Zhdukja e 14-vjeçares: “Kuriri” – ky shpifës i madh!

 

Si spekuloi portali “Kurir” lidhur me rastin e vajzës, e cila tashmë tri ditë është e zhdukur? Në cilat burime u thirr ky portal dhe pse pas një kohe të shkurtër e përgënjeshtroi veten? Çfarë thotë nëna e vajzës 14-vjeçare lidhur me spekulimet dhe dezinformatat në media? Si iu lajmërua nënës së Vanjës një gazetar në cilësinë e inspektorit, për të marrë më shumë informata?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Të spekulosh lidhur me vendndodhjen e një personi që evidentohet disa ditë i zhdukur, jo vetëm që nuk është profesionale dhe etike, jo vetëm që shkel Kodin Etik të Gazetarëve, por është edhe jonjerëzore.

Portali “Kurir” së pari publikoi dezinformatën, sipas së cilës gjoja nga burime të hetimit ka mësuar se 14 vjeçarja Vanja Gjorçevska është gjetur gjallë dhe shëndoshë në një shtet fqinj, duke aluduar në Kosovën. Por, i njëjti portal pas një kohe të shkurtër e përgënjeshtroi veten, duke mos e parë të udhës as të kërkojë falje, pasi “gazetarët” e tij nuk janë munduar të paktën ta verifikojnë vërtetësinë e përmbajtjes (anti)gazetareske.

Ky portal u mundua “të nxjerrë veten”, duke përdorur mundësitë e mëdha që i ofron teknologjia informatike, përkatësisht duke fshirë dezinformatën dhe duke publikuar në të njëjtën hapësirë lajmin e përditësuar me përgënjeshtrimin e Ministrisë së Brendshme se nuk është e saktë se është gjetur Vanja, e cila nga mëngjesi i datës 27 nëntor është zhdukur pa asnjë gjurmë. Për këtë portal mjaftoi formulimi se “Për fat të keq, informata tregohet e pasaktë, ndërsa Ministria e Brendshme vazhdon me hetimin aktiv”.

Që në gazetarinë tonë ka edhe të atillë që vetëm se gazetari nuk bëjnë, flet fakti se edhe Ministria e Brendshme ka vërejtur se publikuesi i dezinformatës është autor i panjohur (pa identitet) dhe nuk ka bërë përpjekjet e domosdoshme për verifikimin e hamendësimeve.

Si duket, për “Kuririn” ka mjaftuar vetëm një koment i një profili në Fejsbuk me emrin “Xhamia në Podujevë” tek njoftimi i nënës së të miturës se “Vanja është tek ai”, që të shkojë drejt konkluzionit “spektakolar” dezinformues se e mitura gjendet në një shtet fqinj. Mizori!

Se në profesionin e gazetarisë ka edhe të atillë që nuk kanë etikë njerëzore e lëre më profesionale, dëshmon nëna e Vanjës, Zorica Gjurçevska, e cila pohoi se “Në publik u plasuan shumë spekulime, të cilat nuk ndihmojnë, por e vështirësojnë gjendjen“. Ajo për javoren “Fokus” zbuloi se i është lajmëruar një gazetar, i cili është prezantuar si inspektor, me qëllim që të marrë më shumë informacione për ngjarjen, të cilin gazetar e ka paraqitur në polici.

“Mos më pyesni si jam, si mund të jem”, ka thënë Gjurçevska. Mediat dhe gazetarët duhet ta marrin parasysh vetëm këtë fjali në deklarimin e nënës për “Fokus”, që të kenë pak më shumë ndjeshmëri mbi rastin, ta respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos përhapin frikë dhe panik. Të mos nisen nga sensacionalizmi, i cili u sjell klikime dhe bashkë me këtë edhe ndonjë lek më shumë.

Është për t’u përshëndetur reagimi i shpejtë i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Nderit të SHGM dhe Këshillit të Etikës në Media (KEMM), si pjesë e vetërregullimit në Maqedoninë e Veriut, të cilat e dënojnë ashpër mënyrën se si raportojnë disa media lidhur me zhdukjen e vajzës 14 vjeçare nga Shkupi. Këto dy organizata profesionale bënë thirrje që të mos plasohen informata të pasakta dhe të paverifikuara, të cilat më së shpeshti merren nga rrjetet sociale.

Organizatat mediatike me të drejtë konstatojnë se “Rrjetet sociale nuk mund të jenë burim i besueshëm i informatave, nga të cilat gazetarët, pa verifikuar mund të marrin përmbajtje dhe nga të njëjtat të shkruajnë lajme dhe tituj, sepse profilet në Fejsbuk ose rrjete tjera janë përgjegjësi e bartësve të profileve, ndërsa mediat kanë detyrim që t’i verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë”. Kjo është përgjegjësi themelore profesionale e punonjësve në media.

Në këtë amulli, në të cilën i jepet goditje e madhe gazetarisë profesionale, edhe publiku nuk duhet të nisë e të përgjithësojë, dhe nuk duhet të kritikojë të gjitha mediat, të gjithë gazetarët dhe punonjësit mediatik, e as të anatemojë profesionin e gazetarisë, sepse “Kuriri” nuk është e gjithë gazetaria dhe shpeshherë, duke dezinformuar dhe duke qenë kanal propagandues, ka dëshmuar se nuk mund të konsiderohet si një media në kuptimin profesional të kësaj fjale.

Nuk jemi të gjithë njësoj!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut