Zbulojmë dy dezinformata nga zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, i cili para fillimit të invazionit ushtarak mbi Ukrainën, i shpalli si lajme të rreme njoftimet e mediave perëndimore se Rusia po planifikonte një invazion. Më 21.11.2022, Peskov dezinformoi se Rusia nuk paska dashur të ndryshojë regjimin në Kiev, gjë që u raportua edhe në mediat ruse, edhe në mediat maqedonase.

Mirëpo, beteja për Kievin dhe përpjekja për ta rrethuar atë me dhjetëra mijëra ushtarë rusë është dëshmi se pushtimi i kryeqytetit të Ukrainës dhe ndryshimi i pushtetit ishte qëllimi kryesor ushtarako-politik i Rusisë.

 Edhe pas betejës së pasuksesshme për Kievin, përfaqësuesit më të lartë politikë të Rusisë, si Sergej Llavrov, nuk fshihnin se kanë dashur të ndryshojnë “regjimin” në Ukrainë.

“Ne gjithsesi do të ndihmojmë popullin ukrainas që të heqë qafe regjimin, i cili është absolutisht antipopullor dhe antihistorik”, deklaroi Llavrov në Kajro.

Pas deklaratave të Llavrovit në Kajro më 24 korrik 2022, ishte e qartë se Rusia nuk ka hequr dorë nga qëllimi për të ndryshuar me dhunë pushtetin në Kiev.

Dezinformata e dytë është lajmi i publikuar nga TASS që u transmetua edhe nga mediat në vend, sipas të cilit zëdhënësi i Putinit ka deklaruar se “përfaqësuesit rusë nuk kanë folur kurrë për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore”, dhe ka theksuar se “nga ana e Rusisë, askush nuk ka spekuluar për këtë pyetje.”

Por, këto deklarata nuk e kalojnë kontrollin e fakteve. Politikanët rusë kanë folur publikisht për përdorimin e armëve bërthamore. Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka folur disa herë për përdorimin e armëve bërthamore. Përdorim të armëve bërthamore inkurajonte publikisht edhe lideri çeçen Kadirov. Edhe presidenti i Federatës Ruse, Vlladimir Putin ka folur për përdorimin e mundshëm të armëve të shkatërrimit masiv.

Për më tepër, edhe vetë Peskov ka folur më parë për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Prandaj, pretendimet e zëdhënësit Peskov, një prej fytyrave të njohura të propagandës së Kremlinit se “zyrtarët rusë nuk kanë folur kurrë për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore” dhe se Rusia nuk ka dashur të ndryshojë “regjimin” në Kiev, i vlerësojmë si dezinformata.