Fillon sezoni i dytë i “Poligrafit”, emision për zbulimin e dezinformatave dhe lajmeve të pasakta

Instituti për Media dhe Analitikë IMA në bashkëpunim me Televizionin Alsat kanë nisur prodhimin e sezonit të dytë të emisionit “Poligraf”, i cili nga sonte do të transmetohet çdo të diel në orën 19:30, menjëherë pas edicionit kryesor të lajmeve të këtij televizioni kombëtar.

IMA dhe TV Alsat presin që emisioni të vazhdojë suksesin e vitit të kaluar, kur kishte një audiencë mesatare prej gati 80 mijë shikuesish dhe ishte një nga emisionet më të ndjekura të prodhuara nga televizioni.

“Kudo në botë, por edhe në vendin tonë, dezinformatat paraqesin një problem serioz sigurie, i cili minon demokracinë, shkakton polarizim dhe konflikte në shoqëri dhe cenon besimin ndaj institucioneve, por edhe ndaj mediave. Që të jetë e suksesshme lufta kundër dezinformatave, në të duhet të përfshihen mediat me ndikim, veçanërisht televizionet që kanë një ndikim të madh në opinionin publik dhe audiencë. Jemi të lumtur që kemi gjetur mirëkuptim për këtë në TV Alsat, i cili është televizioni i parë kombëtar në vend që ka përmbajtje, e cila i dedikohet  ballafaqimit me dezinformatat”, thotë Petrit Saraçini nga IMA.

Emisioni është dinamik, zgjat jo më shumë se 10 minuta dhe përmban 3 kronika që ekspozojnë dezinformatat e publikuara në mediat me ndikim apo në rrjetet sociale, por edhe ofrojnë këshilla dhe shkathtësi për të forcuar edukimin mediatik dhe mendimin kritik tek publiku.

Sivjet, ashtu si vitin e kaluar do të prodhohen dhe emetohen 24 episode të “Poligrafit”. Seriali e emisioneve realizohet me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Maqedoninë e Veriut.