Debati i munguar për Kodin Penal dhe Ligjin e Faljes

A është detyrë vetëm e mediave publikimi i padrejtësive që bëhen nga shteti? A duhet edhe institucionet e shtetit të jenë më shumë transparente dhe llogaridhënëse? A duhet politika të ballafaqohet me mediat, edhe kur nuk arrin “suksese mbi suksese”? Pse u miratuan ndryshimet në Kodin Penal pa debat publik dhe parlamentar dhe kush është përgjegjës për këtë anashkalim të skajshëm të opinionit publik? A do të ketë debat publik mbi Ligjin e Faljes?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Si gjithkund në botën e civilizuar dhe demokratike, detyrë e mediave është të gjurmojë dhe të nxjerrë në pah padrejtësitë që i bën sistemi apo institucionet e shtetit. Në një shtet si ky i joni, i pakonsoliduar demokratikisht, hulumtimi i shkeljeve të drejtave të njeriu nga shteti, përveç se është detyrim profesional, është edhe mision në interes publik.

Megjithatë, nuk janë vetëm mediat dhe gazetarët që duhet ta kryejnë punën e tyre, por këtë duhet ta bëjnë edhe institucionet. Është detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe politik dhe publik, që institucionet e shtetit dhe ato publike, të cilat paguhen nga taksapaguesit, të jenë më komunikuese me publikun, përkatësisht transparente dhe llogaridhënëse.

Kur themi këtë, mendojmë që institucionet duhet të ballafaqohen me mediat, qoftë kur kanë rezultate, por edhe kur janë në halle, qoftë kur kanë arritur suksese ose kur puna e tyre has në vështirësi. Institucionet duhet të largojnë nga veprimi i tyre strategjinë e propagandës, sepse ajo nuk sjell avancim të efikasitetit të tyre, e as zhvillim të demokratizimit të shtetit.

Institucionet, kur kanë “suksese mbi suksese” nuk rreshtin së ftuari mediat dhe gazetarët në konferenca shtypi, brifingje ose takime joformale, ndërsa kur zihen ngushtë, u shmangen gazetarëve sikur të jenë “armiqtë” e tyre.

Kohëve të fundit u miratuan ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat bëhen edhe ndryshime thelbësore në sistemin e ndëshkimit penal të vendit. Disa prej këtyre ndryshimeve janë edhe të arsyeshme dhe në harmoni me sistemin evropian të drejtësisë. Me to ulen disa dënime për disa vepra penale. Ekspertët e së drejtës penale, disa që janë më të zëshëm, i vlerësuan se janë në funksion të rimodelimit të politikës penale, e cila  deri më tani ka qenë restriktive. Ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh se “Më parë kemi pasur ligj, në të cilin dënimet ishte nga koha komuniste përkatësisht të bëra nga siç e quaj unë, Darth Vejderi i gjyqësorit maqedonas”. Mbi ndryshimet e politikës penale mund të kenë të drejtë Kovaçevski, Ministria e Drejtësisë, ekspertët e drejtësisë, ata që arsyetuan me porosi dhe ata tjerët që arsyetuan profesionalisht dhe shkencërisht.

Por, i diskutueshëm ngeli procesi i miratimit të ndryshimeve të Kodit Penal.

E para, debati publik mbi këto ndryshime të rëndësishme juridike ishte në nivelin zero.  Pra, as më pak e as më shumë, por zero. Praktikë tërësisht joevropiane, edhe pse ligji, përkatësisht dispozitat e tij u prezantuan si akt juridik evropian.

E dyta, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, dikasteri i së cilit ishte propozues i ndryshimeve të Kodit, nuk firmosi propozimin, duke u arsyetuar se ka qenë në udhëtim zyrtar, ndërsa partia e tij i dha mbështetje atij lidhur me ndryshimet ligjore.

E treta, ndryshimet u propozuan dhe u dërguan në procedurë në Kuvend me “yllin evropian”, duke iu shmangur në këtë mënyrë edhe debatit të stërzgjatur parlamentar, edhe pse ishte VMRO-DPMNE-ja ajo që bëri kuorumin për miratimin e ndryshimeve. Në Maqedoninë e Veriut, kur është në pyetje “zhbërja” e drejtësisë, shpesh ka konsensus politik, edhe pse në këtë rast ka bazë për uljen e dënimeve. Konsensus të heshtur politik ka pasur edhe për shfuqizimin e Prokurorisë Speciale, e cila atë kohë u pa si instrument për rikthimin e drejtësisë.

Në anën tjetër, në debat parlamentar së shpejti do të jetë Ligji i Faljes (abolicionit), i cili ka kohë që raportohet në media si i ligj i amnistisë, edhe pse juridikisht bëhet fjalë për dy koncepte të ndryshme. Edhe kjo përzierje konceptesh mund të konsiderohet si përgjegjësi e qeverisë, ne veçanti e Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk ka arritur t’i shpjegojë mediave, e përmes tyre edhe publikut se nuk propozon amnisti (që vlen për kategori të caktuara të qytetarëve me vendim nga Kuvendi), por falje (që vlen për individë të caktuar që vuajnë dënime me burg, gjë për të cilën zakonisht sjell vendim nga presidenti). Me ndryshimet e reja presidenti si institucion do të mund të shqiptojë falje (abolicion) vetëm për personat që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm nga instancat gjyqësore, e jo për personat që janë në procedurë hetimore ose gjyqësore.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler u shpreh se procesi i miratimit të këtij ligji duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të ligjshme. “Qytetarët e vendit duhet të kuptojnë se çfarë po ndodh, dhe pse po ndodh, dhe liderët e tyre të zgjedhur të komunikojnë me ta, sepse është e rëndësishme”, tha Ageler.

Edhe pa thënë Ageler, kjo gjë është detyrë e qeverisë dhe shumicës parlamentare. Aq më shumë që partia kryesore në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë erdhi në kolltukët e pushtetit me premtimin për më shumë drejtësi, më shumë transparencë dhe më shumë demokraci. Edhe drejtësia, edhe transparenca, si parakushte të demokracisë, lënë shumë për të dëshiruar.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut