Instituti për Media dhe Analitikë IMA dënon ashpër gjuhën e urrejtjes me kërcënime me dhunë ndaj gazetares dhe aktivistes Rita Behadini për shkak të qëndrimit të saj të shprehur publikisht për postimin e një kleriku në Facebook dhe kërkon nga institucionet kompetente që urgjentisht të zbulojnë autorët dhe të nisin procedurat e duhura për përgjegjësi penale.
IMA shpreh shqetësim të madh për kërcënimet me dhunë dhe gjuhën e urrejtjes mbi baza të shumta, të cilat janë bërë më të shpeshta kohët e fundit, veçanërisht në rrjetet sociale.
Këto dukuri shqetësuese kërkojnë veprime shumë më të shpejta nga institucionet kompetente për të luftuar gjuhën e urrejtjes, por kjo nuk mjafton.
Për të luftuar kundër gjuhës së urrejtjes nevojitet veprim gjithëpërfshirës shoqëror dhe bashkëpunim i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave. Është gjithashtu i nevojshëm edukimi i qytetarëve për pasojat e dëmshme të gjuhës së urrejtjes për të gjithë shoqërinë, dhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre.
Instituti për Media dhe Analitikë IMA kujton se është detyrë etike e organizatave fetare, por edhe e politikanëve, të dënojnë publikisht gjuhën e urrejtjes.