IMA me promocion të publikimit dhe panel diskutim për raportimin mediatik për ndryshimet kushtetuese

Instituti për Media dhe Analitikë IMA nesër në Shkup do të promovojë publikimin: “Ndryshimet kushtetuese në media: Dezinformata, manipulime mediatike, gjuhë e urrejtjes (analiza)”.

Publikimi sjell analiza autoriale, në të cilat hulumtues të shquar me përvojë shumëvjeçare në media dhe në organizatat profesionale mediatike paraqesin gjetje, shembuj, pikëpamje dhe opinione për raportimin e mediave, dezinformatat, manipulimet mediatike dhe gjuhën e urrejtjes lidhur me ndryshimet e propozuara kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të ngjarjes do të mbahet edhe panel – diskutim, në të cilin do të flasin autorët Dr.Sefer Tahiri, Zoran Bojarovski, Zharko Trajanoski dhe Petrit Saraçini, i cili është edhe moderator i evenimentit. Pas prezantimeve të panelistëve, është planifikuar diskutim me pjesëmarrësit dhe të pranishmit në ngjarje.

Publikimi është pjesë e aktiviteteve të Institutit për Media dhe Analitikë IMA, të mbështetura nga Fondi Evropian për Demokraci (European Endowment for Democracy) nga Brukseli, dhe është kontribut në realizimin e angazhimeve të IMA-s për promovimin e lirisë së medias, ballafaqimin me dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes, zhvillimin e mendimit dhe debatit kritik, si dhe kërkimin e zgjidhjeve për të adresuar këto sfida të rëndësishme.