapjes apo ndikimit nga bashkëmoshatarët (“peer-to-peer”).
Studimet e fundit kanë hulumtuar ndikimin e karakteristikave të ndryshme demografike në ndjeshmërinë ndaj dezinformatave, duke përfshirë moshën. Mosha luan një rol të rëndësishëm në formimin e ekspozimit të një individi dhe pranimit të dezinformatave politike.
Një nga përcaktuesit në nivelin individual që Guess dhe bashkëautorët, (2019) zbuluan për ndarjen dhe përhapjen e artikujve të rremë gjatë fushatës presidenciale të SHBA-së 2016 ishte mosha. Përdoruesit më të vjetër (mbi 65 vjeç) ndanë mesatarisht shtatë herë më shumë artikuj të rremë në mediat sociale sesa grupmosha më e re. Ky rezultat mund t’i atribuohet “ideologjisë së forte”, identifikimit me partinë ose siç psikologjia kognitive dhe sociale sugjeron dëmtim të kujtesës që mund të çojë në një cenueshmëri më të madhe ndaj ‘iluzionit të së vërtetës’ ose perzistencës së qëndrimeve me kalimin e moshës. Shpjegimi tjetër mund të jetë mungesa e njohurive digjitale dhe mediatike të kësaj moshe.
Gjithashtu, një studim tjetër nga Grinberg dhe bashkëautorët, (2019), për votuesit e regjistruar në Twitter vuri në pah se përdoruesit me orientim konservator, përdoruesit më të vjetër dhe përdoruesit që kryesisht janë të angazhuar me lajme politike kishin më shumë gjasa të angazhoheshin me burime të lajmeve që shpërndanin informata të rreme gjatë fushatës presidenciale të SHBA-së 2016.
Nga ana tjetër individët e rinj janë gjetur gjithashtu të jenë të ndjeshëm ndaj dezinformimit për shkak të përdorimit më të lartë të mediave sociale dhe aftësive të tyre më pak të zhvilluara të të menduarit kritik. Një hulumtim për keqinformimin për virusin korona sugjeron se amerikanët nën 25 vjeç kanë më shumë gjasa tu besojnë informatave të rreme lidhur me virusin dhe me rëndësinë e sëmundjes dhe origjinën (Baum dhe bashkëautorët, 2020).
Në një sondazh me 21,196 njerëz në të 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë, studiuesit identifikuan një dallueshmëri të qartë grupmoshash. Të anketuarit 18 deri në 24 kishin një probabilitet prej 18 për qind për të besuar një pretendim të rremë, krahasuar me 9 për qind për ata mbi 65 vjeç, sipas studimit, të kryer nga studiues nga Universiteti i Harvardit, Universiteti Rutgers, Universiteti Northeastern dhe Universiteti Northwestern.
Në Maqedoninë e Veriut, nga popullsia e përgjithshme prej 2.08 milionë banorësh, ka 1.82 milionë përdorues të internetit, nga të cilët 1.20 milionë janë përdorues të mediave sociale (DataReportal, 2023). Postimet në mediat sociale janë burimi kryesor i informacionit për lajmet dhe ngjarjet politike në Maqedoninë e Veriut për brezin e ri, dhe televizioni është burimi kryesor i informacionit ndër më të vjetrit.
Thënë kjo, postimet në mediat sociale janë burimi kryesor i informacionit për ngjarjet e brendshme (89%) sipas studimit të Trpevska dhe bashkëautorëve, 2020 . Ky studim tregon se 80 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç përdorin internetin çdo ditë (70%). Kështu, grupi i moshës 15-49 vjeç mund të përshkruhet si një audiencë që përdor rregullisht internetin.
Në një hulumtim të Palloshi Disha dhe Rustemi (2022) për Indiferencën Politike dhe Ndjeshmërinë ndaj Dezinformatave të publikuar në revistën shkencore të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Tërnavë, Sllovaki, doli se mosha që më së shumti ishte në gjendje të identifikojë informatat e rreme politike që u shpërndanë gjatë kampanjës zgjedhore të vitit 2020 në Maqedoninë e Veriut ishte grup mosha 31-45 e cila doli të ishte më reziliente ndaj dezinformatave politike. Është indikative të ceket se e njëjta grupmoshë doli të ishte më pak e interesuar për politikë me 61%.
Ta kemi parasysh gjithashtu se mosha mesatare e popullsisë së Maqedonisë së Veriut është 38.8 vjeç (Datareportal, 2023). Kurse, si më të interesuar për politikë u identifikua të ishin grup moshat 46 – 60 dhe 60 +, të cilat u treguan të ishin më të ndjeshme ndaj dezinformatave politike.
Në një analizë të fundit të po të njëjtit studim, të anketuarit u pyetën se sa mendojnë se kanë aftësi për ti identifikuar lajmet e rreme, ku grupmosha më e moshuar në përqindje më të lartë beson se ka aftësi për t’i identifikuar informatat e rreme politike. Gjegjësisht, grupmoshat 60+ (56%) dhe 46 – 59 (54.5%) në përqindje më të lartë janë plotësisht të sigurt se kanë aftësi për t’i identifikuar informatat e rreme. Kjo konfirmon perzistencën e qëndrimeve me moshë. Nga ana tjetër, të njëjtat grupmosha, të sigurta për aftësinë e tyre për të dalluar informacionin e vërtetë nga ai i rremë, në një shkallë më të lartë nuk mund ta identifikonin informacionin e rremë. Këto grupmosha u zbuluan se ishin më të ndjeshme ndaj dezinformimit.
Duke u ndërlidhur me këtë, një koncept i ri i quajtur “Perceptimi askush-nuk-mund-të-më-mashtrojë-mua“ (Martínez-Costa dhe bashkëautorët., 2022) sugjeron se individët kanë predispozita kognitive të shfaqin një besim të pavend në aftësinë e tyre për të identifikuar informacionin e rremë, duke besuar se janë më rezilientë ndaj përmbajtjes së rreme se të tjerët. Faktorët si mosha dhe niveli arsimor ndikojnë në këtë perceptim dhe ndikojnë në tendencën e njerëzve për të kontrolluar dhe ndarë informacionin e pa verifikuar. Ky perceptim i të rinjve ndaj të moshuarve se këta të fundit janë më të ndjeshëm ndaj dezinformatave dhe anasjelltas, mund të lidhet edhe me konceptin apo hipotezën e Efektit të personit të tretë (Third person effect) i cili sugjeron se individët perceptojnë se ndikimi i mesazheve të medias është më i madh ndaj të tjerëve sesa ndaj vetes së tyre.
Thënë ndryshe, vetëbesimi i pabazë se jemi të aftë të identifikojmë një informatë mashtruese na bën më të ndjeshëm ndaj informatave të rreme duke e privuar veten nga mundësia për tu edukuar dhe krijuar shkathtësi se si ti qasemi në mënyrë kritike një informate që e hasim në media.
Kultivimi i një mendësie kritike, çelës i reziliencës
Arsyet për këtë cënueshmëri mund t’i atribuohen një sërë faktorësh, duke përfshirë rënien kognitive (humbjen e kujtesës me moshë), perzistencën e qëndrimeve me moshë, më pak familjaritet me teknologjitë e reja dhe më pak ekspozim ndaj burimeve të ndryshme të informacionit. Për më tepër, individët e moshuar mund të kenë identitete më të forta partiake, duke i bërë ata më të prirë të besojnë dhe ndajnë informacione të gabuara që përputhen me bindjet e tyre politike.
Prandaj, është e rëndësishme të hartohen strategji që do t’i marrin parasysh këta faktorë specifikë dhe që i adresojnë dobësitë e grupmoshave të ndryshme në luftën kundër dezinformimit politik. Derisa grupmoshat më të moshuara mund të jenë më të interesuar për politikë, grupmoshat më të reja janë përdorues më të shpeshtë të mediave sociale dhe për këtë arsye janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të informatave malinje.
Arsyet për cenueshmërinë e tyre përfshijnë faktorë të tillë si përvoja e kufizuar e jetësore, mungesa e aftësive të të menduarit kritik dhe tendenca për ta besuar informacionin që vjen nga bashkëmoshatarët si dhe ndikimi nga influencerët e mediave sociale. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se asnjë grupmoshë nuk është plotësisht reziliente ndaj informatave malinje. Prandaj, strategjitë për të luftuar dezinformimin politik duhet të shtrihen në të gjitha grupmoshat duke u fokusuar në zhvillimin e shkrim-leximit mediatik, krijimin e aftësive të të menduarit kritik dhe zhvillimin e aftësisë për të konsultuar burime të ndryshme informacioni, por duke i marrë parasysh specifikat e secilës grupmoshë, gjegjësisht faktorët që ndikojnë në ndjeshmërinë e tyre.
Ka shumë përpjekje që bëhen për përfshirjen e edukimit mediatik në të gjitha instancat e shoqërisë, nga arsimi joformal deri te plan-programet shkollore. Por është thelbësore të përmendet se këto përpjekje duhet të përfshijnë të menduarit kritik si koncept i funksionimit të sistemit arsimor në të gjitha nivelet dhe jo vetëm si një aktivitet që zgjat për një afat të caktuar kohor të projektit. Për më tepër, duhet të mendohen strategji që do sigurojnë qëndrueshmëri dhe konsistencë afatgjate të këtyre programeve si dhe monitorim të vazhdueshëm të aplikimit dhe efektit të tyre ndër gjenerata.
Është thelbësore të zhvillohet aftësia për të vlerësuar informacionin në mënyrë kritike, për t’i kontrolluar burimet e informacionit dhe për të vënë dyshim mbi saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit të marrë. Të gjitha grupmoshat duhet të inkurajohen për të përdorur burime të ndryshme informacioni, me ç’rast ekspozimi i njerëzve ndaj këndvështrimeve të ndryshme mund të ndihmojë në prishjen e dhomave të jehonës (echo chambers) dhe uljen e ndikimit nga bashkëmoshatarët ose influencerët. Promovimi i konsumimit të lajmeve dhe informacioneve nga burime të besueshme – kredibile, që ofrojnë fakte dhe këndvështrime të ndryshme është tejet i rëndësishëm.
Shtjellimi i faktorëve individual, siç janë paragjykimi konfirmues (confirmation bias) ose ndikimi i përkatësisë politike dhe identiteti partiak (partisan identity), “iluzioni i së vërtetës”, “perceptimi askush-nuk-mund-të-më-mashtrojë-mua“, etj. janë me rëndësi të theksohen me qëllim të rritjes së vetëdijesimit për kufizimet kognitive që i kemi dhe me qëllim që të ruhemi nga ndikimet e mundshme malinje. Promovimi i vendimmarrjes së bazuar në prova dhe fakte duke krijuar një mendësi kritike tek të gjitha grupmoshat duhet të shquhet vlerë e një shoqërie demokratike.
Ndryshimet thelbësore të qëndrueshme, me një qasje të shumanshme në të gjitha nivelet e shoqërisë, duhet të mundësojnë rritjen e qytetarit të ndërgjegjshëm aktiv që e çmon veten e tij dhe tjetrin, i hapur për ndryshime, dhe rezilient ndaj ndikimeve të huaja malinje. Vendimmarrja e mirinformuar duhet të jetë paradigmë e qytetarit, i cili synon shtetin demokratik.
(Autorja është studente e studimeve të doktoratës për Media dhe Komunikim në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) dhe hulumtuese në Ekipin hulumtues për Edukim Mediatik dhe Dezinformata (MeDisInfo) në Institutin “Max van der Stoel”, UEJL)
Bibliografia
- The state of the nation: a 50 state Covid -19 survey. Report: Misinformation and vaccine acceptance. Baum, M. A., Ognyanova, K., Chwe, H., Quintana, A., Perlis, R. H., Lazer, D., & Druckman, J. (2020). USA: Northeastern University, Harvard University, Rutgers University, and Northwestern University.
- Digital, 2023 North Macedonia. DataReportal. (2023, September 17). Retrieved from DataReportal: https://datareportal.com/reports/digital-2023-north-macedonia
- Fake news on Twitter during the 2016 U.S. presidential election. Grinberg, N., Joseph, K., Friedland, L., Swire-Thompson, B., & Lazer, D. (2019). Science Advances.
- Less than you think: Prevalence and predictors of fake news dissemination on Facebook. Guess, A., Nagler, J., & Tucker, J. (2019). Science Advances.
- Nobody-fools-me perception: Influence of Age and Education on Overconfidence About Spotting Disinformation. Maria-Pilar Martínez-Costa, Fernando López-Pan, Nataly Buslón & Ramón Salaverría (2022), Journalism Practice.
- Determination of the impact of new media on the formation of the public opinion and on the work of traditional media. Trpevska, S., Mitrevski, G., & Micevski, I. (2019). RESIS Institut.
- The Relation Between Political Indifference and Resilience to Disinformation. Palloshi Disha, E., Rustemi, A. (2022). Media Literacy and Academic Research.
- The spread of true and false news online. Vosoughi, S., Roy, D., & Aral, S. (2018), Science Advances.
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut