Pa debat të denjë të mendimeve të ndryshme, nuk ka përparim në shoqëri!

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Vite me radhë jemi dëshmitarë të një radikalizimi, polarizimi dhe një degradimi të plotë të debatit shoqëror në shoqërinë e Maqedonisë. Me kalimin e kohës, ndarjet mes qytetarëve bëhen më të thella, ndërsa bashkëbisedimi apo debati mes opinioneve dhe pikëpamjeve të ndryshme bëhet pothuajse i pamundur. Si arritëm këtu, a ka rrugëdalje?

Nuk do të themi asgjë të re nëse konstatojmë se ndikimi kyç për thellimin e ndarjeve mes qytetarëve është kryesisht meritë e elitave politike. Liderët e partive politike, bartësit e funksioneve partiake dhe shtetërore, njerëz në nivelet më të larta të politikës, personat me ndikim publik që janë të afërt me opsione të caktuara politike, prej kohësh përdorin një fjalor me të cilin sulmohen ashpër kundërshtarët politikë dhe ata që mendojnë ndryshe prej tyre, shpesh edhe me fyerje, gjuhë diskriminuese, madje edhe gjuhë urrejtjeje.

Ndikimi i dytë kyç  mbi këto ndarjeve dhe polarizimin e komunikimit publik vjen nëpërmjet përforcimit të këtij fjalori dhe diskursi nga mediat. Disa prej tyre janë kthyer në një mjet propagandistik të opsioneve politike, e disa prej tyre, edhe pse përpiqen të përcjellin mendime dhe qëndrime të ndryshme në mënyrë profesionale dhe të balancuar, shpesh e bëjnë këtë në mënyrë jokritike dhe transmisive, duke u kthyer në platforma për përhapjen e përçarjeve dhe polarizimit të prodhuar nga politika.

Duke vepruar kështu, mediat dështojnë në përmbushjen e njërit nga rolet e tyre kryesore – të jenë një filtër që nuk do të lejojë keqpërdorjen e përmbajtjes mediatike për nxitje të urrejtjes, diskriminimit dhe llojeve tjera të shkeljeve të të drejtave të njeriut, dhe të mbrojnë parimet bazë të demokracisë dhe interesit publik – që nënkupton jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe përgjegjësinë ndaj fjalës së shprehur publikisht dhe të drejtave të çdo qytetari, pavarësisht nëse janë dakord me mendimin e tij apo jo.

Ndikim të madh në këto situata ka edhe dështimi i institucioneve. Ndonjëherë kjo ndodh për shkak të mosdijes, ndonjëherë për shkak të kujdesit të tepruar për të mos shkaktuar një efekt të tkurrjes së lirisë të shprehjes, e ndonjëherë për shkak të zbatimit selektiv të ligjeve në këtë sferë, të motivuar nga preferencat politike ose afërsia me njërën nga palët ose opsionet në debatin publik. Sidoqoftë, kjo rezulton në inkurajimin e atyre që përdorin dhunën verbale dhe me heshtjen e zërave dinjitozë, të artikuluar dhe të arsyeshëm në debatin publik.

Një pjesë e qytetarëve bëhen pjesë e ushtrive partiako-politike në komunikimin publik. Dhe, sa më shumë zbritet në shkallën e “hierarkisë”, aq më e theksuar është dhuna verbale, urrejtja, fyerjet, kërcënimet që shpesh arrijnë nivelin e kërcënimeve të hapura për vrasje, pushkatim, varje, lista për eliminim…

Rezultati përfundimtar është disfatë. Edhe për politikën, edhe për median, edhe për institucionet, edhe në përgjithësi për qytetarët pa dallim përkatësie, edhe për shoqërinë në tërësi.

Prandaj, është në rritje numri i qytetarëve që zhgënjehen dhe largohen nga politika, gjë që shihet në sondazhin më real politik, gjatë zgjedhjeve, sepse një numër gjithnjë e më i vogël i tyre dalin në zgjedhje dhe ua delegojnë besimin partive politike. Studime të shumta tregojnë një rënie të vazhdueshme të besimit të qytetarëve në institucionet dhe mediat. Është në rritje numri i atyre që heshtin dhe nuk duan të marrin pjesë në debatin publik, i ikin konsumimit të mediave dhe nuk besojnë në to.

A ka çare? Vallë ka ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë, e cila nuk i sjell asgjë të mirë askujt?

Sigurisht që ka. Para së gjithash, duhet të dëgjojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin, edhe kur nuk jemi dakord. Duke filluar nga politikanët që përfaqësojnë modele të sjelljes në shoqëri. Edhe mediat duhet të përmbushin rolin e tyre si platforma që mundësojnë pluralizëm dhe diversitet mendimesh, por edhe një vëzhgues kritik i kujtdo që shkel rregullat e sjelljes demokratike dhe të drejtat e njeriut. Edhe institucionet duhet gjithashtu të bëhen struktura që mbrojnë në mënyrë aktive demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dhe prodhojnë hapësirë ​​që akomodon nevojat e të ndryshmëve, edhe të “shumicave”, edhe të “pakicave”, në mënyrë të drejtë dhe joselektive.

Vetëm në një kontekst të tillë produktiv, përplasja e mendimeve të ndryshme dhe debati i arsyeshëm kritik mund të çojë në progres dhe zgjidhje të reja dhe më të mira për të ardhmen e të gjithëve.

Ju duket e vështirë, pothuajse e pamundur? E cila është alternativa? Të vazhdohet në këtë rrugë përçarjesh, konfrontimesh, agresioni e dhune verbale e bile dhe fizike, kërcënimesh për vrasje e luftëra? Për këdo që mendon në mënyrë racionale, kjo nuk duhet të jetë një alternativë. Si shoqëri duhet të dalim nga ky degradim i përgjithshëm, nga kjo disfatë e përgjithshme dhe shoqërore për të gjithë. E, siç thonë – gjërat që duhet bërë patjetër, nuk janë të vështira!